Sahihu i Buhariut — Hadithi 1795
11. Nënkapitulli: Koha e lirimit të umrexhiut prej ihramit
Atai tregon nga Xhabiri se Pejgamberi ﷺ i urdhëroi shokët e tij ta shndërrojnë haxhin në umre, të bëjnë tavaf, pastaj t'i shkurtojnë (flokët) dhe, në fund, të lirohen prej ihramit.
1795. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Kajs ibn Muslimi, e ky nga Tarik ibn Shihabi se Ebu Musa Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Vajta te Pejgamberi ﷺ në Bat'ha dhe e gjeta ulur, e në atë rast më tha:
- “Je nisur për haxh?”
- Po, - i thashë.
- “Në çfarë lloj ihrami ke hyrë (të haxhit apo umrës)?”
- Kam hyrë me nijet sikurse Pejgamberi ﷺ, - i thashë.
- “Të lumtë! Bëj tavaf rreth Qabesë, ec mes Safasë dhe Mervës, pastaj lirohu nga ihrami”, - tha ai.
Bëra tafavin rreth Qabesë, eca mes Safasë dhe Mervës, pastaj shkova te një grua e fisit kajs, e cila m'i pastroi flokët (nga morrat) dhe, më pas, hyra në ihramin e haxhit. Sipas kësaj jepja përgjigje deri në hilafetin e Omerit. Omeri ka thënë: “Nëse punojmë sipas Librit të Allahut, Ai na urdhëron që ta plotësojmë haxhin, e, nëse punojmë sipas fjalës së Pejgamberit ﷺ, ai nuk është liruar prej ihramit, derisa kurbani pati arritur në vendin e vet (u ther).”