Sahihu i Buhariut — Hadithi 1975
55. Nënkapitulli: Haku i trupit në agjërim
1975. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Evzaiu, e këtij i ka treguar Jahja ibn Ebu Kethiri, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Abdullah ibn Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “O Abdullah, jam informuar se ti agjëron ditën dhe falesh natën. A është e vërtetë?”
- Ashtu është, o i Dërguari i Allahut, - i thashë.
- “Mos vepro ashtu! Agjëro (ndonjëherë) e ha (ndonjëherë), falu (një pjesë të natës) e fli (pjesën tjetër), sepse ndaj trupit tënd ke hak, ndaj syrit tënd ke hak, ndaj gruas sate ke hak dhe ndaj mysafirit tënd ke hak. Të mjafton të agjërosh tri ditë për çdo muaj, sepse për çdo të mirë ke dhjetëfishin e saj, e kështu llogaritet agjërim i tërë vitit”, - më tha.
Abdullahu thoshte: “E shtrëngova, andaj m'u shtrëngua.”
- O i Dërguari i Allahut, po unë kam forcë! - i thashë.
- “E po, praktikoje agjërimin e të dërguarit të Allahut, Davudit ﷺ, e mos shto më shumë”, - tha ai.
- Si ka qenë agjërimi i të dërguarit të Allahut, Davudit ﷺ? - e pyeta.
- “Gjysma e kohës”, - u përgjigj ai.
Pasi Abdullahu u plak, thoshte: “Ah, sikur ta kisha pranuar lehtësimin e Pejgamberit ﷺ!”