Sahihu i Buhariut — Hadithi 2026

1. Nënkapitulli: Itikafi në dhjetëshen e fundit

Itikafi kryhet në të gjitha xhamitë.

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “E, kur të jeni në itikaf në xhami, mos iu afroni atyre (grave, për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e Allahut, pra mos i kundërshtoni. Kështu, pra, Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta, që ata të ruhen (nga mëkatet).” (Bekare, 187)

2026. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, ka thënë: “Pejgamberi ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshen e fundit të Ramazanit, derisa vdiq. Pastaj gratë e tij vazhduan të hyjnë në itikaf.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 2026

Fjalë të panjohura?