Sahihu i Buhariut — Hadithi 2027

1. Nënkapitulli: Itikafi në dhjetëshen e fundit

Itikafi kryhet në të gjitha xhamitë.

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “E, kur të jeni në itikaf në xhami, mos iu afroni atyre (grave, për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e Allahut, pra mos i kundërshtoni. Kështu, pra, Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta, që ata të ruhen (nga mëkatet).” (Bekare, 187)

2027. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Jezid ibn Abdullah ibn Hadi, e ky nga Muhamed ibn Ibrahim ibn Harith Tejmiu, e ky nga Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në itikaf në dhjetëshen e mesme të Ramazanit. Një vit ndenji në itikaf derisa u bë nata e njëzetenjëtë, në mëngjesin e së cilës zakonisht dilte nga itikafi, atëherë tha: “Ai që ka hyrë në itikaf me mua, le ta vazhdojë itikafin edhe në dhjetëshen e fundit. Në ëndërr më është shfaqur kjo natë (Nata e Kadrit), por pastaj m'u largua dituria rreth saj. Kam parë në ëndërr se bëja sexhde mbi ujë dhe baltë në mëngjesin e saj, andaj kërkojeni atë në dhjetëshen e fundit gjatë netëve tek.”

Atë natë filloi të binte shi, ndërsa xhamia ishte e mbuluar me degë të palmës, kështu që uji rridhte brenda. I pashë me sytë e mi gjurmët e ujit dhe baltës në ballin e të Dërguarit të Allahut ﷺ, mu në mëngjesin e natës së njëzetenjëtë.

Referenca: Sahihu i Buhariut 2027

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?