Sahihu i Buhariut — Hadithi 313
12. Nënkapitulli: Parfumimi i femrës me rastin e larjes nga menstruacionet
313. Nga: Umu Atija Ensarja
Abdullah ibn Abdulvehabi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Hafsa se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Për të vdekurin na ndalohej të mbanim zi më shumë se tri ditë, përveç për vdekjen e burrit, për të cilin mbahej zi katër muaj e dhjetë ditë. Na ndalohej po ashtu ta përdornim kuhlin, parfumin dhe veshjen e rrobave me ngjyra (të cilat zakonisht i përdornim për zbukurim), përveç një lloj rrobe jemenase. Mirëpo, kur pastroheshim nga menstruacionet, na lejohej të përdornim parfum në sasi të vogël, aq sa të mënjanohej era e rëndë, si dhe na ndalohej përcjellja e xhenazes.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Këtë e ka transmetuar po ashtu Hisham ibn Hasani nga Hafsa, e kjo nga Umu Atija, e kjo nga Pejgamberi ﷺ.”