Sahihu i Buhariut — Hadithi 1813
4. Nënkapitulli: Ai që thotë: Ai që pengohet, nuk ka obligim ta përsërisë (haxhin ose umrën)
Ibn Abasi ka thënë: "Përsëritja (e haxhit ose umrës) është obligim për atë që e prish haxhin me kënaqësi (marrëdhënie intime). Ndërkaq, ai që pengohet për ndonjë arsye të caktuar, lirohet prej ihramëve dhe nuk kthehet. Nëse pengohet dhe ka me vete kurbanin, por nuk mund ta dërgojë (në Mekë), e ther. Nëse ka mundësi ta dërgojë (në Mekë), nuk lirohet prej ihramëve, derisa kurbani të arrijë në vendin e vet." Maliku dhe të tjerët kanë thënë: "E ther kurbanin dhe e rruan kokën, kudo që të jetë, dhe s'ka nevojë ta përsëritë (haxhin), sepse Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij i kanë therur kurbanet, i kanë rruar kokat dhe janë liruar prej ihramit, pa e kryer tavafin dhe para se kurbani të ketë mbërritur në Qabe. Pastaj, nuk është cekur se Pejgamberi ﷺ ka urdhëruar dikë që ta kompensojë me diçka, e as ta përsëritë haxhin, ndërkohë Hudejbija është jashtë kufijve të Haremit."
1813. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku se Nafiu tregon se, kur Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) u nis drejt Mekës për ta bërë umrën, në kohën e fitnes (në kohën e Ibn Zubejrit), tha: “Nëse pengohem prej (vizitës së) Qabesë, do të veproj ashtu siç kemi vepruar me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Kështu, hyri në ihram për umre, sepse edhe i Dërguari i Allahut ﷺ, vitin e Hudejbijes, pati hyrë në ihram për umre.” Pastaj, Abdullah ibn Omeri e shqyrtoi rastin e vet dhe tha: “Çështja e tyre (umrës dhe haxhit) është e njëjtë. Jini dëshmitarë se po e bashkoj haxhin me umrën. Kështu, bëri një tavaf për të dyja, duke konsideruar se kjo mjafton dhe e theri kurbanin.”