Sahihu i Buhariut — Hadithi 1934
27. Nënkapitulli: Misvaku i njomë dhe i thatë për agjëruesin
Tregohet se Amir ibn Rebia ka thënë: "E kam parë Pejgamberin ﷺ duke pastruar dhëmbët me misvak duke qenë agjërueshëm, aq shumë, sa nuk mund t'i llogaris e as t'i numëroj." Ebu Hurejra tregon se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos frikohesha se do ta ngarkoja umetin tim, do t’i urdhëroja t’i pastronin dhëmbët për çdo abdes.” Ngjashëm transmeton Xhabiri dhe Zejd ibn Halidi nga Pejgamberi ﷺ se nuk e ka veçuar agjëruesin nga joagjëruesi. Aishja transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Misvaku është pastrim për gojën dhe kënaqësi për Zotin.” Atai dhe Katadja kanë thënë: "Bën ta gëlltisë pështymën."
1934. Nga: Othman ibn Afani
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e këtij i ka treguar Zuhriu, e ky nga Ata ibn Jezidi se Humrani ka thënë: “E kam parë Othmanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) duke marrë abdes: fillimisht i lau duart tri herë, pastaj shpëlau gojën e hundën dhe e lau fytyrën tri herë. Lau dorën e djathtë deri në bërryl tri herë, pastaj edhe të majtën deri në bërryl tri herë. I dha mes'h kokës, pastaj lau këmbën e djathtë tri herë dhe të majtën tri herë.” Në fund tha: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke marrë abdes siç mora abdes unë, e pastaj ka thënë: “Atij që merr abdes në këtë formë dhe i fal dy rekate, pa u shpërqendruar, i falen mëkatet e së kaluarës.”