28. Shpagimi për gjahun gjatë ihramit
1. Nënkapitulli: Ajeti: “... Mos gjahtoni, duke qenë në Ihram! Kushdo që e vret gjahun me paramendim, për shpagim duhet të therë si kurban në Qabe, një kafshë shtëpiake të ngjashme me kafshën e gjuajtur, sipas vlerësimit të dy njerëzve të drejtë midis jush; ose të ushqejë disa të varfër për të larë gjynahun; ose të agjërojë në atë masë, që ta ndiejë ndëshkimin për gjynahun e bërë. Allahu e fal atë që ka kaluar (para ndalimit). Ndërsa atë që vepron pas ndalimit, Allahu do ta ndëshkojë. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim. Ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim nga deti është për t’u kënaqur ju dhe udhëtarët, por ju është ndaluar gjuetia e tokës, derisa të gjendeni në Ihram. Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të tuboheni!"
2. Nënkapitulli: A i lejohet atij që është me ihram të hajë nga gjahu që e ka gjuajtur dhe nga gjahu që ia dhuron ai që nuk është në ihram?
Ibn Abasi dhe Enesi e lejonin therjen kur kjo nuk ishte gjah, sikurse devetë, delet, lopët, pulat dhe kuajt.
1821. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahjai se Abdullah ibn Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Vitin e Hudejbijes babai im u nis për në Mekë. Të gjithë shokët e tij hynë në ihram, përveç babait tim. Atëkohë, Pejgamberin ﷺ e lajmëruan se një armik do ta sulmojë në Gajka, por ai vazhdoi rrugën tutje.”
Babai im tregon: “Teksa isha me sahabët, që qeshnin me njëri-tjetrin, pashë një zebër. Sakaq, e sulmova, e godita dhe e vrava. U kërkova të më ndihmonin, por nuk më ndihmuan. Pasi hëngrëm mishin e gjahut, filluam të frikësoheshim se mos po mbesnim shumë mbrapa, andaj fillova ta kërkoja Pejgamberin ﷺ. Gjatë rrugës, herë e shpejtoja kalin, herë e ngadalësoja. Në mesnatë takova një pjesëtar të fisit benu gifar dhe i thashë: “Ku e ke lënë Pejgamberin ﷺ?”
Ai tha: “E kam lënë në Tahin, ndërsa gjatë ditës do të pushojë në Sukja.” Kështu, (kur arrita atje) i thashë: “O i Dërguari i Allahut, shokët e tu po të përshëndesin me selam dhe mëshirën e Allahut. Ata kanë frikë se mos armiku po i ndan prej teje, andaj priti.” Dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, e kam gjuajtur një zebër dhe më ka mbetur ca mish i saj. Ai u tha të pranishmëve: “Hani!”, edhe pse ishin në ihramë.”
3. Nënkapitulli: Kur muhrimët e shohin gjahun dhe qeshen, ndërsa ai që nuk është në ihram e heton (praninë e tij)
1822. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Seid ibn Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Ali ibn Mubareku, e ky nga Jahjai, e ky nga Abdullah ibn Ebu Katadja se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në vitin e Hudejbijes u nisëm me Pejgamberin ﷺ (për në Mekë). Shokët e tij hynë në ihram, kurse unë jo. Na lajmëruan se një armik ishte në Gajka, andaj u nisëm në drejtim të tyre. Shokët e mi panë një zebër dhe filluan të qeshnin me njëri-tjetrin. Kur shikova, e pashë dhe iu vërsula me kalë, e godita dhe e vrava. U kërkova të më ndihmonin, por nuk më ndihmuan. Pasi hëngrëm mish, dola në kërkim të të Dërguarit të Allahut ﷺ, sepse u frikësuam mos po mbesim mbrapa (larg tij). Herë e shpejtoja kalin, herë e ngadalësoja. Në mesnatë, takova një pjesëtar të fisit beni gifar dhe e pyeta: “Ku e ke lënë të Dërguarin e Allahut ﷺ?”
Ai tha: “E kam lënë në Tahin, e në mesditë do të pushojë në Sukja.” Kështu, iu vura pas të Dërguarit të Allahut ﷺ, derisa e arrita dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, shokët e tu më dërguan dhe po të përshëndesin me selam, mëshirë e bekim prej Allahut, për të të informuar se po frikësohen mos po i ndan armiku prej teje, kështu që priti.” Ashtu veproi. Dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, kemi gjuajtur një zebër dhe na ka mbetur diçka prej saj?” Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u tha sahabëve: “Hani!”, ndërkohë ishin në ihram.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1822
Fjalë të panjohura?
4. Nënkapitulli: Muhrimi nuk i ndihmon atij që nuk është në ihram në vrasjen e gjahut
1823. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Salih ibn Kejsani, e ky nga Ebu Muhamed Nafiu, i çrobëruari i Ebu Katades, e ky e ka dëgjuar Ebu Kataden duke thënë: Ishim me Pejgamberin ﷺ në Kaha, larg nga Medina tri... [t]: Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Salih ibn Kejsani, e ky nga Ebu Muhamedi se Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ ishim në Kaha, disa në ihram, disa jo. Vërejta se shokët e mi po shikonin diçka dhe ja, një zebër, - teksa isha i hipur në kalë, kamxhiku më ra nga dora, - e ata më thanë: “Nuk të ndihmojmë asgjë kundër saj, sepse jemi në ihram!” U zgjata dhe e mora kamxhikun, pastaj shkova te zebra, mbrapa një kodre dhe e thera. Ua solla shokëve, por disa thanë: “Hani!, ndërsa disa të tjerë thanë: “Mos hani!” Kështu, vajta te Pejgamberi ﷺ, i cili tashmë ishte para nesh dhe e pyeta, e në atë rast më tha: “Hajeni, sepse është e lejuar.”
Amri na ka thënë: “Shkoni dhe pyeteni Salihun për këtë dhe për çështje të tjera: “Na ka kaluar këndej.”
5. Nënkapitulli: Muhrimit nuk i lejohet që t'i bëjë me shenjë drejt gjahut atij që është pa ihramë, në mënyrë që ta gjuajë
1824. Nga: Ebu Katade Sulemiu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e këtij i ka treguar Othmani, e ky është vetë Ibn Mevhebi, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Ebu Katadja se babai i tij Ebu Katadja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ u nis për në haxh, iu bashkëngjitën edhe shokët e tij. Njërin grup të tyre, në mesin e të cilëve ishte edhe Ebu Katadja, e drejtoi duke i thënë: “Shkoni rrugës së bregdetit, derisa të takohemi.” Kështu, ata zgjodhën rrugën e bregdetit.
Kur u nisën, të gjithë hynë në ihram, përveç Ebu Katades. Gjatë rrugës panë disa zebra, të cilave Ebu Katadja iu vërsul dhe theri një prej tyre. U ndalën për të ngrënë mishin e gjahut, ndërkohë thanë: “Si po hamë mish gjahu, kur jemi në ihram?!” Sakaq, e morën pjesën e mbetur të mishit të zebrës dhe, me të vajtur tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne hymë në ihram, përveç Ebu Katades, që nuk hyri. (Gjatë rrugës) pamë disa zebra, të cilave Ebu Katadja iu vërsul dhe theri një prej tyre.” U ndalëm dhe hëngrëm nga mishi i saj, pastaj thamë: “Si po hamë mish gjahu, kur jemi në ihram?!” Prandaj, e morëm pjesën e mbetur të mishit me vete. Ai tha:
- “Vallë, mos ndokush prej jush e ka urdhëruar që ta gjuajë ose i ka bërë me shenjë drejt saj?”
- Jo, - i thanë.
- “Hajeni pjesën e mbetur të mishit pra”, - tha ai.
6. Nënkapitulli: Nëse muhrimit i dhurohet ndonjë zebër e gjallë, nuk e pranon atë
1825. Nga: Sab ibn Xhethame Lejthiu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi, e ky nga Abdullah ibn Abasi se Sab ibn Xhethame Lejthiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se të Dërguarit të Allahut ﷺ i dhuroi një zebër duke qenë në Ebva, - ose ka thënë: Vedan, - por ai e refuzoi. Kur e pa reagimin në fytyrën e tij, i tha: “Nuk ta refuzuam për diçka tjetër, por vetëm pse jemi në ihram.”
7. Nënkapitulli: Cilat kafshë i lejohen muhrimit që t'i mbysë?
1826. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Muhrimi nuk ka mëkat për mbytjen e pesë llojeve të kafshëve.”
Abdullah ibn Dinari transmeton nga Abdullah ibn Omeri se Pejgamberi ﷺ ka thënë.
1827. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Zejd ibn Xhubejri se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Njëra prej grave të Pejgamberit ﷺ më ka rrëfyer se ai ka thënë: “Muhrimit i lejohet t'i mbysë...” (dhe përmendi disa emra kafshësh).
Referenca: Sahihu i Buhariut 1827
Fjalë të panjohura?
1828. Nga: Hafsa bint Omeri
Esbegu na ka thënë: Më ka rrëfyer Abdullah ibn Vehbiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salimi, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Omeri se Hafsa (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ka mëkat për mbytjen e këtyre pesë llojeve të kafshëve:
1. Korbit,
2. Qiftit,
3. Miut,
4. Akrepit dhe
5. Qenit sulmues.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1828
Fjalë të panjohura?
1829. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pesë lloje kafshësh janë të dëmshme, ndaj mund të vriten edhe në Harem:
1. Korbi,
2. Qifti,
3. Akrepi,
4. Miu dhe
5. Qeni sulmues.”
1830. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa ishim me Pejgamberin ﷺ në një shpellë në Mina, iu shpall surja Murselat. Ai e lexonte, unë e mësoja nga goja e tij, e gojën ende e kishte të njomë prej leximit të saj. Kur ja, na doli një gjarpër, e në atë rast Pejgamberi ﷺ thirri: “Vriteni!” Ne iu vërsulëm, por ai iku, atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “I shpëtoi së keqes suaj sikurse ju që i shpëtuat së keqes së tij.”
1831. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka quajtur zhapiun “dëmtues”, por nuk e kam dëgjuar duke urdhëruar vrasjen e tij.
8. Nënkapitulli: Pemët e Haremit nuk priten
Ibn Abasi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gjembat e tij nuk priten.”
1832. Nga: Ebu Shurejh Adeviu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Seid ibn Ebu Seid Makburi se Ebu Shurejh Adeviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha Amër ibn Seidit, i cili po i dërgonte forcat ushtarake për në Mekë: “Më lejo, o prijës, të të them ca fjalë, të cilat i ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ një ditë pas Çlirimit të Mekës, fjalë të cilat i kam dëgjuar me veshët e mi, i kam ruajtur në zemrën time dhe e kam parë me sytë e mi (Pejgamberin ﷺ) kur i ka thënë. Ai, fillimisht, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Mekën e ka shenjtëruar Allahu, e jo njerëzit. Andaj, nuk i lejohet askujt që beson Allahun dhe Ditën e Kiametit të derdhë gjak në të e as t'i presë ose t'i shkulë pemët e saj. Nëse dikush arsyetohet me luftën e të Dërguarit të Allahut ﷺ në të, thoni: “Allahu ia ka lejuar vetëm të Dërguarit të Vet ﷺ, e jo juve.” Mua më është lejuar lufta brenda saj vetëm në një pjesë të ditës, ndërsa sot sërish i është kthyer shenjtëria (ndalesa), siç ka qenë dje. Andaj, të pranishmit le t'i lajmërojnë ata që mungojnë.”
Dikush e pyeti Ebu Shurejhun: “Çka të tha Amri?”
Më tha: “Unë e di më mirë se ti këtë çështje, o Ebu Shurejh. Meka nuk e mbron mëkatarin, gjakatarin e hajdutin.”
9. Nënkapitulli: Nuk trazohet gjahu i Haremit
1833. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e ka shenjtëruar Mekën. Andaj, (lufta në të) nuk i është lejuar askujt, as para meje, as pas meje. Ndërkaq, mua më është lejuar vetëm në një pjesë të ditës. Nuk lejohet as shkulja e barishteve, as dëmtimi i pemëve, as trazimi i gjahut, si dhe marrja e gjërave të humbura në rrugët e saj, përveç nëse ka për qëllim ta shpallë ndër njerëz.” Abasi tha:
- Përveç idhhirit, o i Dërguari i Allahut, se na duhet për ndërtim dhe për varret tona?
- “Përveç idhhirit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Halidi tregon se Ikrime ka thënë: “A e di çka do të thotë: “Nuk trazohet gjahu i tij”? Ta trembësh nga hija, në mënyrë që të shkojë atje ku lejohet ta gjuash.”
10. Nënkapitulli: Nuk lejohet lufta në Mekë
Ebu Shurejhu transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: "Nuk derdhet gjaku në të..."
1834. Nga: Abdullah ibn Abasi
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ, ditën kur e çliroi Mekën, tha: “Më nuk ka hixhret, por ka xhihad dhe nijet. Kur të ftoheni (nga prijësi i muslimanëve) për luftë, përgjigjjuni. Këtë vend Allahu e ka bërë të shenjtë ditën kur i ka krijuar qiejt dhe Tokën, e ai, me shenjtërinë e Allahut, është i shenjtë deri në Ditën e Kiametit. Andaj, lufta në të nuk i është lejuar askujt, as para meje, as pas meje. Ndërkaq, mua më është lejuar vetëm në një pjesë të ditës. Ai është i shenjtë me shenjtërinë e Allahut deri në Ditën e Kiametit. Nuk lejohet as shkulja e gjembave, as trazimi i gjahut (gjuetia), as merret gjëja e humbur, përveç nëse shpallet ndër njerëz, si dhe nuk priten barishtet e tij.”
- Përveç idhhirit, o i Dërguari i Allahut, se ai përdoret nga farkëtarët dhe për shtëpitë? - pyeti Abasi.
- “Përveç idhhirit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
11. Nënkapitulli: Hixhamja (mjekimi me kupa) për muhrimin
Ibn Omeri e ka mjekuar me hekur të skuqur të birin e tij që ishte në ihram. Mjekohet (me çdo gjë), përderisa nuk ka parfum në to.
1835. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri se gjëja e parë që ka dëgjuar prej Atait është se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e ka bërë hixhamen duke qenë në ihram.
Pastaj e kam dëgjuar duke thënë: “Më ka treguar Tavusi nga Ibn Abasi, ndaj thashë: “Ndoshta e ka dëgjuar këtë hadith prej të dyve.”
1836. Nga: Abdullah ibn Buhajne
Halid ibn Mahledi na ka thënë: Na ka treguar Sulejman ibn Bilali, e ky nga Alkame ibn Ebu Alkame, e ky nga Abdurrahman Arexhi se Ibn Buhajne (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ e ka bërë hixhamen në mes të kokës, duke qenë në ihram, në vendin e quajtur Lehji Xhemel.”
12. Nënkapitulli: Martesa e muhrimit
1837. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Mugire Abdulkudus ibn Haxhaxhi na ka thënë: Na ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Ata ibn Ebu Rebahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ është martuar me Mejmunen duke qenë në ihram.”
13. Nënkapitulli: Parfumet që ndalohen për muhrimin dhe muhrimen
Aishja ka thënë: "Ajo që është në ihram, nuk vesh rroba të parfumosura."
1838. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jezidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Një njeri u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, çfarë rrobash na urdhëron të veshim në ihram?”
Pejgamberi ﷺ i tha: “Mos vishni këmishë, as shallvare, as çallmë, as pardesy, e, nëse ndokush nuk ka sandale, atëherë le të mbathë meste, por le t'i shkurtojë nën nyja. Mos vishni rrobë të parfumuar. Gruaja që është në ihram, të mos veshë perçe e as dorëza.”
Këtë transmetim e fuqizojnë Musa ibn Ukbe, Ismail ibn Ibrahim ibn Ukbe, Xhuvejriu dhe Ibn Is'haku, në lidhje me perçen dhe dorezat. Ndërkaq, Ubejdullahu thotë: “As rroba të parfumuara"; po ashtu thoshte: “Gruaja që është në ihram të mos veshë perçe, e të mos veshë dorëza.” Maliku transmeton nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri: “Gruaja që është në ihram të mos veshë perçe.” Transmetimin e Malikut e fuqizon Lejth ibn Ebu Sulejmi.
1839. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Hakemi, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një njeriu, duke qenë në ihram, deveja e vet ia theu qafën dhe e mbyti. Kur e sollën tek i Dërguari i Allahut ﷺ, tha: “Pastrojeni dhe qefinoseni, por mos ia mbuloni kokën e mos e parfumoni, sepse do të ringjallet duke kënduar telbijen.”
14. Nënkapitulli: Pastrimi i muhrimit
Ibn Abasi ka thënë: "Muhrimit i lejohet të hyjë në banjë. Ibn Omeri dhe Aishja të kruarit (gjatë ihramit) e kanë konsideruar të lejuar."
1840. Nga: Ebu Ejub Ensariu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ibrahim ibn Abdullah ibn Hunejni se Abdullah ibn Hunejni tregon se Abdullah ibn Abasi dhe Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me ata), duke qenë në Ebva, patën një mospajtim. Abdullah ibn Abasi thoshte: “Muhrimit i lejohet larja e kokës, kurse Misveri thoshte: “Muhrimi nuk e lan kokën.”
Ibn Abasi më dërgoi tek Ebu Ejub Ensariu, të cilin e gjeta duke u pastruar mes dy shtyllash, tek fshihej mbrapa një rrobe. I dhashë selam, e ai pyeti: “Kush është?”
- Abdullah ibn Hunejni, - i thashë. - Më ka dërguar Abdullah ibn Abasi, të të pyes se si i Dërguari i Allahut ﷺ e pastronte kokën duke qenë në ihram.
Ebu Ejubi e vendosi dorën mbi rrobë dhe e uli, aq sa ia pashë kokën, pastaj, atij që i hidhte ujë, i tha: “Hidh!” Ai i hodhi ujë në kokë, të cilën e fërkoi me dy duart, para e mbrapa dhe tha: “Kështu e kam parë Pejgamberin ﷺ duke vepruar.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1840
Fjalë të panjohura?
15. Nënkapitulli: Muhrimi mbath meste, nëse nuk gjen sandale
1841. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Amër ibn Dinari, e ky e ka dëgjuar Xhabir ibn Zejdin se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke ligjëruar në Arafat: “Ai që nuk gjen sandale, le të mbathë meste dhe ai që nuk gjen izar, le të veshë shallvare.” Kjo vlen për muhrimin.”
1842. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e ky nga Salimi se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u pyet: “Çfarë rrobash vesh muhrimi?”
Pejgamberi ﷺ tha: “Nuk vesh këmishë, as çallmë, as shallvare, as pardesy e as rrobë të parfumuar. Nëse nuk gjen sandale, atëherë le të mbathë meste, por le t'i shkurtojë sa të jenë nën nyja.”
16. Nënkapitulli: Nëse nuk gjen izar, le të veshë shallvare
1843. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Amër ibn Dinari, e ky nga Xhabir ibn Zejdi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ na ligjëroi në Arafat, e në atë rast tha: “Ai që nuk gjen izar, le të veshë shallvare. Ai që nuk gjen sandale, le të mbathë meste.”
17. Nënkapitulli: Muhrimit i lejohet të mbajë armë
Ikrime ka thënë: "Nëse frikësohet prej armikut, mban armë dhe jep kompensim për këtë. Askush nuk e ka pasuar Ikrimen në mendimin e tij për dhënie të kompensimit."
1844. Nga: Bera ibn Azibi
Ubejdullahu na ka transmetuar nga Israili, e ky nga Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ bëri umre në muajin dhul kade, por banorët e Mekës i refuzuan hyrjen në Mekë, derisa bëri marrëveshje me ta: “Që të mos fusë armë në Mekë, përveç atyre që janë në këllëf.”
18. Nënkapitulli: Hyrja në harem dhe Mekë pa ihram
Ibn Omeri ka hyrë (në Mekë pa ihram), ndërsa Pejgamberi ﷺ e ka obliguar ihramin për atë që dëshiron të kryejë haxhin dhe umrën. Ndërkaq, furnizuesit e druve dhe të tjerët nuk i ka përmendur.
1845. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ua ka caktuar banorëve të Medinës Dhul Hulejfën për mikat, banorëve të Nexhdit Karnul Menazilin dhe banorëve të Jemenit Jelemlemin. Këto pikënisje janë si për banorët e këtyre krahinave (të përmendura), si për të tjerët që nuk janë banorë, por që kalojnë nëpër to kur venë në haxh dhe umre. Ndërkaq, banorët e vendbanimeve që ndodhen mes këtyre (pikënisjeve dhe Mekës), mikat e kanë vendndodhjen e vet. Madje, edhe banorët e Mekës nisen prej Mekës.”
1846. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ në vitin e Çlirimit hyri (në Mekë) me përkrenare në kokë. Kur e hoqi, i erdhi një burrë dhe i tha: “Ibn Hatali është kapur për mbulesën e Qabesë.”
- “Mbyteni”, - tha Pejgamberi ﷺ.
19. Nënkapitulli: Hyrja në ihram me këmishë, pa e ditur (ndalesën)
Atai ka thënë: "Nëse parfumoset ose vesh rrobë pa e ditur (ndalesën), ose nga harresa, nuk ka nevojë për kompensim."
1847. Nga: Jala ibn Umeje
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Atai, e këtij i ka treguar Safvan ibn Jalai se babai i tij Jala ibn Umeje (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha me të Dërguarin e Allahut ﷺ, i erdhi një burrë i veshur me një xhybe, në të cilën kishte gjurmë të verdhë parfumi ose diçka të ngjashme.”
Omeri më thoshte: “A ke dëshirë ta shohësh Pejgamberin ﷺ teksa i zbret shpallja? Sakaq, filloi t'i zbriste shpallja dhe, pasi përfundoi, iu përgjigj (pyetësit): “Në umrën tënde vepro siç vepron në haxh.”
1848. Nga: Jala ibn Umeje
Jala ibn Umeje (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë e kafshoi dorën e një tjetri dhe (pasi tjetri e tërhoqi dorën) ia nxori dhëmbin e përparmë, andaj Pejgamberi ﷺ hodhi poshtë shpagimin.
20. Nënkapitulli: Nëse muhrimi vdes në Arafat, Pejgamberi ﷺ nuk ka urdhëruar që të plotësohet pjesa e mbetur e haxhit të tij
1849. Nga: Abdullah ibn Abasi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Amër ibn Dinari, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa një njeri qëndronte me Pejgamberin ﷺ në Arafat, u rrëzua nga deveja, e cila ia theu qafën (vdiq). Pejgamberi ﷺ tha: “Pastrojeni me ujë e sidër dhe qefinoseni në dy rrobat e tij. Mos e parfumoni dhe mos ia mbuloni kokën, sepse Ditën e Kiametit Allahu do ta ringjallë duke kënduar telbijen.”
1850. Nga: Abdullah ibn Abasi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ejubi, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa një njeri qëndronte me Pejgamberin ﷺ në Arafat, hipur në kafshë, u rrëzua dhe ia theu qafën (e ai vdiq). Pejgamberi ﷺ tha: “Pastrojeni me ujë e sidër dhe qefinoseni në dy rroba. Mos e parfumoni, mos ia mbuloni kokën e mos i vendosni hanut, sepse Ditën e Kiametit Allahu do ta ringjallë duke kënduar telbijen.”
21. Nënkapitulli: Sunetet që veprohen me rastin e vdekjes së muhrimit
1851. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hushejmi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa një njeri i veshur me ihram qëndronte me Pejgamberin ﷺ (në Arafat), deveja e tij e rrëzoi e ia theu qafën, andaj dhe vdiq.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Pastrojeni me ujë e sidër dhe qefinoseni me dy rrobat e tij. Mos e parfumoni dhe mos ia mbuloni kokën, sepse Ditën e Kiametit ai do të ringjallet duke kënduar telbijen.”
22. Nënkapitulli: Haxhi e zotimi për të vdekurin, si dhe mashkulli kryen haxhin për femrën
1852. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ebu Bishri, e ky nga Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një grua e fisit xhuhejne erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe tha: “Nëna ime është zotuar se do ta kryejë haxhin, por ka vdekur pa e bërë. A të bëj haxh për të?”
Ai i tha: "Po, kryeja haxhin asaj. Çfarë mendon, sikur nëna jote të kishte borxh, a do t'ia paguaje? Kryeni obligimin e Allahut, sepse Allahu është më Meritori për t'i kryer obligimet (ndaj Tij).”
23. Nënkapitulli: Haxhi për atë që nuk mund të qëndrojë në kafshë
1853. Nga: Fadël ibn Abasi
Ebu Asimi na ka transmetuar nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Sulejman ibn Jesari, e ky nga Ibn Abasi se Fadël ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se një grua...; [t]:
Referenca: Sahihu i Buhariut 1853
Fjalë të panjohura?
1854. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Seleme, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e ky nga Sulejman ibn Jesari se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në vitin e haxhit lamtumirës erdhi një grua e fisit hatham dhe pyeti:
- O i Dërguari i Allahut! Haxhi të cilin Allahu ua ka bërë obligim robërve të Tij babanë tim e ka gjetur të thyer në moshë, saqë nuk mund të qëndrojë as mbi shalë. A i llogaritet atij nëse unë e bëj haxhin për të?
- “Po”, - i tha (Pejgamberi ﷺ).
24. Nënkapitulli: Haxhi i femrës për mashkullin
1855. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Sulejman ibn Jesari se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Fadli u ul mbrapa (në kafshë udhëtimi) së bashku me Pejgamberin ﷺ, kur një grua nga fisi hatham kaloi pranë, e në atë rast filluan të shikonin njëri-tjetrin.” Pejgamberi ﷺ mundohej t'ia kthente kokën Fadlit në anën tjetër, kur gruaja pyeti:
- Obligimi i haxhit prej Allahut babanë tim e ka gjetur të shtyrë në moshë, saqë nuk mund të qëndrojë as mbi shalë (të devesë). A mund ta kryej unë haxhin për të?
- “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kjo ka ndodhur në Haxhin Lamtumirës.
25. Nënkapitulli: Haxhi i fëmijëve
1856. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Jezidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Natën Pejgamberi ﷺ më ka dërguar, - ose ka thënë: më ka nisur, - me plaçkat (e haxhilerëve) nga Muzdelifja.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1856
Fjalë të panjohura?
1857. Nga: Abdullah ibn Abasi
Is'haku na ka thënë: Na ka rrëfyer Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar i biri i vëllait të Ibn Shihabit, e ky nga xhaxhai i vet (Ibn Shihabi), e këtij i ka rrëfyer Ubejdullah ibn Abdullah ibn Utbe ibn Mesudi se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ po falej në Mina, shkova hipur mbi gomaricën time, ndërkohë sapo kisha arritur moshën e pubertetit. Kalova përpara një pjese të safit të parë, pastaj zbrita e ajo filloi të kullotë, kurse unë iu bashkëngjita safit me njerëzit që ishin prapa të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
Junusi transmeton nga Ibn Shihabi: “Në Mina, në Haxhin Lamtumirës.”
1858. Nga: Saib ibn Jezidi
Abdurrahman ibn Junusi na ka thënë: Na ka treguar Hatim ibn Ismaili, e ky nga Muhamed ibn Jusufi se Saib ibn Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Më kanë marrë në haxh me të Dërguarin e Allahut ﷺ kur kam qenë shtatëvjeçar.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1858
Fjalë të panjohura?
1859. Nga: Saib ibn Jezidi
Amër ibn Zurara na ka thënë: Na ka rrëfyer Kasim ibn Maliku, e ky nga Xhuejd ibn Abdurrahmani se Omer ibn Abdulazizi e pyeti diçka Saib ibn Jezidin (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), të cilin e morën në haxh me plaçkat e Pejgamberit ﷺ (me të dobëtit, prej Muzdelifes për në Mina).
26. Nënkapitulli: Haxhi i grave
1860. Nga: Omer ibn Hatabi
Ahmed ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga babai i tij se gjyshi i tij Ibrahim ibn Abdurrahman ibn Aufi tregon se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i lejoi gratë e Pejgamberit ﷺ (të venin në haxh) në haxhin e fundit të tij. Atyre ua dërgoi (si kujdestarë) Othman ibn Afanin dhe Abdurrahman ibn Aufin.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1860
Fjalë të panjohura?
1861. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Habib ibn Ebu Amra, e këtij i ka treguar Aishe bint Talhai se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, përse të mos marrim pjesë edhe ne nëpër beteja e të luftojmë së bashku me ju?” Ai iu përgjigj: “Xhihadi më i mirë dhe më i bukur për ju është haxhi, haxhi i pranuar.”
Aishja tha: “Andaj, asnjëherë nuk e lë haxhin, që kur e kam dëgjuar këtë nga i Dërguari i Allahut ﷺ.”
1862. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Amri, e ky nga Ebu Mabedi, i çrobëruari i Ibn Abasit, se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Femra të mos udhëtojë, vetëm se me mahremin e saj, e as të mos hyjë tek ajo asnjë mashkull, përveç se në prani të mahremit të saj!” Një njeri tha: “O i Dërguari i Allahut, unë dua t'i bashkohem filan ushtrisë, porse gruaja ime dëshiron të kryejë haxhin?” Ai i tha: “Shko me të (në haxh).”
1863. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Jezid ibn Zureji, e këtij i ka rrëfyer Habib Mualimi, e ky nga Atai se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur Pejgamberi ﷺ u kthye prej haxhit, i tha Umu Sinan Ensares: “Ç'të pengoi për ta kryer haxhin?” Ajo iu përgjigj: “Ebu filani, pra, burri i saj.” Kishte dy deve: me njërën bëri haxhin, ndërsa me tjetrën ujit tokën tonë. Pejgamberi ﷺ i tha: “Umra në Ramazan konsiderohet si haxhi (i kryer) me mua.”
Ibn Xhurejxhi e transmeton nga Atai duke thënë: “E kam dëgjuar Ibn Abasin duke e treguar nga Pejgamberi ﷺ.”
1864. Nga: Ebu Seid Hudriu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Abdulmelik ibn Umejri se Kazai, i çrobëruari i Zijadit, tregon se Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), i cili kishte marrë pjesë me Pejgamberin ﷺ në dymbëdhjetë beteja, ka thënë: “Katër gjëra i kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ, - ose ka thënë: i tregonte nga Pejgamberi ﷺ, - të cilat më kanë pëlqyer dhe më kanë mahnitur:
1. “Femra të mos udhëtojë në largësi prej dy ditësh pa burrin ose pa mahremin e saj;
2. Të mos agjërohen dy ditë: dita e Bajramit të Fitrit dhe ajo e Kurbanit;
3. Nuk ka namaz (vullnetar) pas dy namazeve: pas namazit të ikindisë, derisa të perëndojë dielli dhe pas namazit të sabahut, derisa të lindë dielli;
4. Si dhe të mos merret udhëtim (me qëllim madhërimin e një vendi), përveç në tri xhamitë: Xhaminë e Qabesë, xhaminë time dhe Xhaminë Aksa.”
27. Nënkapitulli: Ai që zotohet se do të ecë në këmbë deri në Qabe
1865. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Fezariu, e ky nga Humejd Tavili, e këtij i ka treguar Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ pa një të moshuar, të cilin dy djemtë e tij e mbanin për krahësh, e në atë rast tha: “Ç'është puna e tij?” Ata thanë: “Është zotuar se do të ecë (deri në Qabe).” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu nuk ka nevojë për torturën që ky ia bën vetes.” Kështu, e urdhëroi të hipë në kafshë.
1866. Nga: Ukbe ibn Amir Xhuheniu
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Ebu Ejubi, e ky nga Jezid ibn Ebu Habibi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Hajri se Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Motra ime u zotua se do të ecë deri në Qabe dhe më urdhëroi ta pyesja Pejgamberin ﷺ për këtë. Kur e pyeta, ai më tha: “Le të ecë dhe le të hipë.”
Buhariu ka thënë: “Ebu Hajri nuk i ndahej Ukbes.” Ebu Abdullahu (Buhariu) po ashtu thotë: “Na ka treguar Ebu Asimi nga Ibn Xhurejxhi, e ky nga Jahja ibn Ejubi, e ky nga Jezidi, e ky nga Ebu Hajri, e ky nga Ukbe; pastaj përmendi hadithin.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1866
Fjalë të panjohura?