2. Besimi

1. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla.”

Imani është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet. Allahu ﷻ ka thënë: “... Për t’ua shtuar besimin, krahas besimit që patën.” (Fet’h, 4) “... Ua shtuam udhëzimin në rrugën e drejtë.” (Kehf, 13) “Allahu ua shton udhëzimin atyre, që janë në rrugë të drejtë...” (Merjem, 76) “Sa për ata që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri.” (Muhamed, 17) “... E t’u shtohet besimi atyre që besojnë...” (Mudethir, 31) “... Kujt prej jush do t’ia shtojë besimin kjo sure, për sa u përket besimtarëve, atyre ua shton besimin dhe ata gëzohen...” (Teube, 124) “... Prandaj frikësohuni, e kjo gjë ua shtoi atyre besimin...” (Ali Imran, 173) “... Kjo ua shtoi atyre besimin dhe nënshtrimin.” (Ahzab, 22)

Dashuria dhe urrejtja për hir të Allahut është prej imanit. Omer ibn Abdulazizi i ka shkruar letër Adij ibn Adijit duke i thënë: Imani përmban farze, dispozita, ndëshkime të përcaktuara dhe sunete. Andaj, ai që i përmbush ato, e ka plotësuar imanin, e, ai që nuk i përmbush, nuk e ka plotësuar imanin. Nëse jetoj, do t'jua sqaroj të gjitha, në mënyrë që të punoni sipas tyre, e, nëse vdes (pa jua treguar), nuk kam qenë shok i denjë për ju. Ibrahimi ﷺ ka thënë: “... por dëshiroj të më qetësohet zemra...” (Bekare, 260) Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎) ka thënë: Le të ulemi një copë herë e ta ripërtërijmë imanin. Ibn Mesudi ka thënë: Bindja është vetë imani. Ibn Omeri ka thënë: Robi nuk do ta arrijë devotshmërinë e vërtetë derisa t'i heqë dyshimet nga zemra. Muxhahidi ka thënë se ajeti: “Ai e ka legjitimuar për ju atë fe...” (Shura, 13), nënkupton: Ty, o Muhamed, dhe të tjerëve jua kemi legjitimuar një fe të vetme. Ibn Abasi ka thënë se fjala e Allahut ﷻ: “... një ligj dhe rrugë të qartë...” (Maide, 48), ka për qëllim udhën dhe traditën.

2. Nënkapitulli: Lutjet tuaja janë besimi juaj

Allahu ka thënë: “Thuaj: Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja (duaja) juaj...” (Furkan, 77) Fjala ‘dua’ (lutje), në aspektin gjuhësor, nënkupton imanin (besimin).

8. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ubejdullah ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Handhale ibn Ebu Sufjani nga Ikrime ibn Halidi se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Islami është ngritur mbi pesë shtylla:

1. Mbi dëshminë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Tij,

2. Faljen e namazit,

3. Dhënien e zekatit,

4. Kryerjen e haxhit dhe

5. Agjërimin e Ramazanit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 8

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Veprat e besimit

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, melekët, Librin dhe pejgamberët; e atij që me vullnet jep, nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin, dhe e jep zekatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.” (Bekare, 177) “Me të vërtetë kanë shpëtuar besimtarët.” (Muminun, 1)

9. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Amir Akabiu, se këtij i ka treguar Sulejman ibn Bilali nga Abdullah ibn Dinari, e ky nga Ebu Salihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Imani është gjashtëdhjetë e disa pjesë dhe turpi është pjesë e imanit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 9

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Musliman është ai, nga dora dhe gjuha e të cilit janë të sigurt muslimanët

10. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Abdullah ibn Ebu Seferi dhe Ismaili, e këta nga Shabiu se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Musliman është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë, kurse muhaxhir është ai që braktis ato që ka ndaluar Allahu.”

Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ebu Muaviu ka thënë: “Na ka treguar Davudi nga Amiri, e ky e ka dëgjuar Abdullah ibn Amrin, e ky nga Pejgamberi ﷺ.” Po ashtu Abdulala transmeton nga Davudi, e ky nga Amiri, e ky nga Abdullahu, e ky nga Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 10

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Cila vepër e Islamit është më e vlefshme?

11. Nga: Ebu Musa Eshariu

Seid ibn Jahja ibn Seid Kureshiu na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij Ebu Burde Abdullah ibn Ebu Burde, nga Ebu Burde se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Disa njerëz i thanë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, cila vepër e Islamit është më e vlefshme?” Ai tha: “Ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt muslimanët.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 11

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: T'i ushqesh të tjerët është prej Islamit

12. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Jezidi, e ky nga Ebu Hajri se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Cila është vepra më e mirë në Islam?” Ai iu përgjigj: “Të ushqesh të tjerët e të përshëndesësh me selam atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 12

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Prej imanit është ta dojë për vëllanë e vet atë që e do për vete

13. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai nga Shuëbe, e ky nga Katadja, e ky nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ. Husejn Mualimi ka thënë: Na ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e vet atë që e do për vete.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 13

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Dashuria për të Dërguarin ﷺ është prej imanit

14. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa unë të jem më i dashur për të sesa prindërit dhe fëmijët e tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 14

Fjalë të panjohura?

15. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Uleje nga Abdulaziz ibn Suhejbi, e ky nga Enesi e ky nga Pejgamberi ﷺ [t]: Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa tek ai të jem më i dashur sesa prindi e fëmija i tij, si dhe krejt njerëzimi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 15

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Ëmbëlsia e imanit

16. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehab Thekafiu, e këtij i ka treguar Ejubi nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që i ka këto tri gjëra, e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit:

1. Që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur tek ai se çdo gjë tjetër,

2. Që të dojë një person vetëm për hir të Allahut,

3. Që të urrejë kthimin në mosbesim ashtu siç urren të hidhet në Zjarr.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 16

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Dashuria për ensarët është shenjë e imanit

17. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka rrëfyer Abdullah ibn Abdullah ibn Xhebri se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shenjë e imanit është dashuria e ensarëve, kurse shenjë e hipokrizisë është urrejtja ndaj ensarëve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 17

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitull

18. Nga: Ubade ibn Samiti

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, e ky thotë: Më ka rrëfyer Ebu Idrisi, Aidhullah ibn Abdullahu, se Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pjesëmarrës në Luftën e Bedrit dhe një prej përfaqësuesve në Besëlidhjen e Akabesë, tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ, përreth të cilit ishin një grup i shokëve të tij, ka thënë: “Jepmani besën se nuk do t'i shoqëroni Allahut asgjë, nuk do të vidhni, nuk do të bëni zina, nuk do t'i mbysni fëmijët tuaj, nuk do të bëni shpifje në moralin e njëri-tjetrit dhe nuk do të kundërshtoni kur të urdhëroheni për të mirë. Cilido prej jush që e mban besën e tij, do të shpërblehet nga Allahu, e kushdo që bie në ndonjërën prej këtyre (përveç idhujtarisë) dhe ndëshkohet në dynja, kjo i mjafton si shpagim (për mëkatin). Ndërkaq, kushdo që bie në ndonjërën prej këtyre (përveç idhujtarisë), e pastaj Allahu ia mbulon ato, atëherë çështja e tij i përket Allahut: nëse do, e fal, e, nëse do, e dënon.” Atëherë ia dhamë besën për këtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 18

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Ikja nga fitnet është pjesë e fesë

19. Nga: Ebu Seid Hudriu

Abdullah ibn Mesleme transmeton nga Maliku nga Abdurrahman ibn Abdullah ibn Abdurrahman ibn Ebu Sasai, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Do të vijë koha kur pasuria më e mirë për muslimanin do të jetë një kope dhensh, të cilat do t'i kullotë nëpër maja të kodrave dhe thellësi të luginave, që me fenë e tij të ikë nga sprovat.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 19

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Unë e njoh Allahun më mirë se të gjithë ju.”

Njohja është vepër e zemrës, bazuar në ajetin: “... por ju dënon për atë që vendosni qëllimisht në zemrat tuaja...” (Bekare, 225)

20. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Selam Bikendiu na ka thënë: Na ka rrëfyer Abde nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ i urdhëronte muslimanët me një punë, i urdhëronte me aq sa kishin mundësi. Kështu, njëherë i thanë: “Ne nuk jemi sikurse ti, o i Dërguari i Allahut! Allahu ty t'i ka falur mëkatet e së kaluarës dhe të së ardhmes. Pejgamberi ﷺ u zemërua aq shumë, saqë zemërimi i vërehej në fytyrë, pastaj u tha: “Unë i druhem Allahut më së shumti dhe e njoh Allahun më mirë se të gjithë ju.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 20

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Të urryerit e kthimit në mosbesim siç urren të hedhurit në zjarr është prej imanit

21. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që i ka këto tri gjëra, e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit:

1. Që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur tek ai se çdo gjë tjetër,

2. Që të dojë një person vetëm për hir të Allahut,

3. Që të urrejë kthimin në mosbesim, pasi Allahu e ka shpëtuar nga kjo, ashtu siç urren të hidhet në zjarr.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 21

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Besimtarët kanë diferencë mes njëri-tjetrit në vepra.

22. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Amër ibn Jahja Maziniu, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur banorët e Xhenetit të futen në Xhenet dhe banorët e Zjarrit në Zjarr, Allahu i Madhërishëm thërret: “Nxirrni nga Zjarri të gjithë ata që në zemra kanë iman qoftë dhe sa fara e sinapit!” Kështu, nxirren nga Zjarri, pasi që ishin bërë shkrumb. Pastaj, hidhen në lumin Haja, - ose ka thënë: Hajat, Maliku ishte në mëdyshje, - për t'u përtërirë ashtu siç mbin fara pranë lumit. A nuk e ke parë si del e verdhë dhe e përdredhur?”

Vuhejbi thotë: “Amri na ka treguar: “... Hajat...”, si dhe: “... kanë mirësi qoftë dhe sa fara e sinapit...”

Referenca: Sahihu i Buhariut 22

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

23. Nga: Ebu Seid Hudriu

Muhamed ibn Ubejdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ebu Umame ibn Sehli se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ndërsa flija, m'u shfaqën disa njerëz të veshur me këmisha, prej të cilave kishte që u arrinin deri në gjoks, e disa të tjera ishin edhe më të shkurtra. M'u shfaq edhe Omer ibn Hatabi, të cilit këmisha i shkonte zvarrë.”

I thanë: “Si e komenton këtë, o i Dërguari i Allahut?” U tha: “Feja e tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 23

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Turpi është prej imanit

24. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Malik ibn Enesi nga Ibn Shihabi, e ky nga Salimi, i biri i Abdullahut, se babai i tij Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë një burri ensar, i cili po e qortonte vëllanë e vet për shkak të turpit. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Lëre, se turpi është prej imanit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 24

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Fjala e Allahut ﷻ: “E në qoftë se ata pendohen, e falin namazin dhe japin zekatin, atëherë ua lini rrugën të lirë...”

25. Nga: Abdullah ibn Omeri

Abdullah ibn Muhamed Musnediu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Revh Haremij ibn Umare, e këtij i ka treguar Shuëbe nga Vakid ibn Muhamedi, e ky e ka dëgjuar babanë e tij se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam urdhëruar t'i luftoj njerëzit derisa të deklarojnë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, ta falin namazin dhe ta japin zekatin. Nëse i veprojnë këto, prej meje i kanë të siguruara gjakun dhe pasurinë, përveç nëse këtë e kërkon e drejta islame, e llogaria e tyre i takon Allahut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 25

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Ata që thonë se imani është vepër

Allahu ﷻ ka thënë: “Ja, ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni vepruar.” (Zuhruf, 72) Disa dijetarë, fjalën e Allahut: “Është e vërtetë, betohem në Zotin tënd, se ne do t’i pyesim ata të gjithë, për gjithçka që kanë vepruar”, (Hixhr, 92-93) e kanë komentuar se do të pyeten për fjalën ‘la ilahe ilallah’. Allahu ﷻ ka thënë: “Për diçka të tillë le të përpiqen ata që punojnë.” (Safat, 61)

26. Nga: Ebu Hurejra

Ahmed ibn Junusi dhe Musa ibn Ismaili na kanë thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u pyet:

- Cila është puna më e vlefshme?

- “Ta besosh Allahun dhe të Dërguarin e Tij”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.

- E pastaj cila? - e pyetën sërish.

- “Xhihadi në rrugën e Allahut.”

- Pastaj, cila?

- “Haxhi i pranuar.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 26

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Nëse dikush nuk e përqafon Islamin realisht, por nështrohet vetëm në aspektin e jashtëm, ose e bën nga frika se e vrasin

Allahu ﷻ ka thënë: “Beduinët deklarojnë: Ne besojmë. Thuaju: Ju nuk keni besuar! Por më mirë thoni: Ne përulemi...” (Huxhurat, 14) Përqafimi i vërtetë i Islamit përshkruhet në ajetin: “Me të vërtetë feja e vetme e pranuar tek Allahu është Islami...” (Ali Imran, 19) Dhe: “Atij që kërkon fe tjetër përveç Islamit, nuk do t'i pranohet...” (Ali Imran, 85)

27. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, i cili ka thënë: Më ka rrëfyer Amiri, i biri i Sad ibn Ebu Vekasit, se Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ u dha disa personave, e unë isha ulur pranë tyre, por anashkaloi një burrë për të cilin mendoja se ishte më i miri.” I thashë:

- O i Dërguari i Allahut, çfarë ke me filanin që nuk i dhe? Betohem në Allahun se unë e njoh për besimtar.

- “Apo thjesht për musliman?” - tha Pejgamberi ﷺ.

Heshta pak, por gjërat që dija për të më shtynë t'i thosha, kështu që iu ktheva sërish fjalës sime dhe thashë:

- Çfarë ke me filanin që nuk i dhe? Betohem në Allahun se unë e njoh për besimtar.

- “Apo thjesht për musliman?” - tha Pejgamberi ﷺ.

Akoma nuk më linte të qetë ajo që kisha përbrenda, kështu që e përsërita pyetjen time, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ ma ktheu të njëjtën përgjigje dhe tha:

“O Sad, unë mund t'i jap një njeriu, edhe pse dikush tjetër mund të jetë më i dashur për mua se ai, nga frika se Allahu mund ta hedhë në Zjarr.”

Hadithin po ashtu e transmetojnë Junusi, Salihu, Mameri dhe i biri i vëllait të Zuhriut, nga Zuhriu.

Referenca: Sahihu i Buhariut 27

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Përhapja e selamit është prej Islamit

Amari ka thënë: "Imanin e ka plotësuar ai që në vetvete i ka bërë bashkë këto tri gjëra: drejtësinë prej vetes, përshëndetjen e të gjithë njerëzve me selam dhe dhënien aty ku ka nevojë, madje edhe nëse vetë është ngushtë."

28. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu nga Jezid ibn Ebu Habibi, e ky nga Ebu Hajri se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ: “Cila është vepra më e mirë në Islam?” Ai iu përgjigj: “Të ushqesh të tjerët dhe të përshëndesësh me selam atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 28

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Mohimi i mirësjelljes (përbuzja) dhe kufri i vogël

Këtë e transmeton Ebu Seid Hudriu nga Pejgamberi ﷺ.

29. Nga: Abdullah ibn Abasi

Abdullah ibn Mesleme na ka transmetuar nga Maliku nga Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ata ibn Jesari se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “E pashë Xhehenemin dhe vura re se shumica e banorëve të tij janë gratë që mohojnë.” I thanë: “A e mohojnë Allahun?” Tha: “E mohojnë mirësjelljen dhe e mohojnë mirësinë. Edhe nëse vazhdimisht je i mirë me të, po qe se vëren diçka jo të mirë te ti, thotë: Kurrë nuk kam parë asnjë të mirë prej teje!”

Referenca: Sahihu i Buhariut 29

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Mëkatet janë pjesë e injorancës (së kufrit), por mëkatari nuk cilësohet jobesimtar për shkak të tyre, përveç nëse bën shirk

Pejgamberi ﷺ i ka thënë (dikujt): “Me të vërtetë, ti ende ke tipare të injorancës (paraislame).” Allahu ﷻ ka thënë: “Vërtet Allahu nuk fal që t’i bëhet shirk në adhurim, ndërsa ia fal çdo gjë përveç kësaj, atij që do.” (Nisa, 48)

30. Nga: Ebu Dherr Gifariu

Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe nga Vasili se Maruri rrëfen: “E takova Ebu Dherrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në Rabedhe bashkë me shërbëtorin e tij, të dy të veshur bukur, andaj e pyeta për këtë çështje, e në atë rast më tha: “Njëherë, pata fyer dikë duke i nënçmuar të ëmën, e Pejgamberi ﷺ më pati thënë: “O Ebu Dherr, a ia nënçmove të ëmën? Me të vërtetë, ende ke tipare të kohës së injorancës (para Islamit). Shërbëtorët tuaj janë vëllezërit tuaj dhe Allahu i ka vënë nën sundimin tuaj. Andaj, nëse dikush prej jush e ka vëllanë e vet nën sundim, le ta ushqejë sikurse veten dhe le ta veshë sikurse veten. Mos i ngarkoni me më tepër sesa që mund të bartin, e, nëse veproni kështu, atëherë ndihmojini.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 30

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

Nënkapitulli: “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata.” Pra, Allahu i ka emërtuar besimtarë.

31. Nga: Ebu Bekrete

Abdurrahman ibn Mubareku na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e këtij i ka treguar Ejubi dhe Junusi, e këta dy nga Haseni se Ahnef ibn Kajsi tregon: “Teksa po shkoja ta ndihmoja këtë njeri (Aliun), e takova Ebu Bekreten (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili më tha: “Ku po shkon?” I thashë: “Ta ndihmoj këtë njeri.” Më tha: “Kthehu, se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Kur dy muslimanë ndeshen me shpatat e tyre, vrasësi dhe i vrari do të jenë në Zjarr.” E pyeta: “O i Dërguari i Allahut, për vrasësin po kuptohet, po çfarë është puna e të vrarit?” Më tha: “Edhe ai ishte i vendosur për ta vrarë vëllanë e vet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 31

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Padrejtësitë janë të kategorive të ndyshme (sa i përket madhësisë së krimit, dëmit, etj)

32. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe. [t]: Bishri më ka thënë: Na ka treguar Muhamedi nga Shuëbe, e ky nga Sulejmani, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Alkame se Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Kur zbriti ajeti: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtarie), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuarit”, (Enam, 82) shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ thanë: “Po cili prej nesh nuk bën padrejtësi?” Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “Shirku me të vërtetë është padrejtësia më e madhe.” (Lukman, 13)

Referenca: Sahihu i Buhariut 32

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Shenjat e hipokritit

33. Nga: Ebu Hurejra

Sulejman Ebu Rebia na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e këtij i ka treguar Nafi ibn Malik ibn Ebu Amiri, Ebu Suhejli nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri:

1. Kur flet, gënjen;

2. Kur premton, nuk e mban premtimin;

3. Kur i besohet, tradhton.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 33

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

34. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi

Kabisa ibn Ukbe na ka thënë: Na ka treguar Sufjani nga Ameshi, e ky nga Abdullah ibn Murra, e ky nga Mesruku se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që i ka (këto) katër tipare është hipokrit i kulluar. Ndërkaq, ai që ka vetëm njërin prej tyre, atëherë ka një prej tipareve të hipokrizisë, derisa ta braktisë atë. Ato janë:

1. Kur i besohet, tradhton;

2. Kur flet, gënjen;

3. Kur premton, nuk e mban atë;

4. Kur polemizon, bëhet vulgar.”

Transmetimin e Sufjanit e ka fuqizuar Shuëbe nga Ameshi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 34

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Namazi gjatë Natës së Kadrit është prej imanit

35. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi nga Araxhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që falet Natën e Kadrit, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 35

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Xhihadi është prej imanit

36. Nga: Ebu Hurejra

Haremij ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Umare, e këtij i ka treguar Ebu Zura ibn Amër se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ka marrë përsipër që, atë që del në luftë për hir të Tij, për asgjë tjetër pos besimit në Të dhe në të dërguarit e Tij, ose do ta kthejë me gjithë shpërblimin dhe plaçkën e fituar, ose do ta fusë në Xhenet. Sikur të mos më dukej e rëndë për umetin tim, nuk do të lija asnjë ekspeditë luftarake pa marrë pjesë. Përkundrazi, do të dëshiroja shumë që të vritesha në rrugën e Allahut, e pastaj të ringjallesha, pastaj të vritesha e të ringjallesha dhe më pas të vritesha sërish.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 36

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Kryerja e namazit të natës gjatë Ramazanit është prej imanit

37. Nga: Ebu Hurejra

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku nga Ibn Shihabi, e ky nga Humejd ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që e fal namazin e natës gjatë Ramazanit, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 37

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: Agjërimi i Ramazanit, duke shpresuar shpërblimin prej Allahut, është prej imanit

38. Nga: Ebu Hurejra

Ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Fudajli, e këtij i ka treguar Jahja ibn Seidi nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që e agjëron Ramazanin, duke besuar dhe llogaritur në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 38

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Feja është e lehtë

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Feja më e mirë tek Allahu është e pastra nga idhujtaria dhe e lehta.”

39. Nga: Ebu Hurejra

Abduselam ibn Mutaheri na ka thënë: Na ka treguar Omer ibn Aliu nga Mean ibn Muhamed Gifari, e ky nga Seid ibn Ebu Seid Makburi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Feja është e lehtë, kështu që këdo që mbingarkon vetveten në fenë e tij, feja do ta mundë. Andaj, jini mesatarë, afrojuni përsosurisë dhe përgëzohuni (për shpërblimin që ju pret). Kur merrni udhë, shfrytëzojeni mëngjesin e hershëm, pasditen dhe një pjesë të natës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 39

Hadithe të ngjashme: Shiko (10)

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitulli: Namazi është prej imanit

Allahu ﷻ ka thënë: “Dijeni se Allahu nuk jua humb imanin tuaj.” (Bekare, 143) Këtu fjala ‘iman’ i referohet namazit që besimtarët kanë falur në drejtim të Aksasë.

40. Nga: Bera ibn Azibi

Amër ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e këtij i ka treguar Ebu Is'haku se Berai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur Pejgamberi ﷺ erdhi në Medinë, u ndal te gjyshërit, - ose ka thënë: “te dajat" - e tij ensarë. Namazin e ka falur në drejtim të Aksasë për gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetë muaj rresht, por dëshironte që Qabeja të ishte kible e tij. Namazi i parë që e ka falur në drejtim të Qabesë ishte ikindia, e bashkë me të janë falur edhe një grup njerëzish. Njëri prej atyre që ishin falur me të doli pas namazit dhe kaloi afër një xhamie dhe, gjatë kohës kur njerëzit ishin në ruku, u tha: “Dëshmoj në Allahun se sapo u fala me të Dërguarin e Allahut në drejtim të Mekës. Me të dëgjuar këtë, ashtu siç qenë, të gjithë u kthyen në drejtim të Qabesë. Hebrenjve dhe ithtarëve të Librit u pëlqente kur Pejgamberi ﷺ falej në drejtim të Aksasë. Ndërkaq, kur filloi të falej në drejtim të Qabesë, filluan ta urrenin këtë gjë.”

Zuhejri ka thënë: “Na ka treguar Ebu Is'haku në transmetimin e tij të hadithit të njëjtë, po ashtu nga Berai, se disa njerëz kanë vdekur dhe para se të ndryshohej kibla, andaj nuk dinim ç'të thoshin për ta. Kështu, Allahu e zbriti ajetin: “... Dijeni se Allahu nuk jua humb besimin tuaj (namazin që keni falur nga Aksaja)...” (Bekare, 143)

Referenca: Sahihu i Buhariut 40

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

31. Nënkapitulli: Praktikimi i përsosur i Islamit

41. Nga: Ebu Seid Hudriu

Maliku ka thënë: Më ka rrëfyer Zejd ibn Eslemi, e këtij i ky rrëfyer Ata ibn Jesari se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Nëse një njeri e përqafon Islamin dhe e përkryen atë në formën më të mirë, Allahu ia fal çdo të keqe që ka bërë e pastaj pason shpërblimi i punëve: vepra e mirë shpërblehet dhjetë deri në shtatëqindfish më shumë, kurse vepra e keqe i llogaritet aq sa është, përveç nëse ia fal Allahu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 41

Fjalë të panjohura?

42. Nga: Ebu Hurejra

Is'hak ibn Mensuri na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nëse njeriu e përkryen Islamin e tij në formën më të mirë, atëherë çdo e mirë që e punon i llogaritet dhjetë deri në shtatëqindfish më shumë, ndërkohë çdo punë e keqe që e bën i llogaritet aq sa është.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 42

Fjalë të panjohura?

32. Nënkapitulli: Adhurimi më i dashur tek Allahu është ai që kryhet në vazhdimësi

43. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Hishami, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një ditë Pejgamberi ﷺ hyri tek ajo, teksa aty ndodhej një grua. Ai tha: “Kush është kjo?” Aishja tha: “Filania" - dhe përmendi namazin e saj të shumtë.” Rrjedhimisht, Pejgamberi ﷺ (duke mos miratuar) tha: “Ndal! Bëni punë të mira aq sa keni mundësi, sepse Allahu nuk mërzitet (nga ju), derisa ju të mërziteni (nga veprat). Praktika më e dashur fetare te Pejgamberi ﷺ ka qenë ajo që kryhej në vazhdimësi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 43

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

33. Nënkapitulli: Shtimi dhe pakësimi i imanit

Allahu ﷻ ka thënë: “Ne ua shtuam udhëzimin në rrugën e drejtë” (Kehf, 12), “... e t’u shtohet besimi atyre që besojnë...” (Mudethir, 31), “... sot jua përsosa fenë tuaj...” (Maide, 3) Andaj, kur diçka nuk përsoset, mbetet e mangët.

44. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e këtij i ka treguar Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nga Zjarri do të dalë kushdo që ka thënë “la ilahe il-lallah" dhe në zemër ka pasur mirësi qoftë dhe sa kokrra e elbit. Pastaj nga Zjarri do të dalë kushdo që ka thënë “la ilahe il-lallah" dhe në zemër ka pasur mirësi qoftë dhe sa kokrra e grurit. Gjithashtu, nga Zjarri do të dalë kushdo që ka thënë “la ilahe il-lallah" dhe në zemër ka pasur mirësi qoftë dhe sa grimca.”

Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ebani ka thënë: “Na ka treguar Katadja, të cilit i ka treguar Enesi prej Pejgamberit ﷺ, se në vend të fjalëve: “ka mirësi”, gjenden fjalët: “ka iman”.

Referenca: Sahihu i Buhariut 44

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

45. Nga: Omer ibn Hatabi

Hasen ibn Sabahu na ka treguar: E kam dëgjuar Xhafer ibn Avniun, e këtij i ka treguar Ebu Umejsi, e këtij i ka rrëfyer Kajs ibn Muslimi nga Tarik ibn Shihabi se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një hebre i tha: “O prijësi i besimtarëve, një ajet që ju e lexoni në Librin tuaj, sikur të na kishte zbritur neve, atë ditë do ta shpallnim ditë feste.” Omeri i tha: “Cili qenka ky ajet?” Hebreu i tha: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Maide, 3) Atëherë Omeri tha: “Ne e dimë shumë mirë ditën dhe vendin kur ky ajet i ka zbritur Pejgamberit ﷺ. Ka qenë ditë e premte dhe i Dërguari i Allahut ﷺ ka qenë duke qëndruar në këmbë në Arafat.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 45

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

34. Nënkapitulli: Zekati është prej Islamit

Allahu i Madhëruar ka thënë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit ﷺ) si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” (Bejine, 5)

46. Nga: Talha ibn Ubejdullahu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Malik ibn Enesi nga xhaxhai i tij Ebu Suhejl ibn Maliku, e ky nga babai i tij se Talha ibn Ubejdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një burrë flokëshprishur, banor i Nexhdit, shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Jehona e zërit të tij dëgjohej, por s'kuptohej çfarë thoshte, derisa u afrua dhe kuptuam se po pyeste për Islamin. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha:

- “Ke obligim pesë namaze gjatë ditës dhe natës.”

- A kam obligim diçka tjetër përveç kësaj? - tha ai.

- “Jo, përveç nëse do të shtosh namaze vullnetare”, - i tha Pejgamberi ﷺ.

- “Ke obligim ta agjërosh Ramazanin”, - tha pastaj Pejgamberi ﷺ.

- A kam diçka tjetër përveç kësaj? - e pyeti burri në fjalë.

- “Jo, përveç nëse do të shtosh agjërim vullnetar”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.

Pastaj Pejgamberi ﷺ ia përmendi zekatin. Ai ia ktheu:

- A kam diçka tjetër përveç kësaj?

- “Jo, përveç nëse do të japësh vullnetarisht”, - i tha Pejgamberi ﷺ.

Në fund, ky njeri u largua duke thënë: “Betohem në Allahun se, as do të shtoj, as do të pakësoj kurrgjë nga kjo.” Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “Do të shpëtojë, nëse e ka përnjëmend.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 46

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

35. Nënkapitulli: Përcjellja e xhenazes është prej imanit

47. Nga: Ebu Hurejra

Ahmed ibn Abdullah ibn Ali Menxhufiu na ka thënë: Na ka treguar Revhu, e këtij i ka treguar Aufi nga Haseni dhe Muhamedi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që e përcjell xhenazen e një muslimani, duke besuar dhe llogaritur në shpërblim, si dhe qëndron aty derisa t'i falet namazi i xhenazes e të përfundojë varrimi, kthehet me shpërblim sa të dy kiratëve, ku çdonjëri prej tyre është sa madhësia e Uhudit. Ndërkaq, ai që fal namazin e xhenazes dhe kthehet para se të përfundojë varrimi, kthehet me shpërblimin e vetëm një kirati.”

Transmetimin e Revhut e ka fuqizuar Othman Muedhini, i cili ka thënë: “Na ka treguar Aufi nga Muhamedi, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ, ngjashëm.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 47

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

36. Nënkapitulli: Frika e besimtarit mos po i asgjësohen veprat pa e vënë re

Ibrahim Tejmiu ka thënë: "Sa herë që fjalën e kam vënë përballë punës, jam frikësuar se mos jam përgënjeshtar." Ibn Ebu Mulejke ka thënë: "I kam takuar tridhjetë shokë të Pejgamberit ﷺ dhe që të gjithë i frikësoheshin hipokrizisë, ndërkaq asnjëri prej tyre nuk thoshte se ishte në shkallën e imanit të Xhibrilit dhe Mikailit." Haseni ka thënë: "Hipokrizisë i frikësohet vetëm besimtari dhe vetëm hipokriti ndihet i sigurt nga hipokrizia." Nuk mund t'u ruhemi hipokrizisë dhe mëkateve pa u penduar. Argument është fjala e Allahut Fuqiplotë: “... dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.” (Ali Imran, 135)"

48. Nga: Abdullah ibn Mesudi

Muhamed ibn Arare na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe se Zubejdi ka thënë: “E kam pyetur Ebu Vailin rreth murxhive dhe më ka thënë: “Më ka treguar Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Fyerja e muslimanit është mëkat, kurse luftimi i tij është kufër.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 48

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

49. Nga: Ubade ibn Samiti

Kutejbe ibn Seidi na ka rrëfyer: Më ka treguar Ismail ibn Xhaferi nga Humejdi, e ky nga Enesi se Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ doli të lajmëronte për Natën e Kadrit, por papritmas dy muslimanë zunë të fjaloseshin, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Dola për t'ju lajmëruar rreth Natës së Kadrit, por, ngaqë po fjaloseshin filani dhe filani, m'u tërhoq dituria për të. Shpresoj që kjo të jetë më e dobishme për ju. Andaj, kërkojeni në natën e shtatë, të nëntë dhe të pestë (të dhjetëditëshit të fundit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 49

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

37. Nënkapitulli: Pyetja e Xhibrilit drejtuar Pejgamberit ﷺ në lidhje me imanin, Islamin, ihsanin dhe Ditën e Kiametit

Shpjegimi që Pejgamberi ﷺ ia ka bërë Xhibrilit, kur ka thënë: “Ju ka ardhur Xhibrili ﷺ për t’jua mësuar fenë tuaj”; Pra, tërë atë e ka konsideruar fe. Po ashtu, ato që Pejgamberi ﷺ ua ka sqaruar delegatëve të fisit abdulkajs lidhur me imanin; Allahu i Lartësuar thotë: “Atij që kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet.” (Ali Imran, 85)

50. Nga: Ebu Hurejra

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Ibrahimi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Hajan Tejmiu nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa një ditë Pejgamberi ﷺ doli sheshit në mesin e njerëzve, i erdhi një person dhe e pyeti: “Ç'është imani?” Ai iu përgjigj: “Imani është të besosh në Allahun, melekët e Tij, Ditën e Takimit me Të, të dërguarit e Tij dhe të besosh ringjalljen.”

Pastaj pyeti: “Ç'është Islami?” Ai iu përgjigj: “Islami është ta adhurosh Allahun pa i bërë ortak asgjë, ta falësh namazin, ta japësh zekatin e obliguar dhe ta agjërosh Ramazanin.”

Pastaj e pyeti sërish: “Ç'është ihsani?” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Ihsani është ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë, ndonëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.”

Pastaj e pyeti: “Kur do të bëhet Kiameti?” Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “As i pyeturi për këtë nuk di më shumë sesa pyetësi. Megjithatë, po të njoftoj për shenjat e tij: kur robëresha ta lindë zonjën e vet dhe kur barinjtë e deveve të zeza të garojnë në ndërtimin e godinave të larta. Kiameti është një prej pesë gjërave që nuk i di askush përveç Allahut.” Pastaj, Pejgamberi ﷺ e recitoi ajetin: “Pa dyshim, vetëm Allahu e di çastin e Kiametit. Ai e zbret shiun dhe e di ç'ka në barkun e shtatzënës, e askush nuk di ç'do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç'vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe njohës i çdo gjëje.” (Lukman, 34)

Pas kësaj, ky burrë u largua e Pejgamberi ﷺ menjëherë tha: “Kthejeni!” Por, kur sahabët dolën, nuk panë asgjë. Atëherë ai tha: “Ky ishte Xhibrili, erdhi t'ua mësojë njerëzve fenë e tyre.”

Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Pra, tërë këtë e ka konsideruar iman.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 50

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

38. Nënkapitull

51. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibrahim ibn Hamzai na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Më ka rrëfyer Ebu Sufjani se Herakliu i ka thënë atij: “Të pyeta se a po shtohen apo po pakësohen pasuesit e tij, e më tregove se dita-ditës sa vijnë e shtohen, e kështu qëndron çështja e imanit, derisa të plotësohet. Të pyeta nëse dikush prej tyre dezerton nga feja e tij i zhgënjyer, e më the që nuk ndodh, e kësisoj është natyra e imanit, kur depërton thellë në zemër, askush nuk zhgënjehet.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 51

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?

39. Nënkapitulli: Vlera e atij që heq dorë nga gjërat e dyshimta për hir të fesë

52. Nga: Numan ibn Beshiri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zekerija nga Amiri se Numan ibn Beshiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, porse ndërmjet tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Andaj, ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, e ka siguruar fenë dhe nderin e tij. Ndërkaq, ai që bie në gjëra të dyshimta është sikurse bariu që kullot kopenë përbri zonës së ndaluar dhe në çdo çast bagëtitë mund të hyjnë në të. Andaj, dijeni, o njerëz, se çdo pronar ka zonën e vet të ndaluar, ndërsa zona e ndaluar e Allahut në Tokë janë haramet. Dijeni se në trup ndodhet një copë mishi, që, nëse është e shëndoshë, tërë trupi është i shëndoshë, e, nëse prishet, prishet tërë trupi. Vini re, ajo është zemra.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 52

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?