Sahihu i Buhariut — Hadithi 3332
1. Nënkapitulli: Krijimi i Ademit dhe pasardhësve të tij
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.” (Hixhr, 26) “Kur njeriu bashkohet me gruan e vet, e ngarkon atë me një barrë të lehtë, që vazhdon dhe zhvillohet deri në fund.” (Araf, 189) “Allahu ka thënë: "Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” (Araf, 12) “Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë.” (Bekare, 30) “Për çdo njeri ka mbikëqyrës.” (Tarik, 4) “Ne e kemi krijuar njeriun në vështirësi!” (Beled, 4) “O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si dhe zbukurime...” (Araf, 26) “A e keni parë farën që e hidhni?” (Vakia, 58) “Me të vërtetë, Ai është i Fuqishëm për ta kthyer (në jetë) atë.” (Tarik, 8) “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer, pastaj e çuam atë (kur nuk beson) në gjendjen më të ulët.” (Tin, 4-5) “Me të vërtetë, njeriu është në humbje (devijim).” (Asër, 2) “Pyeti (o Muhamed) ata (mekas jobesimtarë): "A është më i vështirë krijimi i tyre apo i të gjitha gjërave të tjera që i kemi krijuar? Ata i kemi krijuar prej baltës ngjitëse.” (Safat, 11) “Që t’jua ndryshojmë trajtën dhe t’ju rikrijojmë ashtu si nuk e dini (në Ditën e Ringjalljes).” (Vakia, 61) “Ata (melekët) thanë: "A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” (Bekare, 30) “Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin...” (Bekare, 36) “... Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk kanë ndryshuar fare!...” (Bekare, 259) “Ja përshkrimi i Xhenetit, që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): një vend, ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar...” (Muhamed, 15) “Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.” (Hixhr, 26) “Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi e shijuan frutën, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit...” (Araf, 22) “Allahu tha: "Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar.” (Araf, 24) “... Ai dhe gjenerata e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata...” (Araf, 27) Ebu Alije, për ajetin: “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij...”, (Bekare, 37) ka thënë: "Ato fjalë janë: “Ata thanë: "O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” (Araf, 23)
3332. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Zejd ibn Vehbiu se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ, i sinqerti që i është thënë e vërteta, ka thënë: “Çdo njeriu i tubohet krijimi në mitrën e nënës së tij për dyzet ditë, pastaj, për po aq ditë, shndërrohet në copë të varur gjaku, më pas, për po aq ditë, shndërrohet në copë mishi (sikurse mishi i përtypur). Pastaj, Allahu dërgon një melek, të cilit i urdhërohen katër gjëra, e në atë rast personit i shkruhet: vepra, jetëgjatësia, furnizimi dhe nëse do të jetë fatzi apo i lumtur (në botën tjetër). Më pas, i fryhet shpirti në të. Ndodh që ndokush të punojë vepra të banorëve të Zjarrit, saqë nuk mbetet mes tij dhe Zjarrit më shumë se një kut, por libri ia parakalon, rrjedhimisht punon vepra të banorëve të Xhenetit dhe futet në të. Po ashtu, ndodh që njeriu të punojë vepra të banorëve të Xhenetit, saqë nuk mbetet mes tij dhe Xhenetit më shumë se një kut, por libri i tij ia parakalon, rrjedhimisht punon vepra të banorëve të Zjarrit dhe hyn në të.”