Sahihu i Buhariut — Hadithi 1822

3. Nënkapitulli: Kur muhrimët e shohin gjahun dhe qeshen, ndërsa ai që nuk është në ihram e heton (praninë e tij)

1822. Nga: Ebu Katade Sulemiu

Seid ibn Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mubareku, e ky nga Jahjai, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katadja se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në vitin e Hudejbijes u nisëm me Pejgamberin ﷺ (për në Mekë). Shokët e tij hynë në ihram, kurse unë jo. Na lajmëruan se një armik ishte në Gajka, andaj u nisëm në drejtim të tyre. Shokët e mi panë një zebër dhe filluan të qeshnin me njëri-tjetrin. Kur shikova, e pashë dhe iu vërsula me kalë, e godita dhe e vrava. U kërkova të më ndihmonin, por nuk më ndihmuan. Pasi hëngrëm mish, dola në kërkim të të Dërguarit të Allahut ﷺ, sepse u frikësuam mos po mbesim mbrapa (larg tij). Herë e shpejtoja kalin, herë e ngadalësoja. Në mesnatë, takova një pjesëtar të fisit beni gifar dhe e pyeta: “Ku e ke lënë të Dërguarin e Allahut ﷺ?”

Ai tha: “E kam lënë në Tahin, e në mesditë do të pushojë në Sukja.” Kështu, iu vura pas të Dërguarit të Allahut ﷺ, derisa e arrita dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, shokët e tu më dërguan dhe po të përshëndesin me selam, mëshirë e bekim prej Allahut, për të të informuar se po frikësohen mos po i ndan armiku prej teje, kështu që priti.” Ashtu veproi. Dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, kemi gjuajtur një zebër dhe na ka mbetur diçka prej saj?” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u tha sahabëve: “Hani!”, ndërkohë ishin në ihram.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1822

Fjalë të panjohura?