Sahihu i Buhariut — Hadithi 1785
6. Nënkapitulli: Umra nga Tenimi
1785. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehab ibn Abdulmexhidi, e ky nga Habib Mualimi, e ky nga Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij hynë në ihram për haxh, ndërkohë, përveç Pejgamberit ﷺ dhe Talhait, askush nuk kishte kurban me vete. Kur Aliu vajti nga Jemeni, me vete kishte edhe kurbanet. Ai tha: “Kam hyrë në ihram siç ka hyrë i Dërguari i Allahut ﷺ.” Pejgamberi ﷺ i lejoi sahabët që (ihramin e haxhit) ta kthejnë në umre: të bëjnë tavaf rreth (Qabesë), pastaj t'i shkurtojnë flokët e të lirohen prej ihramit, përveç atij që ka kurbanin me vete.” Ata thanë: “Të nisemi për në Mina, ndërkohë kemi bërë marrëdhënie me gratë?!” Kur Pejgamberi ﷺ i dëgjoi kështu, tha: “Sikur të mund të kthehesha mbrapa, nuk do ta merrja kurbanin me vete. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha (prej ihramëve).”
Ndërkohë, Aishes i erdhën menstruacionet, andaj i kreu të gjitha ritet, përveç tavafit rreth Qabesë. Kur u pastrua dhe e bëri tavafin, tha: “O i Dërguari i Allahut, a po ktheheni me haxh dhe umre, kurse unë vetëm me haxh?” Kështu, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Abdurrahman ibn Ebu Bekrin për të shkuar me të në Tenëim. Pra, ajo bëri umre pas haxhit, në muajin dhul hixhe.”
Suraka ibn Malik ibn Xhushumi e takoi Pejgamberin ﷺ në Akabe, teksa i hidhte guralecët dhe i tha: “A vlen kjo vetëm për ju, o i Dërguari i Allahut (shndërrimi i haxhit kiran në temetu ose kryerja e umrës në muajt e haxhit)?”
- “Jo, por përgjithmonë”, - tha ai.