5. Gusli
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe nëse jeni të papastër (xhunub), atëherë pastrohuni! Po nëse jeni të sëmurë ose në rrugë, ose në qoftë se keni kryer nevojë fiziologjike apo keni pasur marrëdhënie me gratë tuaja e nuk gjeni ujë, atëherë me duart tuaja prekni tokën e pastër dhe fshini fytyrat tuaja dhe duart tuaja (merrni tejemum), Allahu nuk do t’ju bëjë vështirësi, por do t’ju pastrojë dhe t’ju plotësojë dhuntinë e vet që të jeni mirënjohës (falënderues).” (Maide, 6) Allahu i Lartësuar ka thënë: “O besimtarë, mos iu afroni namazit kur jeni të dehur, përderisa nuk e dini çka thoni, dhe kur jeni të papastër, përveç nëse jeni në udhëtim, derisa të laheni. Por, nëse jeni të sëmurë ose udhëtarë, apo në qoftë se keni pasur marrëdhënie me gratë, e nuk keni gjetur ujë, atëherë me shuplakë prekni dheun e pastër dhe fshini fytyrat tuaja edhe duart deri në bërryla (merrni tejemum). Allahu jua fshin mëkatet dhe fal.” (Nisa, 43)
1. Nënkapitulli: Abdesi para guslit
248. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se, kur Pejgamberi ﷺ pastrohej nga xhunubllëku, së pari fillonte nga duart, pastaj merrte abdes sikurse për namaz, pastaj gishtërinjtë i fuste në ujë dhe me to i shpupurishte rrënjët e flokëve, i hidhte ujë kokës me grushte tri herë dhe, në fund, e përshkoi tërë trupin me ujë.
249. Nga: Mejmune bint Harithi
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi, e ky nga Kurejbi, e ky nga Ibn Abasi se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ merrte abdes siç merrte për namaz, përveçse nuk i lau këmbët, e pastroi organin gjenital dhe pjesën tjetër ku ishte përlyer, pastaj e përshkoi tërë trupin me ujë e, në fund, u zhvendos nga vendi ku ndodhej dhe i lau këmbët. Kështu pastrohej nga xhunubllëku.”
2. Nënkapitulli: Larja e burrit së bashku me gruan e vet
250. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Adem ibn Ebu Ijasi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë dhe Pejgamberi ﷺ pastroheshim nga një enë e përbashkët, në sasi të një fereku.”
3. Nënkapitulli: Larja me saë ose me diç të ngjashme
251. Nga: Ebu Seleme ibn Ekva
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Më ka treguar Abdusamedi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Ebu Bekër ibn Hafsi se Ebu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Unë dhe vëllai i Aishes hymë tek Aishja, e në atë rast ai e pyeti rreth guslit të Pejgamberit ﷺ. Ajo kërkoi një enë përafërsisht sa një saë. U pastrua me të dhe e derdhi mbi kokë. Në mes nesh dhe saj ishte një perde.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Jezid ibn Haruni, Behzi dhe Xhudiu transmetojnë nga Shuëbe: “Sa madhësia e një sait.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 251
Fjalë të panjohura?
252. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Ademi, e këtij i ka treguar Zuhejri, e ky nga babai i tij Is'haku se Ebu Xhaferi dhe babai i tij gjendeshin te një ndejë te Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), ku gjendeshin edhe disa persona të tjerë, të cilët e pyetën rreth guslit. Ai u tha: “Të mjafton një saë. Njëri prej tyre i tha: “Mua nuk më mjafton.” Atëherë Xhabiri ia ktheu: “I mjaftonte atij që ka pasur flokë më shumë e që ka qenë më i mirë se ti.” Pastaj na priu në namaz, i veshur vetëm me një rrobë.”
253. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Amri, e ky nga Xhabir ibn Zejdi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ dhe Mejmunia laheshin nga një enë e përbashkët.
Ebu Abdullahu (Buhariu): “Ibn Ujejne, së fundmi, thoshte: “Transmeton Ibn Abasi nga Mejmunia, por e sakta është ajo që e transmeton Ebu Nuajmi.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 253
Fjalë të panjohura?
4. Nënkapitulli: Derdhja e ujit tri herë mbi kokë
254. Nga: Xhubejr ibn Mutëimi
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri, e ky nga Ebu Is'haku, e këtij i ka treguar Sulejman ibn Suredi se Xhubejr ibn Mutëimi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa më përket mua, i hedh ujë kokës tri herë”, dhe demonstroi me të dy duart.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 254
Fjalë të panjohura?
255. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Beshari më ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Mihvel ibn Rashidi, e ky nga Muhamed ibn Aliu se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ hidhte ujë mbi kokë tri herë.”
256. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Mamer ibn Jahja ibn Samiu se Ebu Xhaferi tregon: “Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më ka thënë: “Më erdhi kushëriri yt, - kishte për qëllim Hasen ibn Muhamed ibn Hanefiun, - dhe tha: “Si të pastrohemi nga xhunubllëku?” I thashë: “Pejgamberi ﷺ i hidhte ujë kokës me grushte tri herë, pastaj e përshkonte tërë trupin me ujë.” Haseni më tha: “Unë kam flokë të shpeshtë.” I thashë: “Pejgamberi ﷺ ka pasur flokë më shumë se ti.”
5. Nënkapitulli: Larja e trupit gjatë guslit vetëm një herë
257. Nga: Mejmune bint Harithi
Musa (ibn Ismaili) na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e ky nga Ameshi, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi, e ky nga Kurejbi, e ky nga Ibn Abasi se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ i vendosa ujë për t'u larë. Ai e lau dorën dy-tri herë, pastaj i hodhi ujë së majtës e i lau organet gjenitale dhe e përshkoi dorën për dheu. Pastaj e shpëlau gojën dhe hundën, lau fytyrën dhe duart, e përshkoi me ujë tërë trupin e, në fund, e ndërroi vendin dhe i lau të dy këmbët.”
6. Nënkapitulli: Fillimi me enë (pastrimin me ujë) ose me parfum gjatë guslit
258. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Ebu Asimi, e ky nga Handhale, e ky nga Kasimi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur Pejgamberi ﷺ pastrohej nga xhunubllëku, kërkonte enë sikurse mjelca. Merrte ujë me grusht (prej saj). Fillonte nga ana e djathtë e kokës, vazhdonte nga e majta dhe me duar e fërkonte kokën.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 258
Fjalë të panjohura?
7. Nënkapitulli: Shpëlarja e gojës dhe hundës gjatë pastrimit nga xhunubllëku
259. Nga: Mejmune bint Harithi
Omer ibn Hafs ibn Gijathi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Salimi, e ky nga Kurejbi, e ky nga Ibn Abasi se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberit ﷺ ia përgatita ujin për pastrim. Ai, me dorën e djathtë, i hodhi ujë dorës së majtë dhe i lau të dyja, pastaj e pastroi organin gjenital dhe përshkoi dorën për dheu, e pastaj e lau. E shpëlau gojën dhe hundën, e lau fytyrën dhe hodhi ujë mbi kokë. Pastaj u zhvendos nga ku ishte dhe i lau këmbët. Në fund, i sollën një peshqir, por nuk u fshi me të.”
8. Nënkapitulli: Përshkimi i dorës për dheu, për ta pastruar më mirë
260. Nga: Mejmune bint Harithi
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi, e ky nga Kurejbi, e ky nga Ibn Abasi se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ u pastrua nga xhunubllëku duke larë organin gjenital me dorën e tij, pastaj përshkoi dorën për muri dhe sërish e lau me ujë. Mori abdes, siç merrte për namaz e, pasi e përfundoi guslin, i lau edhe këmbët.
9. Nënkapitulli: A i lejohet personit xhunub të fusë dorën në enë para se ta pastrojë atë, nëse nuk ka ndonjë ndyrësirë tjetër përpos xhunubllëkut?
Ibn Omeri dhe Bera ibn Azibi kanë futur dorën në ujin e abdesit pa e larë atë, pastaj kanë marrë abdes. Ibn Omeri dhe Ibn Abasi nuk i konsideronin problematike stërpikat e ujit gjatë larjes nga xhunubllëku (nëse ato bien nga trupi në enën që përmban ujë të pastër).
261. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka rrëfyer Eflahu, e ky nga Kasimi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë dhe Pejgamberi ﷺ laheshim nga një enë e përbashkët dhe na takoheshin duart e njëri-tjetrit.”
262. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur i Dërguari i Allahut ﷺ pastrohej nga xhunubllëku, së pari lante duart.
263. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Ebu Bekër ibn Hafsi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Unë dhe Pejgamberi ﷺ pastroheshim nga xhunubllëku nga një enë e përbashkët.”
Transmetohet e njëjta gjë nga Abdurrahman ibn Kasimi e ky nga babai i tij, e ky nga Aishja.
264. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Abdullah ibn Abdullah ibn Xhebri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ pastrohej së bashku me ndonjërën nga gratë e tij nga një enë e përbashkët.”
Muslimi dhe Vehbiu (në transmetimin e tyre) kanë shtuar nga Shuëbe: “Nga xhunubllëku.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 264
Fjalë të panjohura?
10. Nënkapitulli: (Lejohet) ndarja (e larjes së gjymtyrëve) të abdesit dhe gusllit (dhe nuk kushtëzohet larja e tyre njëra pas tjetrës, pa ndërprerje)
Tregohet se Ibn Omeri i ka larë këmbët (kur ka marrur abdes) pasi i është tharë abdesi.
265. Nga: Mejmune bint Harithi
Muhamed ibn Mahbubi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, e ky nga Ibn Abasi se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i vendosa ujë për t'u larë. Ai filloi të hedhë ujë mbi duart e tij, që i lau dy-tri herë. Pastaj, me dorën e djathtë, i hodhi ujë së majtës dhe me të lau organet gjenitale, për ta përshkuar më pas dorën e majtë për dheu. Pastaj, vazhdoi me shpëlarjen e gojës dhe hundës, i lau fytyrën dhe duart, e lau kokën tri herë dhe i hodhi ujë tërë trupit. E, në fund, u zhvendos nga vendi ku ndodhej dhe i lau këmbët.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 265
Fjalë të panjohura?
11. Nënkapitulli: Derdhja e ujit me dorën e djathtë në të majtën gjatë larjes
266. Nga: Mejmune bint Harithi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e këtij i ka treguar Ameshi, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, e ky nga Ibn Abasi se Mejmune bint Harithi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ ia vendosa ujin për t'u larë dhe e mbulova atë (që të mos shihej). Qiti ujë në dorë dhe e lau atë një ose dy herë. - Sulejmani thotë: “Nuk di a e ka përmendur edhe herën e tretë a jo.” - Pastaj, me dorën e djathtë, qiti ujë në të majtën, me të cilën e lau organin gjenital dhe, më pas, e përshkoi dorën për toke - ose ka thënë: për muri. Pastaj shpëlau gojën dhe hundën, lau fytyrën dhe duart, lau kokën dhe i qiti ujë tërë trupit. E, në fund, u zhvendos nga vendi ku ndodhej dhe i lau këmbët. Pasi e përfundoi, i ofrova një peshqir, por bëri me dorë, kështu, dhe nuk e deshi.”
12. Nënkapitulli: Ai që kryen e rikryen marrëdhënie intime dhe ai që kryen marrëdhënie intime me të gjitha gratë e tij vetëm me një gusël
267. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ebu Adiu dhe Jahja ibn Seidi, e këta nga Shuëbe, e ky nga Ibrahim ibn Muhamed ibn Munteshiri, se babai i tij, Muhamed ibn Munteshiri ka thënë: “Ia përmenda Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) (qëndrimin kritik të Ibn Omerit ndaj parfumimit gjatë ihramit) e më tha: “Allahu e mëshiroftë Ebu Abdurrahmanin! Unë e parfumoja të Dërguarin e Allahut ﷺ, pastaj shkonte te gratë e veta (bënte marrëdhënie e, pasi pastrohej), vishte ihramin, ndërsa era e parfumit vazhdonte t'i erëmonte.”
268. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Muadh ibn Hishami, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ gjatë një pjese të ditës ose natës bënte marrëdhënie me gratë e tij, të cilat kanë qenë njëmbëdhjetë.” I thashë Enesit: “A mund ta bënte këtë?” Ai tha: “Nëpër bisedat tona përmendnim se Pejgamberit ﷺ i është dhënë fuqia e tridhjetë burrave.”
Seidi transmeton nga Katadja se Enesi u ka thënë: “Ato kanë qenë nëntë gra.”
13. Nënkapitulli: Pastrimi i lëngut paraspermal dhe marrja e abdesit për shkak të tij
269. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Ebu Velidi na ka thënë: Na ka treguar Zaide, e ky nga Ebu Hasini, e ky nga Ebu Abdurrahmani se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Shpesh më rridhte lëngu paraspermal, andaj porosita një person të pyeste Pejgamberin ﷺ, (sepse kisha turp) për shkak të bijës së tij.” Ai iu përgjigj: “Merr abdes dhe pastroje organin gjenital.”
14. Nënkapitulli: Ai që parfumohet e pastaj lahet, ndërkohë shenjat e parfumit vazhdojnë t'i duken
270. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Ibrahim ibn Muhamed ibn Munteshiri, se babai i tij, Muhamed ibn Munteshiri ka thënë: “E pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth fjalës së Ibn Omerit: “Nuk më pëlqen të hyj në ihram e të më vijë era parfum.” Aishja m'u përgjigj: “Unë e parfumoja të Dërguarin e Allahut ﷺ, pastaj ai bënte marrëdhënie me gratë e veta (pastaj lahej) dhe, në fund, hynte në ihram.”
271. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Hakemi, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ende më duket sikur shoh shkëlqimin e parfumit në flokët e Pejgamberit ﷺ duke qenë në ihram.”
15. Nënkapitulli: Shpupuritja e flokëve me duar derisa t'ia marrë mendja se e ka lagur mjaftueshëm lëkurën (e kokës), pastaj derdh ujë mbi të
272. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Hisham ibn Urve, e ky nga babai i vet se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ pastrohej nga xhunubllëku, së pari fillonte nga duart, pastaj merrte abdes sikurse për namaz, pastaj lahej: shpupurishte flokët me dorë (që të depërtonte uji) e, kur sigurohej se kishte larë lëkurën e kokës, i hidhte ujë kokës tri herë dhe, më pas, e pastronte tërë trupin me ujë.” Aishja tha: "Lahesha me Pejgamberin ﷺ dhe merrnim ujë nga ena e njëjtë së bashku."
273. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Unë dhe Pejgamberi ﷺ laheshim nga një enë e përbashkët, nga e cila merrnim ujë së bashku.”
16. Nënkapitulli: Abdesi gjatë guslit dhe larja e tërë trupit, pa i larë sërish gjymtyrët e abdesit pas përfundimit të guslit (pas përfundimit të guslit)
274. Nga: Mejmune bint Harithi
Jusuf ibn Isai na ka thënë: Na ka rrëfyer Fadël ibn Musai, e këtij i ka rrëfyer Ameshi, e ky nga Salimi, e ky nga Kurejbi, i çrobëruari i Ibn Abasit, e ky nga Ibn Abasi se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ e vuri ujin për t'u larë nga xhunubllëku, e në atë rast me dorën e djathtë i qiti ujë së majtës dy-tri herë dhe lau organin gjenital, pastaj e përshkoi dorën e majtë për dheu, - ose ka thënë: për muri, - dy-tri herë. Pastaj vazhdoi me shpëlarjen e gojës dhe hundës, lau fytyrën dhe duart deri te bërrylat, derdhi ujë në kokën e tij pastaj e lau tërë trupin. E, në fund, u zhvendos nga vendi ku ndodhej dhe i lau këmbët. (Pasi e përfundoi), i ofrova një arnë (si peshqir), por nuk e deshi dhe me dorë filloi ta shkundte ujin nga trupi.”
17. Nënkapitulli: Kur personit në xhami i kujtohet se është xhunub, del prej xhamisë ashtu si është, pa marrë tejemum
275. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Othman ibn Omeri, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ebu Seleme se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë u thirr ikameti për namaz, u drejtuan safat dhe i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi për të na falur namazin. Kur u drejtua në vendfalje (për të na prirë në namaz), iu kujtua se është xhunub, ndaj na tha: “Qëndroni në vendet tuaja!” Shkoi dhe u pastrua. Kur u kthye, koka ende i pikonte ujë. Mori tekbirin fillestar dhe ne u falëm me të.”
Transmetimin e Othman ibn Omerit e forcon Abdulalai, e ky nga Mameri, e ky nga Zuhriu. Po ashtu Evzaiu e transmeton nga Zuhriu.
18. Nënkapitulli: Shkundja e duarve në guslin pas xhunubllëkut
276. Nga: Mejmune bint Harithi
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Hamzai, e ky e ka dëgjuar Ameshin, e ky nga Salimi, e ky nga Kurejbi, e ky nga Ibn Abasi se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberit ﷺ ia vura ujin për t'u larë dhe e mbulova atë me një rrobë (që të mos shihej). U qiti ujë duarve dhe i lau. Pastaj, me dorën e djathtë, qiti ujë në dorën e tij të majtë dhe e lau organin gjenital, pastaj e përshkoi dorën për dheu dhe e fshiu atë. Pastaj, e lau dorën. Në vazhdim, shpëlau gojën dhe hundën, lau fytyrën dhe duart deri në bërryla, derdhi ujë në kokën e tij pastaj i qiti ujë tërë trupit. E, në fund, u zhvendos nga vendi ku ndodhej dhe i lau këmbët. Pasi e përfundoi, i ofrova një rrobë (si peshqir), por nuk e deshi dhe u largua duke i shkundur duart.”
19. Nënkapitulli: Gusli nis me pastrimin e anës së djathtë të kokës
277. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Halad ibn Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Nafiu, e ky nga Hasen ibn Muslimi, e ky nga Safije bint Shejbe se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur ndonjëra prej nesh bëhej xhunub, me dy duart hidhte ujë në kokë tri herë, pastaj, me njërën dorë, hidhte ujë në anën e djathtë, si dhe, me dorën tjetër, në anën e majtë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 277
Fjalë të panjohura?
20. Nënkapitulli: Ai që lahet krejtësisht zhveshur kur është vetëm
Ndërsa, të mbuluarit gjatë pastrimit është më e lavdëruar. Behzi transmeton nga babai i tij, e pastaj nga gjyshi i tij (Muavije ibn Hajde), se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Më parësore është të turpërohemi prej Allahut sesa prej njerëzve.”
278. Nga: Ebu Hurejra
Is'hak ibn Nasri na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemam ibn Munebihu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Benu israilët e kanë pasur zakon që të zhveshur të laheshin duke parë kështu njëri-tjetrin, kurse Musai ﷺ pastrohej i vetëm. Thanë: “Betohemi në Allahun se Musai nuk po lahet së bashku me ne sepse është me të meta (në organet gjenitale).”
Një ditë, kur Musai shkoi të lahej, e vendosi rrobën e vet në një gur dhe guri filloi të ikë së bashku me rrobën e tij. Musai filloi të vrapojë pas tij duke thirrur: “Rrobën time, o gur! Rrobën time, o gur!” - derisa benu israilët e panë Musain dhe thanë: “Betohemi në Allahun se Musai nuk paska asnjë mangësi.” Pasi e kapi gurin, Musai e mori rrobën e tij dhe filloi ta godasë gurin.”
Ebu Hurejra thotë: “Betohem në Allahun se në atë gur kishte shenja të atyre gjashtë-shtatë goditjeve.”
279. Nga: Ebu Hurejra
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një ditë, teksa Ejubi ﷺ po lahej i zhveshur, para tij ranë disa karkaleca të artë. Ejubi filloi t'i tubojë me dorë në rrobën e tij. Atëherë Zoti i tij e thirri: “O Ejub! A nuk të kam dhënë mjaftueshëm, që të mos kesh nevojë për këto që po sheh?” Ai tha: “Posi, o Zoti im! Por, nuk ngopem dot nga begatitë e Tua.”
Ibrahimi e transmeton nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Safvani, e ky nga Ata ibn Jesari, e ky nga Ebu Hurejra se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Një ditë, teksa Ejubi ﷺ po lahej i zhveshur.”
21. Nënkapitulli: Mbulimi nga të tjerët gjatë guslit në prani të njerëzve
280. Nga: Umu Hani bint Ebu Talibi
Abdullah ibn Mesleme na ka treguar se Maliku ka transmetuar nga Ebu Nadri, i çrobëruari i Omer ibn Ubejdullahut, e këtij i ka rrëfyer Ebu Murra, i çrobëruari i Umu Hanit, se Umu Hani bint Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Në vitin e Çlirimit (të Mekës) shkova te Pejgamberi ﷺ, të cilin e gjeta duke u larë, kurse Fatimja po e mbulonte me një rrobë (që të mos shihej). Ai tha: “Kush është kjo?”
- Jam unë, Umu Hani, - i thashë.”
281. Nga: Mejmune bint Harithi
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Salim ibn Ebu Xhadi, e ky nga Kurejbi, e ky nga Ibn Abasi se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberin ﷺ e mbulova me një rrobë (që të mos shihej) teksa po pastrohej nga xhunubllëku. Fillimisht, lau duart, pastaj, me dorën e djathtë i qiti ujë së majtës, lau organin gjenital dhe pjesët e përlyera përreth, pastaj e përshkoi dorën për muri, - ose ka thënë për toke. Në vazhdim, mori abdes, siç merrte për namaz, përveç këmbëve, dhe i hodhi ujë tërë trupit. E, në fund, u zhvendos (nga vendi ku ndodhej) dhe i lau këmbët.”
Transmetimin e Sufjanit e forcojnë Ebu Avane dhe Ibn Fudajli, në lidhje me mbulimin.
22. Nënkapitulli: Çfarë duhet të bëjë femra që ejakulon në gjumë?
282. Nga: Umu Seleme
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i vet, e ky nga Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Seleme, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: “Umu Sulejmi, gruaja e Ebu Talhait, erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Allahu nuk turpërohet nga e vërteta. Andaj, a i obligohet femrës gusli nëse ejakulon në gjumë?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Po, nëse sheh se është lagur.”
23. Nënkapitulli: Djersët e njeriut xhunub dhe fakti se muslimani nuk konsiderohet i ndytë
283. Nga: Ebu Hurejra
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Humejdi, e këtij i ka treguar Bekri, e ky nga Ebu Rafiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e takoi Pejgamberin ﷺ në një prej rrugëve të Medinës duke qenë xhunub: “Iu përvodha e shkova u lava, pastaj vajta te Pejgamberi ﷺ, i cili më tha: “Ku ishe, o Ebu Hurejre?”
Thashë: “Isha xhunub, andaj nuk doja të qëndroja me ty duke qenë i papastër.”
Pejgamberi ﷺ tha: “Subhanallah! Besimtari nuk bëhet i ndytë.”
24. Nënkapitulli: Personit xhunub i lejohet të dalë dhe të shëtisë nëpër treg ose gjetiu
Atai ka thënë: "Personi xhunub mund të bëjë hixhamen, t’i presë thonjtë, të rruajë kokën, edhe nëse nuk merr abdes."
284. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdulala ibn Hamadi na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ bënte marrëdhënie me të gjitha gratë e tij brenda një nate të vetme. Atëkohë ato ishin nëntë sosh.
285. Nga: Ebu Hurejra
Ajashi na ka thënë: Na ka treguar Abdulalai, e këtij i ka treguar Humejdi, e ky nga Bekri, e ky nga Ebu Rafiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më takoi teksa isha xhunub. Më kapi për dore dhe ecëm së bashku derisa u ul diku. Iu përvodha disi dhe shkova në shtëpi e u pastrova. Kur u ktheva, teksa po qëndronte ulur, më tha: “Ku ishe, o Ebu Hurejre?”
Ia tregova arsyen e largimit.
Ai më tha: “Subhanallah, o Ebu Hurejre! Besimtari nuk bëhet i ndytë.”
25. Nënkapitulli: Qëndrimi i personit xhunub në shtëpi, nëse merr abdes para se të lahet
286. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na kanë treguar Hishami dhe Shejbani, e këta dy nga Jahjai se Ebu Seleme thotë: “E pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A binte Pejgamberi ﷺ për të fjetur duke qenë xhunub?” Ajo më tha: “Po, vetëm merrte abdes.”
26. Nënkapitulli: Fjetja duke qenë xhunub
287. Nga: Omer ibn Hatabi
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “A na lejohet të flemë duke qenë xhunub?”
Pejgamberi ﷺ iu përgjigj: “Po, nëse dikush merr abdes, mund të flejë, edhe nëse është xhunub.”
27. Nënkapitulli: Personi xhunub së pari merr abdes, pastaj bie në gjumë
288. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Xhaferi, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahmani, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur Pejgamberi ﷺ donte të flinte, ndërkohë ishte xhunub, së pari e lante organin gjenital, pastaj merrte abdes sikurse për namaz.”
289. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Xhuvejriu, e ky nga Nafiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Omeri e pyeti Pejgamberin ﷺ: “A na lejohet të flemë duke qenë xhunub?”
Ai i tha: “Po, nëse merr abdes.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 289
Fjalë të panjohura?
290. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdullah ibn Dinari se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omer ibn Hatabi i përmendi të Dërguarit të Allahut ﷺ se ndonjëherë bëhet xhunub gjatë natës, e në atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Merr abdes dhe pastroje organin gjenital, pastaj fli.”
28. Nënkapitulli: Futja e kokës së organit intim mashkullor në organin femëror
291. Nga: Ebu Hurejra
Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami. [t]: Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Katadja, e ky nga Haseni, e ky nga Ebu Rafiu se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të shtrihet sipër saj dhe bën marrëdhënie me të, obligohet gusli.”
Amri e transmeton nga Shuëbe me tekst të njëjtë duke e forcuar kështu transmetimin e Hishamit. Ndërkaq, Musai ka thënë: “Na ka treguar Ebani, e këtij i ka treguar Katadja, e këtij i ka rrëfyer Haseni, me tekst të njëjtë.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 291
Fjalë të panjohura?
29. Nënkapitulli: Pastrimi i vendit të lagur me lëngun e organit intim të femrës
292. Nga: Othman ibn Afani
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e ky nga Husejni, e ky nga Jahjai se ka thënë: Më ka rrëfyer Ebu Seleme, e këtij i ka rrëfyer Ata ibn Jesari se Zejd ibn Halid Xhuheniu tregon se e ka pyetur Othman ibn Afanin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Çfarë duhet të veprojë ai që kryen marrëdhënie me gruan e vet, por nuk ejakulon?” Othmani iu përgjigj: “Merr abdes sikurse për namaz dhe e pastron organin gjenital. Këtë e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ.”
Pastaj e pyeta edhe Ali ibn Ebu Talibin, Zubejr ibn Avamin, Talha ibn Ubejdullahun e Ubej Ibn Kabin, që të gjithë më urdhëruan të njëjtën gjë.”
Jahjai ka thënë: “Më ka rrëfyer Ebu Seleme, e këtij i ka rrëfyer Urve ibn Zubejri, e këtij i ka rrëfyer Ebu Ejubi se e ka dëgjuar këtë nga i Dërguari i Allahut ﷺ.”
293. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Hisham ibn Urve, e këtij i ka rrëfyer babai i tij, e këtij i ka rrëfyer Ebu Ejubi se Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut? Çfarë duhet të veprojë nëse dikush bën marrëdhënie me gruan e vet, por nuk ejakulon?”
Ai tha: “E pastron pjesën që është përlyer prej lëngut të femrës, pastaj merr abdes dhe falet.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë: “Të marrë gusël është më e sigurt, sepse kjo është dispozita përfundimtare në këtë temë. Ndërkaq, hadithin paraprak e përmendëm për shkak të mendimeve të ndryshme që kanë ekzistuar në këtë çështje (nëse obligohet gusli kur dikush bën marrëdhënie intime pa ejakuluar).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 293
Fjalë të panjohura?