Sahihu i Buhariut — Hadithi 1807
1. Nënkapitulli: Nëse pengohet umrexhiu
1807. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Muhamed ibn Esma na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejri se Nafiu tregon se, në netët kur ushtria e luftonte Ibn Zubejrin (në Mekë), Ubejdullahu dhe Salimi, të bijtë e Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i thanë Abdullah ibn Omerit: “Nuk prish punë nëse këtë vit nuk e kryen haxhin. Kemi frikë se do të të ndalin prej Qabesë.” Ai tha: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ patëm shkuar (në Mekë), e jobesimtarët kurejshë na patën ndalur prej Qabesë. Pejgamberi ﷺ e theri kurbanin dhe e rroi kokën. Jini dëshmitarë se unë po nisem për umre. Do të nisem, me lejen e Allahut. Nëse më lejojnë, do të bëj tavaf, e, nëse më ndalin, do të veproj ashtu siç ka vepruar Pejgamberi ﷺ gjatë kohës që kam qenë me të.” Më pas, nga Dhul Hulejfja, hyri në ihram për umre, eci një copë herë dhe tha: “Çështja e tyre (haxhit dhe umrës) është e njëjtë. Jini dëshmitarë se po e bashkoj umrën me haxhin.” Kështu, nuk u lirua prej ihramit deri në ditën e therjes së kurbaneve (më dhjetë dhul hixhe), kur dhe e theri kurbanin.” Ai thoshte: “Nuk lirohet prej ihramit, derisa të bëjë një tavaf rreth Qabesë, atë ditë kur të hyjë në Mekë.”