6. Menstruacionet

Allahu i Lartësuar ka thënë‎‎: “Të pyesin ty për ciklin mujor të femrave. Thuaju: “Ajo është e neveritshme.” Prandaj, gjatë kësaj kohe, largohuni prej tyre dhe mos iu afroni derisa të pastrohen. E pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato ashtu si ju ka urdhëruar Allahu. Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen.” (Bekare, 222)

1. Nënkapitulli: Zanafilla e menstruacioneve

Pejgamberi ﷺ përkitazi me menstruacionet ka thënë: “Kjo është diçka që Allahu ka përcaktuar për bijat e Ademit.” Disa kanë thënë se menstruacionet kanë filluar për herë të parë te beni israilët. Ebu Abdullahu (Buhariu) thotë se hadithi i Pejgamberit ﷺ aludon për një kohë më të gjatë (sesa vetëm gjatë kohës së beni israilëve).

1. Nënkapitulli: Çështjet e femrave kur u vijnë menstruacionet

294. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka dëgjuar Abdurrahman ibn Kasimin, e ky e ka dëgjuar Kasimin se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Morëm rrugë (për në Mekë) dhe qëllim i vetëm yni ishte nijeti për haxh. Gjatë qëndimit në Serife, më erdhën menstruacionet. I Dërguari i Allahut ﷺ erdhi tek unë dhe më gjeti duke qarë, andaj më tha: “Çfarë ke? Të janë paraqitur menstruacionet?”

- Po, - i thashë.

Ai tha: “Këtë gjë Allahu ua ka caktuar bijave të Ademit, andaj kryeji të gjitha veprimet e haxhit, përveç tavafit rreth Qabesë.”

Aishja thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ për gratë e tij theri lopë për kurban.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 294

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?

2. Nënkapitulli: Femra me menstruacione ia lan kokën bashkëshortit e ia kreh flokët

295. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i vet se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ ia krihja flokët, ndërkohë isha me menstruacione.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 295

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

296. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Xhurejxhi se Hisham ibn Urve tregon se Urve u pyet: “A bën të më shërbejë gruaja me menstruacione, ose të më afrohet teksa është xhunub?”

Urve u përgjigj: “Të gjitha këto (shërbimi dhe afrimi i grave) janë të lehta për mua dhe, të tillat (me menstruacione ose kur janë xhunub) më shërbejnë pa problem. Këtë çështje askush nuk e konsideron problematike. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më ka treguar se ia krihte flokët të Dërguarit të Allahut ﷺ teksa ishte me menstruacione. I Dërguari i Allahut ﷺ ishte brenda në xhami (duke bërë itikaf), ia afronte kokën dhe ajo, duke qenë brenda dhomës së saj, ia krihte flokët, edhe pse ishte me menstruacione.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 296

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

3. Nënkapitulli: Leximi i Kuranit duke qenë i mbështetur në prehrin e bashkëshortes me menstruacione

Ebu Vaili e dërgonte shërbëtoren e vet, duke qenë me menstruacione, tek Ebu Razini që t’ia çonte mus’hafin, ndërkohë ajo e mbante atë (mus’hafin) duke e kapur për litari (të qeses në të cilën gjendej mus’hafi).

297. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Nuajm Fadël ibn Dukejni na ka treguar se e ka dëgjuar Zuhejrin, e ky nga Mensur ibn Safija, e këtij i ka treguar nëna e tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ mbështetej në prehrin tim teksa unë isha me menstruacione, pastaj lexonte Kuran.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 297

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

4. Nënkapitulli: Përdorimi i fjalës ‘nifas’ për menstruacionet

298. Nga: Umu Seleme

Mekij ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahja ibn Ebu Kethiri, e ky nga Ebu Seleme, e këtij i ka treguar Zejnebja, e bija e Umu Selemes, se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Teksa unë dhe Pejgamberi ﷺ ishim të shtrirë e të mbuluar me një batanije të zezë, më erdhën menstruacionet, andaj u largova fshehurazi. I vesha rrobat e kohës së menstruacioneve, ndërsa Pejgamberi ﷺ më tha: “T'u paraqit nifasi (menstruacionet)?”

- Po, - i thashë.

Atëherë më ftoi dhe u shtriva me të nën mbulesë kadifeje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 298

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

5. Nënkapitulli: Dëfrimi me gruan me menstruacione

299. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kabisa na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pastrohesha bashkë me Pejgamberin ﷺ nga një enë e përbashkët, ndërkohë të dy ishim xhunub.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 299

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

300. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më urdhëronte të vishja izarin (rrobë të poshtme) e pastaj më ledhatonte, ndërkohë unë isha me menstruacione.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 300

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

301. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur Pejgamberi ﷺ ishte në itikaf, e fuste kokën tek unë (në dhomë) dhe ia laja, edhe pse isha me menstruacione.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 301

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?

302. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ismail ibn Halili na ka thënë: Na ka rrëfyer Ali ibn Mus'hiri, e këtij i ka rrëfyer Ebu Is'hak Shejbaniu, e ky nga Abdurrahman ibn Esvedi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kur ndonjëra prej nesh ishte me menstruacione dhe i Dërguari i Allahut ﷺ dëshironte të dëfrehej me të, e urdhëronte që gjatë pikut të menstruacioneve të mbulohej (nga kërthiza e teposhtë), pastaj e ledhatonte. Cili prej jush mund ta përmbajë epshin siç e përmbante ai ﷺ?”

Transmetimin e Ali ibn Mus'hirit nga Shejbaniu e forcojnë Halidi dhe Xheriri.

Referenca: Sahihu i Buhariut 302

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

303. Nga: Mejmune bint Harithi

Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Abdulvahidi, e këtij i ka treguar Shejbaniu, e këtij i ka treguar Abdullah ibn Shedadi se Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte: “Kur i Dërguari i Allahut ﷺ dëshironte të ledhatonte ndonjë grua të veten teksa ishte me menstruacione, së pari e urdhëronte të vishej me izar (rrobë të poshtme).”

E ka transmetuar po ashtu Sufjani nga Shejbaniu.

Referenca: Sahihu i Buhariut 303

Fjalë të panjohura?

6. Nënkapitulli: Femra me menstruacione e braktis agjërimin

304. Nga: Ebu Seid Hudriu

Seid ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Zejd ibn Eslemi, e ky nga Ijad ibn Abdullahu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ doli në namazgjah për Bajramin e Kurbanit, - ose ka thënë: Fitrit, - dhe kaloi pranë grave e u tha: “O ju gra! Jepni lëmoshë, sepse (natën që jam ngritur në qiell) kam parë që ju jeni banoret më të shumta të Zjarrit.”

Ato e pyetën: “Përse, o i Dërguari i Allahut?”

Pejgamberi ﷺ u tha: “Mallkoni shpesh dhe e përbuzni mirësinë (e bashkëshortit ose të dikujt të tillë). Nuk kam parë të mangëta në mendje dhe fe e që ia turbullojnë mendjen burrit të matur më shumë se ju (gratë).”

- E çfarë mangësie ka në fenë dhe mendjen tonë, o i Dërguari i Allahut? - pyetën ato.

- “A nuk konsiderohet dëshmia e gruas sa gjysma e dëshmisë së burrit?” - i pyeti Pejgamberi ﷺ.

- Po, ashtu është, - thanë ato.

- “Kjo konsiderohet mangësi në mendje. Po ashtu, kur i vijnë menstruacionet, a nuk e lë namazin dhe agjërimin?”

- Po, ashtu është, - thanë gratë.

- “Kjo konsiderohet mangësi në fe”, - u tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 304

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

7. Nënkapitulli: Femra me menstruacione i kryen të gjitha ritet e haxhit, përveç tavafit rreth Qabesë

Ibrahim Nehaiu ka thënë: "Nuk prish punë nëse këndon ndonjë ajet." Ibn Abasi nuk e konsideron diç problematike nëse xhunubi lexon Kuran. Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ e përmendte Allahun ﷻ në çfarëdo gjendje që ishte. Umu Atija ka thënë: "Në kohën e Pejgamberit ﷺ na porosisnin që edhe gratë me menstruacione të dilnin e të bënin tekbire dhe dua me ta (në Bajram)." Ibn Abasi thotë se Ebu Sufjani më ka rrëfyer se Herakliu e mori letrën e Pejgamberit ﷺ dhe e lexoi, ndërsa në të shkruante: “Bismilahi Rrahmani Rrahim (Me emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshirëbërësit): “Thuaj: O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët edhe për ne edhe për ju; që të mos adhurojmë tjetër përveç Allahut, asgjë të mos i bëjmë shok dhe se nuk do të mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut. E nëse ata refuzojnë, thoni: Dëshmoni se ne njëmend jemi muslimanë!” (Ali Imran, 64) Atai transmeton nga Xhabiri‎ se: "Aishes i erdhën menstruacionet, e në atë rast i kreu të gjitha ritet e haxhit, përveç namazit dhe tavafit rreth Qabesë." Hakemi ka thënë: "Unë ther kurban edhe nëse jam xhunub. Allahu ﷻ ka thënë: “Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut...” (Enam, 121)

305. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Seleme, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Me Pejgamberin ﷺ u nisëm (për në Mekë) e nuk na binte ndërmend (të bënim njet) përveç haxhit dhe, kur arritëm në Serife, m'u paraqitën menstruacionet. Pejgamberi ﷺ erdhi tek unë e më gjeti duke qarë, andaj më tha:

- “Pse po qan?”

- Betohem në Allahun se do të doja të mos isha nisur për haxh këtë vit, - i thashë.

- “A t'u paraqitën menstruacionet”, - më pyeti Pejgamberi ﷺ.

- Po, - i thashë.

- “Këtë gjë Allahu ua ka caktuar bijave të Ademit, andaj vepro çdo gjë që vepron haxhiu, përveç tavafit rreth Qabesë, derisa të pastrohesh”, - tha Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 305

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?

8. Nënkapitulli: Gjakrrjedhja e çrregullt

306. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hisham ibn Urve, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatime bint Ebu Hubejshi i tha Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Nuk po më ndërpriten (menstruacionet), a ta lë namazin?” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Ajo që po të ndodh ty është gjakrrjedhje e çrregullt, e jo gjak menstrual. Andaj, kur të të vijë koha e menstruacioneve, lëre namazin, e, kur të kalojë, pastroje gjakun dhe falu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 306

Fjalë të panjohura?

9. Nënkapitulli: Larja e gjakut të menstruacioneve

307. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Hishami, e ky nga Fatime bint Mundhiri se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një grua e pyeti Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë të veprojë ajo që gjaku i menstruacioneve ia ndot rrobat?” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Nëse gjaku i menstruacioneve ia ndot rrobat, atëherë le ta fërkojë me maja të gishtërinjve, pastaj le ta shpëlajë me ujë dhe le të falet me të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 307

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

308. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Esbegu na ka thënë: Më ka rrëfyer Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amër ibn Harithi, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, se këtij i ka treguar babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Ndonjëra prej nesh ishte me menstruacione, pastaj, me t'i mbaruar cikli menstrual, e fërkonte gjakun në rroba me maja të gishtërinjve, duke e larë me ujë (pjesën e gjakut) dhe duke spërkatur pjesën tjetër, e pastaj falej me atë rrobë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 308

Fjalë të panjohura?

10. Nënkapitulli: Qëndrimi në itikaf i femrës që ka gjakrrjedhje të çrregullt

309. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Is'haku na ka thënë: Na ka treguar Halid ibn Abdullahu, e ky nga Halidi, e ky nga Ikrime se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëra prej grave të Pejgamberit ﷺ bëri itikaf me të. Ajo kishte gjakrrjedhje të çrregullt saqë e vërente gjakun (tek rridhte), madje detyrohej të merrte ndonjë enë me vete dhe ta vendoste poshtë saj (për të mos e ndotur xhaminë).

Ikrime thotë se Aishja pa lëng me ngjyrë portokalli në të kuqe dhe tha: “Ngjan me gjakun që e përmendte filania.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 309

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

310. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e ky nga Halidi, e ky nga Ikrime se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Një grua e të Dërguarit të Allahut ﷺ bëri itikaf me të dhe, teksa falej vërente tek i rridhte gjaku dhe lëngu me ngjyrë të verdhë, ndërsa ena ishte e vendosur poshtë saj.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 310

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

311. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga Halidi, e ky nga Ikrime se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se disa nga nënat e besimtarëve (gratë e Pejgamberit ﷺ) hynë në itikaf derisa kishin gjakrrjedhje të çrregullt.

Referenca: Sahihu i Buhariut 311

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

11. Nënkapitulli: A i lejohet femrës të falet me rroba të ndotura me gjak menstrual?

312. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Nafiu, e ky nga Ibn Ebu Nexhihu, e ky nga Muxhahidi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Nuk kemi pasur më shumë se nga një rrobë, të cilën e vishnim edhe kur ishim me menstruacione. E, nëse ndonjërës prej nesh i ndyhej (pak) me gjak menstruacionesh, e lagte me pështymë dhe e fërkonte me thua.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 312

Fjalë të panjohura?

12. Nënkapitulli: Parfumimi i femrës me rastin e larjes nga menstruacionet

313. Nga: Umu Atija Ensarja

Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Hafsa se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Për të vdekurin na ndalohej të mbanim zi më shumë se tri ditë, përveç për vdekjen e burrit, për të cilin mbahej zi katër muaj e dhjetë ditë. Na ndalohej po ashtu ta përdornim kuhlin, parfumin dhe veshjen e rrobave me ngjyra (të cilat zakonisht i përdornim për zbukurim), përveç një lloj rrobe jemenase. Mirëpo, kur pastroheshim nga menstruacionet, na lejohej të përdornim parfum në sasi të vogël, aq sa të mënjanohej era e rëndë, si dhe na ndalohej përcjellja e xhenazes.”

Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Këtë e ka transmetuar po ashtu Hisham ibn Hasani nga Hafsa, e kjo nga Umu Atija, e kjo nga Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 313

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?

13. Nënkapitulli: Fërkimi i trupit kur femra pastrohet nga menstruacionet

Sqarimi i mënyrës së marrjes gusëll dhe se pastrimi (nga menstruacionet) bëhet duke i fshirë njollat e gjakut me një copë pëlhure të parfumuar.

314. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Ibn Ujejne, e ky nga Mensur ibn Safija, e ky nga nëna e tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua e pyeti Pejgamberin ﷺ rreth pastrimit nga menstruacionet. Ai i tregoi si duhej pastruar, duke i thënë: “Merr një copë pëlhure të parfumuar dhe fshiju me të.”

Ajo i tha: “E si të pastrohem me të?”

Pejgamberi ﷺ tha: “Subhanallah! Pastrohesh me të.”

Unë e tërhoqa për krahu dhe i thashë: “I pastron njollat e gjakut me të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 314

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

14. Nënkapitulli: Pastrimi nga menstruacionet

315. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Muslimi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Mensuri, e ky nga nëna e tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua ensare e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Si të pastrohem nga menstruacionet?”

Ai iu përgjigj: “Merr një copë pëlhure të parfumuar dhe pastrohu me të tri herë.” Pastaj Pejgamberi ﷺ u turpërua, andaj e ktheu fytyrën në anën tjetër ose tha: “Pastrohu me të.”

Unë e tërhoqa atë (grua) dhe i tregova se çfarë kishte për qëllim Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 315

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

15. Nënkapitulli: Krehja e flokëve kur femra pastrohet nga menstruacionet

316. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ibrahimi, se këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ hymë në ihram në haxhin lamtumirës, kurse unë kisha zgjedhur të kryeja haxhin temetu. Ai nuk e kishte marrë kurbanin me vete. Më erdhën menstruacionet dhe nuk u pastrova, derisa erdhi dita e Arafatit, ku i thashë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Sot është nata Arafatit, kurse unë jam nisur për haxhin temetu, çfarë të veproj?”

I Dërguari i Allahut më tha: “Shprishi gërshetat dhe krihi flokët, e mos e kryej umrën.”

Veprova qysh më tha Pejgamberi ﷺ. Pasi e kreva haxhin, natën që shkuam në Muhasab (në natën e fundit para se të ktheheshim), ai e urdhëroi Abdurrahmanin të më shoqërojë për ta kryer umrën nga Tenëimi, si zëvendësim i umrës së parë (që kryhet me haxhin temetu).

Referenca: Sahihu i Buhariut 316

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?

16. Nënkapitulli: Shprishja e gërshetave kur femra pastrohet nga menstruacionet

317. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ubejd ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “U nisëm për në haxh në prag të muajit dhul hixhe, e i Dërguari i Allahut ﷺ na tha: “Ai që dëshiron të kryejë edhe umrën, le ta bëjë njetin për të. Sikur të mos e kisha marrë kurbanin me vete, unë do të kryeja edhe umrën.” Kështu, disa bënë nijet edhe për umre, kurse disa të tjerë vetëm për haxh. Unë isha në mesin e atyre që bënë nijet edhe për umre, por më erdhën menstruacionet dhe kështu më zuri dita e Arafatit pa e kryer umrën. Iu ankova Pejgamberit ﷺ për këtë, ndërsa ai më tha: “Lëre umrën, shprishi gërshetat, krihi flokët dhe bëje njetin për haxh.”

Ashtu veprova, derisa Pejgamberi ﷺ natën kur ishim në Muhasab (natën e fundit para kthimit) e dërgoi vëllanë tim, Abdurrahman ibn Ebu Bekrin, dhe shkuam në Tenëim për t'u përgatitur për umre, që të zëvendësoja umrën e parë (para haxhit).

Hishami thotë: “Pejgamberi ﷺ nuk i obligoi asgjë: as kurbanin, as agjërimin, as sadakanë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 317

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?

17. Nënkapitulli: Fjala e Allahut ﷻ : “Në formë të plotë ose jo të plotë.”

318. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Ubejdullah ibn Ebu Bekri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ﷻ i ka obliguar një meleku përkujdesjen ndaj mitrës (fazave të krijimit të njeriut në barkun e nënës) dhe të thotë (për secilën fazë): “O Zoti im, embrion! O Zoti im, gjak i ngjizur! O Zoti im, copë mishi!”

E, kur të vijë koha për ta kompletuar krijimin e tij, thotë: “Mashkull apo femër? Fatzi apo të lumtur? Sa rrizk dhe jetëgjatësi?” Këto i shkruhen duke qenë në barkun e nënës.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 318

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

18. Nënkapitulli: Si hyn në Ihram femra me menstruacione, për haxh e umër?

319. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Së bashku me Pejgamberin ﷺ u nisëm për në haxhin lamtumirës. Disa prej nesh bënë nijetin edhe për umre, e disa vetëm për haxh. Kur arritëm në Mekë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ai që ka bërë nijet për umre, porse nuk e ka marrë kurbanin me vete, le të lirohet nga ihrami. Ai që ka bërë nijet për umre dhe ka marrë kurbanin me vete, të mos lirohet nga ihrami derisa ta therë atë. E ai që është përgatitur vetëm për haxh, le ta kompletojë haxhin.”

Aishja thotë: “Mirëpo mua, që isha nisur me nijet vetëm për umre, më erdhën menstruacionet, gjendje kjo që më zgjati deri ditën e Arafatit, andaj Pejgamberi ﷺ më urdhëroi t'i shprish gërshetat dhe t'i kreh flokët, e pastaj ta bëj nijetin për haxh dhe ta lë umrën (e parë). Ashtu veprova, derisa e kreva haxhin tërësisht. Në fund, Pejgamberi ﷺ e dërgoi Abdurrahman ibn Ebu Bekrin me mua dhe më porositi të kryej një umre nga Tenëimi, si zëvendësim i umrës së parë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 319

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?

19. Nënkapitulli: Si dallohet paraqitja dhe kryerja e menstruacioneve?

Kishte gra të cilat Aishes i çonin copa pëlhure prej pambuku me shenja të lëngut të verdhë, andaj ajo u thoshte: "Mos u ngutni, derisa ta dalloni sekrecionin e bardhë." Kishte për qëllim pastrimin nga menstruacionet. Bijës së Zejd ibn Thabitit i treguan se disa gra ndeznin kandila në gjysmë të natës për të shikuar se a i janë ndërprerë menstruacionet. Ajo tha: Gratë e sahabëve nuk vepronin kësisoj, ndaj i qortoi.

320. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Hishami, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatime bint Ebu Hubejshi shpesh kishte gjakrrjedhje të çrregullt, andaj e pyeti Pejgamberin ﷺ, i cili në atë rast i tha: “Ajo që po të ndodh ty është gjakrrjedhje e çrregullt, e jo gjak menstrual. Andaj, kur të të vijë koha e menstruacioneve, lëre namazin. E, kur të kalojë ajo kohë, pastrohu dhe falu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 320

Fjalë të panjohura?

20. Nënkapitulli: Femra me menstruacione nuk i kompenzon namazet

Xhabiri dhe Ebu Seidi transmetojnë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ta lërë namazin!”

321. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja se Muadhja tregon se një grua e pyeti Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A duhet ta kompensojë namazin gruaja që pastrohet nga menstruacionet?” Ajo i tha: “A mos je harurije?” Kur në kohën e Pejgamberit ﷺ na paraqiteshin menstruacionet, nuk na urdhëronte t'i kompensonim namazet më pas.” Ose i tha: “Nuk i kompensonim.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 321

Fjalë të panjohura?

21. Nënkapitulli: Fjetja me gruan me menstruacione teksa ajo është me rrobat e saj të përditshme

322. Nga: Umu Seleme

Sad ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar Shejbaniu, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme, e ky nga Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “M'u paraqitën menstruacionet teksa isha e shtrirë nën mbulesë kadifeje së bashku me Pejgamberin ﷺ, andaj u largova fshehurazi dhe i vesha rrobat e kohës së menstruacioneve.” Ai më pyeti:

- “T'u paraqitën menstruacionet?”

- Po, - i thashë.

Atëherë më ftoi dhe u futa bashkë me të nën mbulesën e kadifesë.

Zejnebja ka thënë: “Po ashtu, ajo më ka treguar se Pejgamberi ﷺ e puthte edhe pse ishte agjërueshëm, si dhe pastroheshin nga xhunubllëku së bashku nga një enë e përbashkët.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 322

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

22. Nënkapitulli: Veshja e rrobave të menstruacioneve në vend të rrobave të përditshme

323. Nga: Umu Seleme

Muadh ibn Fedale na ka thënë: Na ka treguar Hishami, e ky nga Jahjai, e ky nga Ebu Seleme, e ky nga Zejnebe bint Ebu Seleme se Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa isha shtrirë me Pejgamberin ﷺ nën një mbulesë kadifeje, m'u paraqitën menstruacionet, andaj u largova fshehurazi dhe i vesha rrobat e menstruacioneve, ndërsa ai më tha:

- “T'u paraqitën menstruacionet?”

- Po, - i thashë.

Atëherë më ftoi dhe u shtriva me të nën atë mbulesë kadifeje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 323

Hadithe të ngjashme: Shiko (4)

Fjalë të panjohura?

23. Nënkapitulli: Pjesëmarrja e femrave me menstruacione në festimin e dy bajrameve dhe tubimet në lutjet e muslimanëve, porse i shmangen vendit të namazgjasë

324. Nga: Umu Atija Ensarja

Muhamed ibn Selami na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdulvehabi, e ky nga Ejubi se Hafsa tregon: “Vashat e reja i ndalonim të dilnin për Bajram.”

Një ditë, një grua erdhi në kullën e Benu Halefit, ku transmetoi një hadith nga motra e vet, burri i së cilës kishte marrë pjesë me Pejgamberin ﷺ në dymbëdhjetë luftëra, kurse motra ime kishte qenë së bashku me të në gjashtë syresh.

Ajo citoi të motrën: “I mjekonim të plagosurit dhe kujdeseshim për të sëmurët.” Njëherë e pyeta Pejgamberin ﷺ: “A prish punë që, nëse ndonjëra prej nesh, që nuk posedon mantel, të mos marrë pjesë (në Bajram)?” Ai tha: “Le t'ia huazojë shoqja shoqes një mantel, që të ndiejë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve.”

Hafsa vijon: “Kur erdhi Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e pyeta: “A mos e ke dëgjuar Pejgamberin ﷺ (duke thënë kështu e kështu)?”

- Po, kurban bëfsha babanë tim, - e kishte zakon që, sa herë e përmendte Pejgamberin ﷺ, të thoshte këtë fjalë, - e kam dëgjuar duke thënë: “Le të dalin (për namazin e Bajramit) virgjëreshat dhe ato që veçoheshin në dhomat e tyre, - ose ka thënë: virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre dhe ato që janë me menstruacione - që të ndiejnë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve, ndërsa, ato me menstruacione të largohen prej namazgjahut”, - tha ajo.

- Ato me menstruacione?! - e pyeta sërish.

- A nuk marrin pjesë në Arafat, si dhe këtu e aty? - më tha Umu Atija.

Referenca: Sahihu i Buhariut 324

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?

24. Nënkapitulli: Po nëse femrës i vijnë menstruacionet tri herë në muaj?

A u pranohet fjala grave për çështje të menstruacioneve dhe shtatzënisë si dhe në mundësinë e paraqitjes së menstruacioneve (më shumë se sa një herë brenda muajit), siç qëndron në fjalën e Allahut ﷻ: “... atyre nuk u lejohet të fshehin atë që Allahu krijoi në mitrat e tyre...” (Bekare, 228) Aliu dhe Shurejhu kanë thënë: Nëse ndonjë grua sjell dëshminë e ndonjë familjari të saj të besueshëm se ajo ka përjetuar menstruacionet tri herë gjatë muajit, i besohet. Atai dhe Ibrahim Nehaiu kanë thënë: "(Në raste të jashtëzakonshme, bie fjala, pritja e së shkurorëzuarës) cikli menstrual duhet të llogaritet ashtu siç është llogaritur herëve të mëparshme (pra sipas gjendjes së zakonshme)." Po ashtu, Atai ka thënë: "Cikli menstrual mund të zgjasë nga një deri në pesëmbëdhjetë ditë." Mutemiri tregon nga babai i tij se e ka pyetur Ibn Sirinin për femrën që vëren gjak edhe pas ditës së pestë të ciklit menstrual, e në atë rast ka thënë: "Gratë e dinë më mirë këtë punë."

325. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ahmed ibn Ebu Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky e ka dëgjuar Hisham ibn Urven, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatime bint Hubejshi e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Kam gjakrrjedhje të pandërprerë, kështu që nuk po pastrohem. A ta lë namazin?”

Pejgamberi ﷺ tha: “Jo, ajo që po të ndodh ty është gjakrrjedhje e çrregullt. Lëre namazin aq ditë sa të janë paraqitur menstruacionet (më herët), e pastaj laju dhe falu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 325

Fjalë të panjohura?

25. Nënkapitulli: Dispozita e lëngut bojëverdhë dhe atij bojëkafe në ditët jashtë menstruacioneve

326. Nga: Umu Atija Ensarja

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e ky nga Ejubi, e ky nga Muhamedi se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “(Në kohën e Pejgamberit ﷺ) Lëngun me ngjyrë të verdhë dhe të kaftë nuk e konsideronim menstruacion.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 326

Fjalë të panjohura?

26. Nënkapitulli: Damari prej të cilit rrjedh gjaku i çrregullt (istihada)

327. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Meani, e këtij i ka treguar Ibn Ebu Dhiëbi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve dhe nga Amra se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se Umu Habibe ka vuajtur nga gjakrrjedhja e çrregullt shtatë vjet me radhë, andaj e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ rreth kësaj. Ai e urdhëroi që të pastrohej dhe i tha: “Gjakrrjedhje e çrregullt.

Kështu, ajo pastrohej për çdo namaz.

Referenca: Sahihu i Buhariut 327

Fjalë të panjohura?

27. Nënkapitulli: Po nëse menstruacionet rrjedhin pas përfundimit të tavafit ifada?

328. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekër ibn Muhamed ibn Amër ibn Hazmi, e ky nga babai i tij, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, iu drejtua atij ﷺ:

- O i Dërguari i Allahut! Safije bint Hujejit i janë paraqitur menstruacionet.

- “Mund të na vonojë. A nuk e ka kryer tavafin (e haxhit) së bashku me ju?” - pyeti i Dërguari i Allahut ﷺ.

- Po, e ka kryer, - i thamë.

- “Atëherë nisuni (për Medinë)”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 328

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?

329. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Abdullah ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Femrës i është lejuar të largohet (nga Meka) nëse i paraqiten menstruacionet (pa e kryer tavafin lamtumirës).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 329

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

330. Nga: Abdullah ibn Omeri

Në fillim, Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte: “Jo, nuk u lejohet atyre (grave me menstruacione) të largohen (nga Meka, pa e kryer tavafin lamtumirës). Por, pastaj e kam dëgjuar duke thënë: “Mund të largohen, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ ua ka lejuar këtë gjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 330

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?

28. Nënkapitulli: Çka vepron femra me istihada hemorragji pasi t’i vërejë shenjat e pastrimit

Ibn Abasi ka thënë: "Femra me hemorragji lahet dhe falet (nëse i vëren shenjat e pastrimit) qoftë dhe për një kohë të shkurtër, e mund t’i afrohet bashkëshorti për marrëdhënie intime pasi të jetë falur, sepse namazi është parësor."

331. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ahmed ibn Junusi na ka treguar nga Zuhejri, e këtij i ka treguar Hishami, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të të paraqiten menstruacionet, lëre namazin. E, kur të të ndërpriten, pastroje gjakun dhe falu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 331

Fjalë të panjohura?

29. Nënkapitulli: Namazi i xhenazes së femrës shtatzënë dhe çfarë është sunet në të

332. Nga: Semure ibn Xhundubi

Ahmed ibn Ebu Surejxhi na ka thënë: Na ka rrëfyer Shebabi, e këtij i ka rrëfyer Shuëbe, e ky nga Husejn Mualimi, e ky nga Ibn Burejde se Semure ibn Xhundubi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një grua vdiq duke qenë shtatzënë, kurse Pejgamberi ﷺ ia fali namazin e xhenazes duke qëndruar te mesi i (trupit të) saj.

Referenca: Sahihu i Buhariut 332

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?

30. Nënkapitull

333. Nga: Mejmune bint Harithi

Hasen ibn Mudriku na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Hamadi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Avane - Vedahu, prej librit të tij, e këtij i ka rrëfyer Sulejman Shejbaniu, e ky nga Abdullah ibn Shedadi se tezja e tij Mejmunia (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se, kur i paraqiteshin menstruacionet, nuk e falte namazin. I Dërguari i Allahut ﷺ falej në një hasër palme, kurse ajo (Mejmunia) shtrihej përskaj tij. Sa herë që ai binte në sexhde, një pjesë e rrobës së tij e prekte Mejmunen.

Referenca: Sahihu i Buhariut 333

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?