Sahihu i Buhariut — Hadithi 319

18. Nënkapitulli: Si hyn në Ihram femra me menstruacione, për haxh e umër?

319. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Së bashku me Pejgamberin ﷺ u nisëm për në haxhin lamtumirës. Disa prej nesh bënë nijetin edhe për umre, e disa vetëm për haxh. Kur arritëm në Mekë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Ai që ka bërë nijet për umre, porse nuk e ka marrë kurbanin me vete, le të lirohet nga ihrami. Ai që ka bërë nijet për umre dhe ka marrë kurbanin me vete, të mos lirohet nga ihrami derisa ta therë atë. E ai që është përgatitur vetëm për haxh, le ta kompletojë haxhin.”

Aishja thotë: “Mirëpo mua, që isha nisur me nijet vetëm për umre, më erdhën menstruacionet, gjendje kjo që më zgjati deri ditën e Arafatit, andaj Pejgamberi ﷺ më urdhëroi t'i shprish gërshetat dhe t'i kreh flokët, e pastaj ta bëj nijetin për haxh dhe ta lë umrën (e parë). Ashtu veprova, derisa e kreva haxhin tërësisht. Në fund, Pejgamberi ﷺ e dërgoi Abdurrahman ibn Ebu Bekrin me mua dhe më porositi të kryej një umre nga Tenëimi, si zëvendësim i umrës së parë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 319

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?