Sahihu i Buhariut — Hadithi 305
7. Nënkapitulli: Femra me menstruacione i kryen të gjitha ritet e haxhit, përveç tavafit rreth Qabesë
Ibrahim Nehaiu ka thënë: "Nuk prish punë nëse këndon ndonjë ajet." Ibn Abasi nuk e konsideron diç problematike nëse xhunubi lexon Kuran. Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ e përmendte Allahun ﷻ në çfarëdo gjendje që ishte. Umu Atija ka thënë: "Në kohën e Pejgamberit ﷺ na porosisnin që edhe gratë me menstruacione të dilnin e të bënin tekbire dhe dua me ta (në Bajram)." Ibn Abasi thotë se Ebu Sufjani më ka rrëfyer se Herakliu e mori letrën e Pejgamberit ﷺ dhe e lexoi, ndërsa në të shkruante: “Bismilahi Rrahmani Rrahim (Me emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshirëbërësit): “Thuaj: O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët edhe për ne edhe për ju; që të mos adhurojmë tjetër përveç Allahut, asgjë të mos i bëjmë shok dhe se nuk do të mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut. E nëse ata refuzojnë, thoni: Dëshmoni se ne njëmend jemi muslimanë!” (Ali Imran, 64) Atai transmeton nga Xhabiri se: "Aishes i erdhën menstruacionet, e në atë rast i kreu të gjitha ritet e haxhit, përveç namazit dhe tavafit rreth Qabesë." Hakemi ka thënë: "Unë ther kurban edhe nëse jam xhunub. Allahu ﷻ ka thënë: “Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut...” (Enam, 121)
305. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Abdulaziz ibn Ebu Seleme, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Me Pejgamberin ﷺ u nisëm (për në Mekë) e nuk na binte ndërmend (të bënim njet) përveç haxhit dhe, kur arritëm në Serife, m'u paraqitën menstruacionet. Pejgamberi ﷺ erdhi tek unë e më gjeti duke qarë, andaj më tha:
- “Pse po qan?”
- Betohem në Allahun se do të doja të mos isha nisur për haxh këtë vit, - i thashë.
- “A t'u paraqitën menstruacionet”, - më pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Po, - i thashë.
- “Këtë gjë Allahu ua ka caktuar bijave të Ademit, andaj vepro çdo gjë që vepron haxhiu, përveç tavafit rreth Qabesë, derisa të pastrohesh”, - tha Pejgamberi ﷺ.”