Sahihu i Buhariut — Hadithi 27

19. Nënkapitulli: Nëse dikush nuk e përqafon Islamin realisht, por nështrohet vetëm në aspektin e jashtëm, ose e bën nga frika se e vrasin

Allahu ﷻ ka thënë: “Beduinët deklarojnë: Ne besojmë. Thuaju: Ju nuk keni besuar! Por më mirë thoni: Ne përulemi...” (Huxhurat, 14) Përqafimi i vërtetë i Islamit përshkruhet në ajetin: “Me të vërtetë feja e vetme e pranuar tek Allahu është Islami...” (Ali Imran, 19) Dhe: “Atij që kërkon fe tjetër përveç Islamit, nuk do t'i pranohet...” (Ali Imran, 85)

27. Nga: Sad ibn Ebu Vekasi

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi nga Zuhriu, i cili ka thënë: Më ka rrëfyer Amiri, i biri i Sad ibn Ebu Vekasit, se Sadi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ u dha disa personave, e unë isha ulur pranë tyre, por anashkaloi një burrë për të cilin mendoja se ishte më i miri.” I thashë:

- O i Dërguari i Allahut, çfarë ke me filanin që nuk i dhe? Betohem në Allahun se unë e njoh për besimtar.

- “Apo thjesht për musliman?” - tha Pejgamberi ﷺ.

Heshta pak, por gjërat që dija për të më shtynë t'i thosha, kështu që iu ktheva sërish fjalës sime dhe thashë:

- Çfarë ke me filanin që nuk i dhe? Betohem në Allahun se unë e njoh për besimtar.

- “Apo thjesht për musliman?” - tha Pejgamberi ﷺ.

Akoma nuk më linte të qetë ajo që kisha përbrenda, kështu që e përsërita pyetjen time, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ ma ktheu të njëjtën përgjigje dhe tha:

“O Sad, unë mund t'i jap një njeriu, edhe pse dikush tjetër mund të jetë më i dashur për mua se ai, nga frika se Allahu mund ta hedhë në Zjarr.”

Hadithin po ashtu e transmetojnë Junusi, Salihu, Mameri dhe i biri i vëllait të Zuhriut, nga Zuhriu.

Referenca: Sahihu i Buhariut 27

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?