Sahihu i Buhariut — Hadithi 1949
39. Nënkapitulli: Ajeti: “... E ata që i rëndon ai (agjërimi, e nuk agjërojnë), janë të obliguar për kompensim...”
Ibn Omeri dhe Seleme ibn Ekvai kanë thënë: "Ajetin e lartpërmendur e ka shfuqizuar ky ajet: “Muaji Ramazan që në të (filloi të) shpallet Kurani, i cili është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju, (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë), që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se ju udhëzoi dhe që të falënderoni.” (Bekare, 185) Ibn Numejri ka thënë: "Na ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Amër ibn Murra, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Lejla se: "Shokët e Muhamedit ﷺ na kanë treguar se, kur Ramazani ishte bërë obligim, agjërimi ishte i vështirë për ta. Kështu, ai që kishte mundësi që të ushqente përditë nga një të varfër, nuk agjëronte, edhe pse kishte mundësi (të agjëronte), sepse kjo ishte e lejuar për ta. Por, këtë normë e ka shfuqizuar ajeti: “... e të agjëroni është më mirë për ju...”, (Bekare, 184) e në atë rast janë urdhëruar që të agjërojnë.
1949. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ajashi na ka thënë: Na ka treguar Abdulalai, e këtij i ka treguar Ubejdullahu se Nafiu tregon se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e citoi ajetin: “... kompensim, ushqim i të varfërve...”, e në atë rast tha se është shfuqizuar.