Sahihu i Buhariut — Hadithi 1832

8. Nënkapitulli: Pemët e Haremit nuk priten

Ibn Abasi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gjembat e tij nuk priten.”

1832. Nga: Ebu Shurejh Adeviu

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Seid ibn Ebu Seid Makburi se Ebu Shurejh Adeviu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha Amër ibn Seidit, i cili po i dërgonte forcat ushtarake për në Mekë: “Më lejo, o prijës, të të them ca fjalë, të cilat i ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ një ditë pas Çlirimit të Mekës, fjalë të cilat i kam dëgjuar me veshët e mi, i kam ruajtur në zemrën time dhe e kam parë me sytë e mi (Pejgamberin ﷺ) kur i ka thënë. Ai, fillimisht, e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun, pastaj tha: “Mekën e ka shenjtëruar Allahu, e jo njerëzit. Andaj, nuk i lejohet askujt që beson Allahun dhe Ditën e Kiametit të derdhë gjak në të e as t'i presë ose t'i shkulë pemët e saj. Nëse dikush arsyetohet me luftën e të Dërguarit të Allahut ﷺ në të, thoni: “Allahu ia ka lejuar vetëm të Dërguarit të Vet ﷺ, e jo juve.” Mua më është lejuar lufta brenda saj vetëm në një pjesë të ditës, ndërsa sot sërish i është kthyer shenjtëria (ndalesa), siç ka qenë dje. Andaj, të pranishmit le t'i lajmërojnë ata që mungojnë.”

Dikush e pyeti Ebu Shurejhun: “Çka të tha Amri?”

Më tha: “Unë e di më mirë se ti këtë çështje, o Ebu Shurejh. Meka nuk e mbron mëkatarin, gjakatarin e hajdutin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1832

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?