Sahihu i Buhariut — Hadithi 3326
1. Nënkapitulli: Krijimi i Ademit dhe pasardhësve të tij
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.” (Hixhr, 26) “Kur njeriu bashkohet me gruan e vet, e ngarkon atë me një barrë të lehtë, që vazhdon dhe zhvillohet deri në fund.” (Araf, 189) “Allahu ka thënë: "Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” (Araf, 12) “Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë.” (Bekare, 30) “Për çdo njeri ka mbikëqyrës.” (Tarik, 4) “Ne e kemi krijuar njeriun në vështirësi!” (Beled, 4) “O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si dhe zbukurime...” (Araf, 26) “A e keni parë farën që e hidhni?” (Vakia, 58) “Me të vërtetë, Ai është i Fuqishëm për ta kthyer (në jetë) atë.” (Tarik, 8) “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer, pastaj e çuam atë (kur nuk beson) në gjendjen më të ulët.” (Tin, 4-5) “Me të vërtetë, njeriu është në humbje (devijim).” (Asër, 2) “Pyeti (o Muhamed) ata (mekas jobesimtarë): "A është më i vështirë krijimi i tyre apo i të gjitha gjërave të tjera që i kemi krijuar? Ata i kemi krijuar prej baltës ngjitëse.” (Safat, 11) “Që t’jua ndryshojmë trajtën dhe t’ju rikrijojmë ashtu si nuk e dini (në Ditën e Ringjalljes).” (Vakia, 61) “Ata (melekët) thanë: "A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” (Bekare, 30) “Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin...” (Bekare, 36) “... Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk kanë ndryshuar fare!...” (Bekare, 259) “Ja përshkrimi i Xhenetit, që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): një vend, ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar...” (Muhamed, 15) “Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.” (Hixhr, 26) “Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi e shijuan frutën, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit...” (Araf, 22) “Allahu tha: "Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar.” (Araf, 24) “... Ai dhe gjenerata e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata...” (Araf, 27) Ebu Alije, për ajetin: “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij...”, (Bekare, 37) ka thënë: "Ato fjalë janë: “Ata thanë: "O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” (Araf, 23)
3326. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e ky nga Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur Allahu e krijoi Ademin, e bëri gjashtëdhjetë kute të gjatë. Pastaj i tha: “Shko jepu selam atyre melekëve dhe dëgjoje përshëndetjen e tyre, e cila do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve të tu.” Ai u tha: “Eselamu alejkum (paqja qoftë mbi ju)!” Ata ia kthyen: “Eselamu alejke ve rahmetullah (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ty)!” Pra, i shtuan fjalët: “dhe mëshira e Allahut”. Çdokush që do të hyjë në Xhenet, do të jetë në formën e Ademit. Ndërkaq, që atëherë njerëzit vinin duke u zvogëluar, deri më sot.”