Sahihu i Buhariut — Hadithi 2539
13. Nënkapitulli: Posedimi i robërve arabë dhe dhurimi, shitja e marrëdhëniet intime me robëreshat, si dhe shpagimi e zënia robër lufte e pasardhësve të tyre
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Allahu sjell shembullin e robit, që s’ka mundësi për asgjë dhe që është pronë e të zotit me atë që Ne i kemi dhënë plot begati, prej të cilave jep fshehtazi dhe haptazi. A janë njëlloj? Lavdi i qoftë Allahut! Shumica e tyre nuk dinë.” (Nahl, 75)
2539. Nga: Mervan ibn Hakemi - Misver ibn Mahremi
2540 - Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Më ka rrëfyer Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Urve, se Mervani dhe Misver ibn Mahremi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregojnë se, kur erdhi delegacioni i fisit hevazin, Pejgamberi ﷺ u ngrit në këmbë e ata i kërkuan t'ua kthejë pasuritë dhe robërit e zënë në luftë. Ai u tha: “Ju po shihni kë kam me vete. Unë i dua fjalët e sinqerta, andaj zgjidhni njërën prej këtyre të dyjave: ose pasurinë, ose robërit e luftës. Unë kam pritur se do të vini për ta.”
Pejgamberi ﷺ, pasi ishte larguar prej Taifit, priti dhjetë net e më shumë. Kur atyre iu bë e qartë se Pejgamberi ﷺ nuk do t'ua kthejë të dyja, thanë: “Po i zgjedhim robërit e luftës.”
Pejgamberi ﷺ u ngrit në mesin e njerëzve, e lavdëroi Allahun, ashtu siç i takon Atij, dhe tha: “E, më pas; Vërtet, vëllezërit tuaj na kanë ardhur të penduar, prandaj unë mendoj t'ua kthej robërit e luftës. Andaj, kush dëshiron që vullnetarisht t'ua kthejë, le ta bëjë, e, kush dëshiron që ta mbajë pjesën e vet (robin e luftës) derisa ta paguajmë prej plaçkës së parë që Allahu do të na dhurojë, le të presë.”
Njerëzit thanë: “Do ta bëjmë këtë, për ty (o i Dërguari i Allahut)!”
- “Ne nuk e dimë kush po i jep vullnetarisht e kush jo, andaj kthehuni te prijësit tuaj (të flitni me ta), që ata të na tregojnë për secilin prej jush”.
Njerëzit u kthyen dhe biseduan me përfaqësuesit e tyre, të cilët shkuan tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i treguan se të gjithë po i kthejnë vullnetarisht. Këto gjëra na janë transmetuar rreth pjesëtareve të fisit hevazin të zënë robër lufte.
Enesi ka thënë: “Abasi i tha Pejgamberit ﷺ: “E shpagova veten dhe Akilin.”