26. Umra
1. Nënkapitulli: Obligueshmëria dhe vlera e umrës
Ibn Omeri ka thënë: "Çdo person e ka të obliguar një haxh dhe një umre." Ibn Abasi ka thënë: "Në Librin e Allahut umra përmendet krahas haxhit: “Plotësojeni haxhin dhe umrën për hir të Allahut...” (Bekare, 196)
1773. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekër ibn Abdurrahmanit, e ky nga Ebu Salih Semani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Umra deri në umre i fal mëkatet mes tyre. Për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1773
Fjalë të panjohura?
2. Nënkapitulli: Kryerja e umrës para haxhit
1774. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Xhurejxhi se Ikrime ibn Halidi e pyeti Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) për kryerjen e umrës para haxhit, e në atë rast iu përgjigj: “Nuk prish punë asgjë.
Ibn Omeri ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka bërë umre para haxhit.”
Ibrahim ibn Sadi ka transmetuar nga Ibn Is'haku: “Më ka treguar Ikrime ibn Halidi: “E kam pyetur Ibn Omerin; njëjtë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1774
Fjalë të panjohura?
3. Nënkapitulli: Sa umre i ka kryer Pejgamberi ﷺ?
1775. Nga: Abdullah ibn Omeri
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri se Muxhahidi rrëfen: “Së bashku me Urve ibn Zubejrin hymë në xhami, ku hasëm Abdullah ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ulur afër dhomës së Aishes. Disa njerëz, në xhami, po e falnin namazin e duhasë. E pyetëm Abdullahun për namazin e tyre, e në atë rast ai u përgjigj: “Bidat (risi në fe).” Pastaj Urve e pyeti:
- Sa umre i ka bërë i Dërguari i Allahut ﷺ?
- Katër. Njërën prej tyre në muajin rexheb, - u përgjigj ai.
Ne nuk donim ta kundërshtonim (mendimin e tij).
1776. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muxhahidi tregon: “E dëgjuam Aishen, nënën e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke pastruar dhëmbët me misvak në dhomën e saj.” Kështu, Urve i tha:
- Oj nënë e besimtarëve, a nuk po dëgjon çfarë po thotë Ebu Abdurrahmani?
- Çfarë po thotë? - pyeti ajo.
- Po thotë se i Dërguari i Allahut ka kryer katër umre, njërën prej të cilave në muajin rexheb, - ia ktheu ai.
- Allahu e mëshiroftë Ebu Abdurrahmanin! Ai ka qenë me të në çdo umre që e ka kryer (Pejgamberi ﷺ), porse në muajin rexheb nuk ka kryer asnjë umre, - tha ajo.
1777. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Asimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai se Urve ibn Zubejri tregon: “E pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth umreve të Pejgamberit ﷺ) e m'u përgjigj: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka kryer umre në muajin rexheb.”
1778. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hasan ibn Hasani na ka thënë: Na ka treguar Hemami se Katadja ka thënë: “E kam pyetur Enesin (Allahu qoftë i kënaqur me të!):
- Sa umre i ka kryer Pejgamberi ﷺ?
- Katër: umrën e Hudejbijes në muajin dhul kade, kur e patën penguar idhujtarët; umrën në vitin pasues në muajin dhul kade, sipas marrëveshjes; umrën e Xhiëranës, kur e pati shpërndarë plaçkën e Hunejnit (dhe umrën gjatë haxhit), - iu përgjigj ai.
- Sa herë e ka kryer haxhin? - e pyeta.
- Një herë, - u përgjigj ai.
1779. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Abdulmeliku, e këtij i ka treguar Hemami se Katadja tregon: “E kam pyetur Enesin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), për umret e Pejgamberit ﷺ, i cili më është përgjigjur: “Pejgamberi ﷺ ka kryer umre kur e patën kthyer (idhujtarët); umrën pas Hudejbijes në vitin pasues; një umre në muajin dhul kade dhe një umre me haxhin e tij.”
1780. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hudbe na ka thënë: Na ka treguar Hemami se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ i ka kryer katër umre në muajin dhul kade, përveç umrës që pati kryer gjatë haxhit: një umre në Hudejbije, një në vitin pasues, një prej Xhiëranës, kur e pati shpërndarë plaçkën e Hunejnit dhe një umre gjatë haxhit.”
1781. Nga: Bera ibn Azibi
Ahmed ibn Othmani na ka thënë: Na ka treguar Shurejh ibn Mesleme, e këtij i ka treguar Ibrahim ibn Jusufi, e ky nga babai i tij se Ebu Is'haku ka thënë: “I kam pyetur Mesrukun, Atain dhe Muxhahidin (për umret e Pejgamberit ﷺ), e ata më janë përgjigjur: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka kryer umre në muajin dhul kade para se të kryejë haxhin.”
Ebu Is'haku ka thënë: “E kam dëgjuar Bera ibn Azibin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka bërë dy herë umre në muajin dhul kade para se të kryente haxhin.”
4. Nënkapitulli: Umra në Ramazan
1782. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Atai se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ i tha një gruaje ensare - (Atai thotë:) të cilën Ibn Abasi e përmendi me emër, kurse unë ia harrova emrin: - “Çka të pengoi që ta kryesh haxhin me ne?” Ajo iu përgjigj: “Ne kishim një deve, së cilës i hipën filani dhe djali i vet, përkatësisht burri dhe djali i saj, kurse devenë tjetër na la për të bartur ujë.” Ai i tha: “Kur të vijë Ramazani, kryej një umre, sepse umra në Ramazan konsiderohet si haxh.”
Ose ka thënë diçka të ngjashme.
5. Nënkapitulli: Umra natën e fundit (të haxhit) dhe netët pas saj
1783. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Muaviu, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ u nisëm për në haxh në fillim të muajit dhul hixhe. Pejgamberi ﷺ na tha: “Ai që dëshiron të hyjë në ihram për haxh, le të hyjë, e, ai që dëshiron të hyjë në ihram për umre, le të hyjë. Personalisht, sikur të mos e kisha marrë kurbanin me vete, do të kryeja edhe umrën.” Kështu, disa hynë në ihram për umre, kurse disa të tjerë vetëm për haxh. Unë isha në mesin e atyre që hynë në ihram për umre, por më erdhën menstruacionet dhe kështu më zuri dita e Arafatit. Iu ankova Pejgamberit ﷺ për këtë, e ai më tha: “Lëre umrën, shprishi gërshetat, krihi flokët dhe hyr në ihram për haxh.”
E, kur u bë nata e fundit (para kthimit), Pejgamberi ﷺ me mua e dërgoi Abdurrahmanin deri në Tenëim, ku hyra në ihram për umre, për të zëvendësuar umrën e parë (para haxhit).”
6. Nënkapitulli: Umra nga Tenimi
1784. Nga: Abdurrahman ibn Ebu Bekri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amri, e ky e ka dëgjuar Amër ibn Evsin se Abdurrahman ibn Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka treguar se Pejgamberi ﷺ e kishte urdhëruar atë që të hipte së bashku me Aishen në deve, në mënyrë që umrën ta kryente nga Tenëimi.
Njëherë Sufjani ka thënë: “E kam dëgjuar Amrin. Sa shpesh që e kam dëgjuar prej Amrit!”
1785. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehab ibn Abdulmexhidi, e ky nga Habib Mualimi, e ky nga Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij hynë në ihram për haxh, ndërkohë, përveç Pejgamberit ﷺ dhe Talhait, askush nuk kishte kurban me vete. Kur Aliu vajti nga Jemeni, me vete kishte edhe kurbanet. Ai tha: “Kam hyrë në ihram siç ka hyrë i Dërguari i Allahut ﷺ.” Pejgamberi ﷺ i lejoi sahabët që (ihramin e haxhit) ta kthejnë në umre: të bëjnë tavaf rreth (Qabesë), pastaj t'i shkurtojnë flokët e të lirohen prej ihramit, përveç atij që ka kurbanin me vete.” Ata thanë: “Të nisemi për në Mina, ndërkohë kemi bërë marrëdhënie me gratë?!” Kur Pejgamberi ﷺ i dëgjoi kështu, tha: “Sikur të mund të kthehesha mbrapa, nuk do ta merrja kurbanin me vete. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha (prej ihramëve).”
Ndërkohë, Aishes i erdhën menstruacionet, andaj i kreu të gjitha ritet, përveç tavafit rreth Qabesë. Kur u pastrua dhe e bëri tavafin, tha: “O i Dërguari i Allahut, a po ktheheni me haxh dhe umre, kurse unë vetëm me haxh?” Kështu, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Abdurrahman ibn Ebu Bekrin për të shkuar me të në Tenëim. Pra, ajo bëri umre pas haxhit, në muajin dhul hixhe.”
Suraka ibn Malik ibn Xhushumi e takoi Pejgamberin ﷺ në Akabe, teksa i hidhte guralecët dhe i tha: “A vlen kjo vetëm për ju, o i Dërguari i Allahut (shndërrimi i haxhit kiran në temetu ose kryerja e umrës në muajt e haxhit)?”
- “Jo, por përgjithmonë”, - tha ai.
7. Nënkapitulli: Kryerja e umrës pa kurban pas haxhit
1786. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i vet se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ u nisëm (për në haxh) në fillim të muajit dhul hixhe. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ai që dëshiron të hyjë në ihram për umre, le të hyjë, e, ai që dëshiron të hyjë në ihram për haxh, le të hyjë. Personalisht, sikur të mos e kisha marrë kurbanin me vete, do të hyja në ihram për umre.” Kështu, disa hynë në ihram për umre, kurse disa të tjerë vetëm për haxh. Unë isha në mesin e atyre që hynë në ihram për umre, por më erdhën menstruacionet para se të hyja në Mekë dhe kështu më zuri dita e Arafatit, duke qenë ende me menstruacione. Iu ankova të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili më tha: “Lëre umrën, shprishi gërshetat, krihi flokët dhe hyr në ihram për haxh.”
Ashtu veprova. Kur u bë nata e fundit (para kthimit), Pejgamberi ﷺ me mua e dërgoi Abdurrahmanin deri në Tenëim. Ai e hipi Aishen mbrapa në kafshë, e në atë rast ajo hyri në ihram për umre, në vend të umrës së saj (para haxhit). Allahu ia përmbushi haxhin dhe umrën, pa shpagim me kurban, lëmoshë ose agjërim.”
8. Nënkapitulli: Shpërblimi i umrës është sipas lodhjes
1787. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Ibn Avniu, e ky nga Kasim ibn Muhamedi. Ibn Avniu transmeton nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) pyeti: “O i Dërguari i Allahut, njerëzit po kthehen me dy adhurime, kurse unë po kthehem vetëm me një?!” Pejgamberi ﷺ i tha: “Prit. Pasi të pastrohesh, shko në Tenëim dhe hyr në ihram, e pastaj eja në filan vendin, mirëpo ai (shpërblimi i umrës) është sipas shpenzimit ose lodhjes sate.”
9. Nënkapitulli: A i llogaritet tavaf i lamtumirës umrexhiut që, pasi e bën tavafin e umrës, del (nga Meka)?
1788. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Eflah ibn Humejdi, e ky nga Kasimi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “U nisëm për të kryer haxhin në muajt e haxhit dhe nëpër vendet e shenjta.” U ndalëm në Serif, ku Pejgamberi ﷺ u tha shokëve të tij: “Ai që nuk e ka kurbanin me vete dhe ka dëshirë ta shndërrojë (ihramin e haxhit) në umre, le ta bëjë. Ndërkaq, ai që e ka kurbanin me vete, të mos e shndërrojë.” Pejgamberi ﷺ dhe disa shokë të tij të fuqishëm kurbanet i patën me vete, andaj nuk e shndërruan në umre.
Ndërsa unë po qaja, Pejgamberi ﷺ erdhi dhe më pyeti:
- “Pse po qan?”
- Dëgjova atë që ua the shokëve të tu, ndërkohë unë u privova prej umrës, - iu përgjigja.
- “Çfarë problemi ke?” - më pyeti ai.
- Nuk mund të falem, - i thashë.
- “Nuk prish punë asgjë. Ti je një prej bijave të Ademit, të është caktuar ajo që u është caktuar atyre. Qëndro në haxhin tënd, mbase Allahu të mundëson një umre”, - tha ai.
Vazhdova derisa u larguam nga Mina dhe u ndalëm në Muhasab. Pejgamberi ﷺ e thirri Abdurrahmanin e i tha: “Dil me motrën tënde prej Haremit dhe le të hyjë në ihram për umre, pastaj bëjeni tavafin. Unë po ju pres këtu.”
U kthyem në mesnatë. Pejgamberi ﷺ pyeti: “A e mbaruat?”
- Po, - i thashë.
Kështu, i thirri shokët e vet për t'u nisur. Të gjithë, edhe ata që kishin bërë tavafin rreth Qabesë, edhe ata që nuk kishin bërë tavafin, u nisën në drejtim të Medinës para namazit të sabahut.
10. Nënkapitulli: Në umre veprohen gjërat e njëjta sikurse në haxh
1789. Nga: Jala ibn Umeje
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Atai, e këtij i ka treguar Safvan ibn Jala ibn Umeje se babai i tij Jala ibn Umeje (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në Xhiëranë, i vajti një njeri, i cili kishte të veshur një xhybe, ku kishte gjurmë të verdha parfumi, - ose ka thënë: ngjyrë të verdhë.” - Ai pyeti: “Çfarë më urdhëron të bëj gjatë umrës?” Atëherë, Allahu ia zbriti shpalljen Pejgamberit ﷺ, ndërsa shokët e tij i bënin hije me një rrobë. Ngaqë kisha dëshirë ta shihja Pejgamberin ﷺ duke i zbritur shpallja, Omeri më tha:
- Eja, a ke dëshirë ta shohësh Pejgamberin ﷺ duke i zbritur shpallja prej Allahut?
- Po, - i thashë.
Ai e ngriti skajin e rrobës, e unë e pashë: gërhiste siç gërhet i vogli i devesë.
Kur përfundoi (shpallja), tha: “Ku është ai që pyeti rreth umrës? Zhvishe xhyben, pastroje gjurmën e parfumit nga trupi, fshije të zverdhuarën dhe gjatë umrës vepro siç vepron në haxh.”
1790. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve se Urve tregon: “Kur isha i ri, e pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Çfarë thua për Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e simboleve të Allahut. Prandaj, ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse ecën mes tyre...” (Bekare, 158) Andaj, nuk mendoj që ka ndonjë problem nëse ndokush nuk ecën mes tyre.”
Ajo tha: “Kurrsesi, sikur të ishte siç thua ti, do të ishte: “Nuk ka mëkat nëse nuk ecën mes tyre. Ky ajet ka zbritur për ensarët (para Islamit), të cilët e bënin nijet haxhin për Menatin. Menati ishte përballë me Kudejdin, kështu që nuk ecnin mes Safasë dhe Mervës. Kur erdhi Islami, e pyetën të Dërguarin e Allahut ﷺ për këtë, e në atë rast Allahu i Madhëruar e zbriti ajetin: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e simboleve të Allahut. Prandaj, ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse ecën mes tyre...” (Bekare, 158)
Sufjani dhe Ebu Muaviu, duke transmetuar nga Hishami, shtojnë: “Allahu nuk e plotëson haxhin e as umrën e një personi që nuk ecën mes Safasë dhe Mervës.”
11. Nënkapitulli: Koha e lirimit të umrexhiut prej ihramit
Atai tregon nga Xhabiri se Pejgamberi ﷺ i urdhëroi shokët e tij ta shndërrojnë haxhin në umre, të bëjnë tavaf, pastaj t'i shkurtojnë (flokët) dhe, në fund, të lirohen prej ihramit.
1791. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri se Ismail ibn Ebu Halidi tregon se Abdullah ibn Ebu Eufai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e bëri umrën, edhe ne bëmë umre bashkë me të. Me të hyrë në Mekë, bëri tavaf, pastaj shkoi në Safa dhe Merva, e ashtu vepruam edhe ne. E mbronim nga banorët e Mekës, mos e qëllonte ndokush.”
Ismaili thotë: “Një shok imi e pyeti: “A ka hyrë në Qabe?”
- Jo, - iu përgjigj ai.
1792. Nga: Abdullah ibn Ebu Eufai
Ismaili tregon: “Një shok imi i tha Abdullah ibn Ebu Eufait (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Na trego çfarë i ka thënë (Pejgamberi ﷺ) Hadixhes.” Ai iu përgjigj: “Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Përgëzojeni Hadixhen me një shtëpi prej margaritari në Xhenet, në të cilën nuk ka as zhurmë, as lodhje.”
1793. Nga: Abdullah ibn Omeri
Humejdi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani se Amër ibn Dinari tregon: “E kemi pyetur Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!): “A i lejohet të bëjë marrëdhënie me bashkëshorten atij që e kryen tavafin e umrës rreth Qabesë, por ende nuk e ka kryer ecjen mes Safasë dhe Mervës?”
Ai është përgjigjur: “Kur vinte Pejgamberi ﷺ, bënte tavaf rreth Qabesë shtatë herë, i falte dy rekate mbrapa Mekamit, pastaj ecte mes Safasë dhe Mervës shtatë herë. Shembullin më të mirë e keni tek i Dërguari i Allahut ﷺ.”
1794. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Amër ibn Dinari tregon: “E kemi pyetur edhe Xhabir ibn Abdullahun (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), e në atë rast na është përgjigjur: “Të mos i afrohet bashkëshortes pa e kryer ecjen mes Safasë dhe Mervës.”
1795. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Kajs ibn Muslimi, e ky nga Tarik ibn Shihabi se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vajta te Pejgamberi ﷺ në Bat'ha dhe e gjeta ulur, e në atë rast më tha:
- “Je nisur për haxh?”
- Po, - i thashë.
- “Në çfarë lloj ihrami ke hyrë (të haxhit apo umrës)?”
- Kam hyrë me nijet sikurse Pejgamberi ﷺ, - i thashë.
- “Të lumtë! Bëj tavaf rreth Qabesë, ec mes Safasë dhe Mervës, pastaj lirohu nga ihrami”, - tha ai.
Bëra tafavin rreth Qabesë, eca mes Safasë dhe Mervës, pastaj shkova te një grua e fisit kajs, e cila m'i pastroi flokët (nga morrat) dhe, më pas, hyra në ihramin e haxhit. Sipas kësaj jepja përgjigje deri në hilafetin e Omerit. Omeri ka thënë: “Nëse punojmë sipas Librit të Allahut, Ai na urdhëron që ta plotësojmë haxhin, e, nëse punojmë sipas fjalës së Pejgamberit ﷺ, ai nuk është liruar prej ihramit, derisa kurbani pati arritur në vendin e vet (u ther).”
1796. Nga: Esma bint Ebu Bekri
Ahmed ibn Isai na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e ky nga Ebu Esvedi se Abdullahu, i çrobëruari i Esma bint Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, sa herë që Esma kalonte nëpër Haxhun, thoshte: “Bekimi i Allahut qoftë mbi Muhamedin! Me të kemi qëndruar në këtë vend atë ditë kur kishim pak plaçka, pak kafshë udhëtimi dhe pak furnizim. Unë, motra ime, Aishja, Zubejri, filani dhe filani patëm kryer umrën. Me të kryer umrën, qemë liruar prej ihramit, pastaj, në mbrëmje, patëm hyrë në ihram për haxh.”
12. Nënkapitulli: Çka thuhet pas kthimit prej haxhit, umrës a betejës?
1797. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ kthehej prej betejës, haxhit ose umrës, sa herë që ngjitej në ndonjë kodër, bënte tri tekbire, pastaj thoshte: “La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu ve huve ala kuli shejin kadir. Ajibune, taibune, abidune, saxhidune, li rabina hamidun. Sadakallahu vadehu, ve nesara abdehu, ve hezemel ahzabe vahdehu. (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka ortak. Atij i takon sundimi dhe lavdi, Ai ka fuqi për çdo gjë. Të kthyer, të penduar, adhurues, sexhdebërës, falënderues ndaj Zotit tonë: “Allahu e realizoi premtimin e Vet, e ndihmoi robin e Tij dhe i mposhti aleancat i Vetëm).”
13. Nënkapitulli: Mikpritja e haxhilerëve që vijnë (në Mekë) dhe qëndrimi i tre personave mbi një kafshë
1798. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur Pejgamberi ﷺ erdhi në Mekë, e pritën fëmijët e fisit benu abdulmutalib. Ai hipi një (person) para dhe një mbrapa vetes.”
14. Nënkapitulli: Kthimi në shtëpi (prej udhëtimit) paradite
1799. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Haxhaxhi na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ dilte për në Mekë, falej në Xhaminë e Pemës. Ndërkaq, kur kthehej, falej në Dhul Hulejfe, në mes të luginës, ku dhe bunte.”
15. Nënkapitulli: Kthimi pasdite
1800. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Asnjëherë Pejgamberi ﷺ (kur kthehej prej udhëtimit) nuk hynte natën te familja e tij. Hynte paradite ose pasdite.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1800
Fjalë të panjohura?
16. Nënkapitulli: Kur arrin natën në qytet, nuk lejohet të hyhet te familja
1801. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Muharibi se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ka ndaluar që, ai që kthehet prej udhëtimit, të hyjë te familja gjatë natës.”
17. Nënkapitulli: Ai që e shpejton devenë kur i afrohet qytetit
1802. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ, gjatë kthimit prej udhëtimit, i shihte rrugët e Medinës, e shpejtonte devenë. E, nëse ishte (hipur në) ndonjë kafshë tjetër, e ngërmonte.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) transmeton se Harith ibn Umejri shton nga Humejdi: “E ngërmonte kafshën, nga dashuria për Medinën.”
Kutejbe na ka thënë: “Na ka treguar Ismaili, e ky nga Humejdi, e ky nga Enesi se ka thënë: “(Kur i shihte) muret (e Medinës). Këtë transmetim e përforcon edhe Harith ibn Umejri.”
18. Nënkapitulli: Ajeti: “Hyni në shtëpi nga dyert e tyre…”
1803. Nga: Bera ibn Azibi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ky ajet ka zbritur për ne. Pasi ensarët e kryenin haxhin, kur ktheheshin, nuk hynin në shtëpi nga dyert e përparme, por nga mbrapa. Një ensar vajti e hyri nga dera dhe disi e qortuan për këtë.” Atëherë zbriti ajeti: “Nuk është mirësi të hysh në shtëpi nga dera e pasme (siç bënin paganët para Islamit), por mirësia qëndron në të ruajturit nga të këqijat. Hyni në shtëpi nga dyert e tyre...” (Bekare, 189)
19. Nënkapitulli: Udhëtimi është copë vuajtjeje
1804. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Sumeji, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Udhëtimi është një copë vuajtjeje: e privon njeriun nga ushqimi, pija dhe gjumi. Kur udhëtari e mbaron punën, le të shpejtojë për te familja e vet.”
20. Nënkapitulli: Nëse udhëtarin e preokupon diçka gjatë udhëtimit, shpejton për te familja e tij
1805. Nga: Abdullah ibn Omeri
Seid ibn Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Zejd ibn Eslemi se babai i tij Eslemi tregon: “Isha me Abdullah ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), rrugës për në Mekë, kur e lajmëruan se Safije bint Ebu Ubejdi ishte sëmurur rëndë. Atëherë e shpejtoi ecjen, deri pas rënies së muzgut, ku u ndal dhe e fali akshamin bashkë me jacinë. Pastaj tha: “Kam parë se, kur Pejgamberi ﷺ nxitonte gjatë udhëtimit, e vononte akshamin duke e bashkuar me jacinë.”