Sahihu i Buhariut — Hadithi 1788

9. Nënkapitulli: A i llogaritet tavaf i lamtumirës umrexhiut që, pasi e bën tavafin e umrës, del (nga Meka)?

1788. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Eflah ibn Humejdi, e ky nga Kasimi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “U nisëm për të kryer haxhin në muajt e haxhit dhe nëpër vendet e shenjta.” U ndalëm në Serif, ku Pejgamberi ﷺ u tha shokëve të tij: “Ai që nuk e ka kurbanin me vete dhe ka dëshirë ta shndërrojë (ihramin e haxhit) në umre, le ta bëjë. Ndërkaq, ai që e ka kurbanin me vete, të mos e shndërrojë.” Pejgamberi ﷺ dhe disa shokë të tij të fuqishëm kurbanet i patën me vete, andaj nuk e shndërruan në umre.

Ndërsa unë po qaja, Pejgamberi ﷺ erdhi dhe më pyeti:

- “Pse po qan?”

- Dëgjova atë që ua the shokëve të tu, ndërkohë unë u privova prej umrës, - iu përgjigja.

- “Çfarë problemi ke?” - më pyeti ai.

- Nuk mund të falem, - i thashë.

- “Nuk prish punë asgjë. Ti je një prej bijave të Ademit, të është caktuar ajo që u është caktuar atyre. Qëndro në haxhin tënd, mbase Allahu të mundëson një umre”, - tha ai.

Vazhdova derisa u larguam nga Mina dhe u ndalëm në Muhasab. Pejgamberi ﷺ e thirri Abdurrahmanin e i tha: “Dil me motrën tënde prej Haremit dhe le të hyjë në ihram për umre, pastaj bëjeni tavafin. Unë po ju pres këtu.”

U kthyem në mesnatë. Pejgamberi ﷺ pyeti: “A e mbaruat?”

- Po, - i thashë.

Kështu, i thirri shokët e vet për t'u nisur. Të gjithë, edhe ata që kishin bërë tavafin rreth Qabesë, edhe ata që nuk kishin bërë tavafin, u nisën në drejtim të Medinës para namazit të sabahut.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1788

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?