Sahihu i Buhariut — Hadithi 278

20. Nënkapitulli: Ai që lahet krejtësisht zhveshur kur është vetëm

Ndërsa, të mbuluarit gjatë pastrimit është më e lavdëruar. Behzi transmeton nga babai i tij, e pastaj nga gjyshi i tij (Muavije ibn Hajde), se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më parësore është të turpërohemi prej Allahut sesa prej njerëzve.”

278. Nga: Ebu Hurejra

Is'hak ibn Nasri na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Benu israilët e kanë pasur zakon që të zhveshur të laheshin duke parë kështu njëri-tjetrin, kurse Musai ﷺ pastrohej i vetëm. Thanë: “Betohemi në Allahun se Musai nuk po lahet së bashku me ne sepse është me të meta (në organet gjenitale).”

Një ditë, kur Musai shkoi të lahej, e vendosi rrobën e vet në një gur dhe guri filloi të ikë së bashku me rrobën e tij. Musai filloi të vrapojë pas tij duke thirrur: “Rrobën time, o gur! Rrobën time, o gur!” - derisa benu israilët e panë Musain dhe thanë: “Betohemi në Allahun se Musai nuk paska asnjë mangësi.” Pasi e kapi gurin, Musai e mori rrobën e tij dhe filloi ta godasë gurin.”

Ebu Hurejra thotë: “Betohem në Allahun se në atë gur kishte shenja të atyre gjashtë-shtatë goditjeve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 278

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?