Sahihu i Buhariut — Hadithi 2554
17. Nënkapitulli: Është e urryer fyerja e robit, si dhe dispozita e fjalës: Robi im apo robëresha ime
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... si dhe robërit dhe robëreshat tuaja që janë besimtarë të ndershëm...” (Nur, 32) “... shembullin e robit...” (Nahl, 75) “Te dera, e hasën zotërinë e saj...” (Jusuf, 25) “... një nga robëreshat tuaja besimtare...” (Nisa, 25) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ngrihuni për zotërinë tuaj!” Allahu Fuqiplotë ka thënë (duke përcjellë fjalën e Jusufit ﷺ): “Përmendmë te pronari yt...” (Jusuf, 42) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush është zotëria juaj?”
2554. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.
Udhëheqësi është kujdestar për njerëzit nën pushtetin e tij, andaj do të jetë përgjegjës për ta.
Burri është kujdestar për familjen e tij, andaj do të jetë përgjegjës për të.
Gruaja është kujdestare për shtëpinë dhe fëmijët e burrit të vet, andaj do të jetë përgjegjëse për ta.
Robi është kujdestar për pasurinë e zotërisë së vet, andaj do të jetë përgjegjës për të. Pra, secili prej jush është kujdestar dhe përgjegjës për kopenë e vet.”