Sahihu i Buhariut — Hadithi 325

24. Nënkapitulli: Po nëse femrës i vijnë menstruacionet tri herë në muaj?

A u pranohet fjala grave për çështje të menstruacioneve dhe shtatzënisë si dhe në mundësinë e paraqitjes së menstruacioneve (më shumë se sa një herë brenda muajit), siç qëndron në fjalën e Allahut ﷻ: “... atyre nuk u lejohet të fshehin atë që Allahu krijoi në mitrat e tyre...” (Bekare, 228) Aliu dhe Shurejhu kanë thënë: Nëse ndonjë grua sjell dëshminë e ndonjë familjari të saj të besueshëm se ajo ka përjetuar menstruacionet tri herë gjatë muajit, i besohet. Atai dhe Ibrahim Nehaiu kanë thënë: "(Në raste të jashtëzakonshme, bie fjala, pritja e së shkurorëzuarës) cikli menstrual duhet të llogaritet ashtu siç është llogaritur herëve të mëparshme (pra sipas gjendjes së zakonshme)." Po ashtu, Atai ka thënë: "Cikli menstrual mund të zgjasë nga një deri në pesëmbëdhjetë ditë." Mutemiri tregon nga babai i tij se e ka pyetur Ibn Sirinin për femrën që vëren gjak edhe pas ditës së pestë të ciklit menstrual, e në atë rast ka thënë: "Gratë e dinë më mirë këtë punë."

325. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Ahmed ibn Ebu Rexhai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky e ka dëgjuar Hisham ibn Urven, e këtij i ka rrëfyer babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Fatime bint Hubejshi e pyeti Pejgamberin ﷺ: “Kam gjakrrjedhje të pandërprerë, kështu që nuk po pastrohem. A ta lë namazin?”

Pejgamberi ﷺ tha: “Jo, ajo që po të ndodh ty është gjakrrjedhje e çrregullt. Lëre namazin aq ditë sa të janë paraqitur menstruacionet (më herët), e pastaj laju dhe falu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 325

Fjalë të panjohura?