Sahihu i Buhariut — Hadithi 1930
25. Nënkapitulli: Larja e agjëruesit
Ibn Omeri e lagte rrobën dhe pastaj mbulohej me të duke qenë agjërueshëm. Shabiu ka hyrë në hamam duke qenë agjërueshëm. Ibn Abasi ka thënë: "Lejohet kërkimi (shijimi) i ushqimit nga tenxherja ose diçka tjetër (me gjuhë)." Haseni ka thënë: "Lejohet shpëlarja e gojës dhe freskimi për agjëruesin." Ibn Mesudi ka thënë: "Kur dikush prej jush agjëron, le të gdhihet me flokë të vajosur dhe të krehur." Enesi ka thënë: "Unë kam një pellg me ujë në të cilin hyj duke qenë agjërueshëm. Përmendet se Pejgamberi ﷺ ka pastruar dhëmbët me misvak duke qenë agjërueshëm." Ibn Omeri ka thënë: "Agjëruesi i pastron dhëmbët me misvak edhe në fillim të ditës, edhe në fund të saj, por nuk e gëlltit pështymën." Atai ka thënë: "Nëse e gëlltit pështymën, nuk them se e prish agjërimin." Ibn Sirini ka thënë: "Lejohet të përdoret misvaku i njomë." I thanë: "Ai ka shije." Ai tha: "Edhe uji ka shije, e ti e shpëlan gojën me të. Enesi, Haseni dhe Ibrahimi e lejonin kuhlin për agjëruesin."
1930. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve dhe Ebu Bekri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ndonjëherë Pejgamberin ﷺ e zinte sabahu në Ramazan duke qenë xhunub (nga marrëdhëniet intime e) jo nga ëndrrat, pastaj pastrohej dhe agjëronte.”