Sahihu i Buhariut — Hadithi 1937
31. Nënkapitulli: Atij që bën marrëdhënie intime në Ramazan, a i lejohet që ta ushqejë familjen e vet prej shpagimit, nëse ata janë nevojtarë?
1937. Nga: Ebu Hurejra
Othman ibn Ebu Shejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Zuhriu, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një njeri erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe tha: “Ky i fundit (aludonte në vetveten) ka bërë marrëdhënie intime me gruan e vet në Ramazan.” Pejgamberi ﷺ i tha:
- “A ke me çfarë të lirosh një rob?”
- Jo, - tha ai.
- “A mund të agjërosh dy muaj rresht?”
- Jo.
- “A ke mundësi të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?”
- Jo.
Ndërkohë Pejgamberit ﷺ i sollën një shportë me hurma dhe i tha (personit në fjalë): “Ushqe dikë me këtë, si shpagim për ty.”
- Dikë që është më nevojtar se ne?! Mes dy pllajave (të Medinës) nuk ka shtëpi më nevojtare se ne, - tha burri në fjalë.
- “Atëherë ushqeje me të familjen tënde”, - i tha Pejgamberi ﷺ.