Sahihu i Buhariut — Hadithi 26

18. Nënkapitulli: Ata që thonë se imani është vepër

Allahu ﷻ ka thënë: “Ja, ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni vepruar.” (Zuhruf, 72) Disa dijetarë, fjalën e Allahut: “Është e vërtetë, betohem në Zotin tënd, se ne do t’i pyesim ata të gjithë, për gjithçka që kanë vepruar”, (Hixhr, 92-93) e kanë komentuar se do të pyeten për fjalën ‘la ilahe ilallah’. Allahu ﷻ ka thënë: “Për diçka të tillë le të përpiqen ata që punojnë.” (Safat, 61)

26. Nga: Ebu Hurejra

Ahmed ibn Junusi dhe Musa ibn Ismaili na kanë thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u pyet:

- Cila është puna më e vlefshme?

- “Ta besosh Allahun dhe të Dërguarin e Tij”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.

- E pastaj cila? - e pyetën sërish.

- “Xhihadi në rrugën e Allahut.”

- Pastaj, cila?

- “Haxhi i pranuar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 26

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?