Sahihu i Buhariut — Hadithi 2545
15. Nënkapitulli: Hadithi: “Robërit janë vëllezërit tuaj, andaj ushqejini me çka të ushqeheni vetë.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të ngratët, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë.” (Nisa, 36)
2545. Nga: Ebu Dherr Gifariu
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Vasil Ahdebi se Marur ibn Suvejdi thotë: E pashë Ebu Dherr Gifariun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të veshur me një palë rroba të bukura bashkë me shërbëtorin e tij, i cili po ashtu ishte veshur bukur. E pyetëm rreth kësaj, e ai na tha: “Njëherë fyeva një person, i cili u ankua te Pejgamberi ﷺ. Atëherë Pejgamberi ﷺ më tha: “A ia nënçmove të ëmën?” Dhe vijoi: “Shërbëtorët tuaj janë vëllezërit tuaj dhe Allahu i ka lënë nën sundimin tuaj. Andaj, nëse dikush prej jush e ka vëllanë e vet nën sundim, le ta ushqejë sikurse vetveten dhe le ta veshë sikurse vetveten. Mos i ngarkoni me më tepër seç mund të bartin, e, nëse ndodh t'i ngarkoni, atëherë ndihmojuni.”