Sahihu i Buhariut — Hadithi 296
2. Nënkapitulli: Femra me menstruacione ia lan kokën bashkëshortit e ia kreh flokët
296. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Xhurejxhi se Hisham ibn Urve tregon se Urve u pyet: “A bën të më shërbejë gruaja me menstruacione, ose të më afrohet teksa është xhunub?”
Urve u përgjigj: “Të gjitha këto (shërbimi dhe afrimi i grave) janë të lehta për mua dhe, të tillat (me menstruacione ose kur janë xhunub) më shërbejnë pa problem. Këtë çështje askush nuk e konsideron problematike. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më ka treguar se ia krihte flokët të Dërguarit të Allahut ﷺ teksa ishte me menstruacione. I Dërguari i Allahut ﷺ ishte brenda në xhami (duke bërë itikaf), ia afronte kokën dhe ajo, duke qenë brenda dhomës së saj, ia krihte flokët, edhe pse ishte me menstruacione.”