Sahihu i Buhariut — Hadithi 1925
22. Nënkapitulli: Nëse agjëruesi gdhihet xhunub (i papastër)
1925. Nga: Aishe bint Ebu Bekri - Umu Seleme
1925 - 1926 - Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Sumeji, i çrobëruari i Ebu Bekër ibn Abdurrahman ibn Harith ibn Hisham ibn Mugires, e ky e ka dëgjuar Ebu Bekër ibn Abdurrahmanin të ketë thënë: Kam qenë me babanë tim kur kemi hyrë tek Aishja dhe Umu Seleme. [t]: Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Abdurrahman ibn Harith ibn Hishami se babai i tij Abdurrahman ibn Harithi i ka treguar Mervanit se Aishja dhe Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me to!) i rrëfyen se ndodhte që të Dërguarin e Allahut ﷺ ta zinte sabahu duke qenë xhunub për shkak të marrëdhënieve me gratë e tij, pastaj lahej dhe agjëronte.
Mervani i tha Abdurrahman ibn Harithit: “Të përbej në Allahun që këtë t'ia tregosh Ebu Hurejrës. Atëkohë Mervani ishte emir i Medinës.”
Ebu Bekër ibn Abdurrahmani thotë: “Abdurrahmanit nuk i pëlqente kjo. Dikur, me caktimin e Allahut, u takuam në Dhul Hulejfe, ku Ebu Hurejra kishte një tokë.” Abdurrahmani i tha Ebu Hurejrës: “Do të të them një gjë, por, sikur të mos ishte betimi i Mervanit, nuk do të ta përmendja, - dhe ia citoi fjalën e Aishes e të Umu Selemes.” Ebu Hurejra tha: “Kështu më ka treguar Fadël ibn Abasi, por ato e dinë më mirë.”
Hemami dhe Ibn Abdullah ibn Omeri transmetojnë nga Ebu Hurejra se ka thënë: “Pejgamberi ﷺ urdhëronte që të mos agjëronte (ai që e zinte sabahu duke qenë xhunub).”
Imam Buhariu thotë: “Hadithi i parë është më i fortë.”