Sahihu i Buhariut — Hadithi 3340

3. Nënkapitulli: Ajeti: “... Ne dërguam Nuhun te popullit i tij...”

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “... dhe, shohim, që ty të shkojnë pas vetëm më të pavlerët nga ne, pa menduar fare...” (Hud, 27) “Më pas, një zë thirri: "O Tokë, gëlltit ujin tënd dhe ti, o qiell, ndaloje (shiun)! Dhe uji u tërhoq e u plotësua urdhri (i Allahut). Ndërsa anija u ndal në malin Xhudij dhe u tha: "Larguar qofshin keqbërësit (nga mëshira e Allahut)!” (Hud, 44) “Kur arriti urdhri Ynë e uji nisi të gufojë nga sipërfaqja e tokës...” (Hud, 40) “Ashtu siç ka qenë për popullin e Nuhut, për fiset ad e themud dhe për breznitë pas tyre...” (Gafir, 31) “Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: "O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju rikujtoj shenjat e Allahut, (dijeni se) unë jam mbështetur vetëm në Allahun! Prandaj, bashkë me idhujt tuaj, vendosni si do të veproni dhe vendimi juaj le të mos fshihet; zbatojeni kundër meje e mos më jepni kohë! Por, nëse ktheni shpinën, (dijeni se) unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi. Shpërblimi im është vetëm tek Allahu. Mua më është urdhëruar të jem prej atyre që (i) nënshtrohen (Atij).” (Junus, 71-72) “Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe i thamë: "Paralajmëroje popullin tënd para se t’i vijë një dënim i dhembshëm!”, (Nuh, 1) e deri në fund të sures.

3340. Nga: Ebu Hurejra

Is'hak ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibn Ubejdi, e këtij i ka treguar Ebu Hajani, e ky nga Ebu Zura se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ ishim në një gosti, ku i ofruan një shpatull, të cilën ai e pëlqente. E mori dhe e kafshoi një herë, pastaj tha: “Unë do të jem zotëria i njerëzve Ditën e Kiametit. A e dini ndodhinë kur Allahu do t'i tubojë të parët dhe të fundit në një vend, saqë syri mund t'i shohë të gjithë dhe zëri i thirrësit i arrin çdonjërit? Dielli do t'u afrohet e njerëzit do t'i thonë njëri-tjetrit: “A nuk po shihni se në çfarë gjendjeje jeni e deri ku keni ardhur? Pse nuk gjeni dikë të ndërmjetësojë te Zoti juaj?” Disa thonë: "(Shkoni te) babai juaj, Ademi.” Shkojnë tek ai dhe i thonë: “O Adem, ti je babai i njerëzve, Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet dhe ta ka fryrë shpirtin me Frymën e Tij. Melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde para teje dhe të ka vendosur në Xhenet. Vallë, a mund të ndërmjetësosh te Zoti yt? A nuk sheh në çfarë gjendje kemi ardhur?” Ai u thotë: “Zoti im është zemëruar shumë, si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu. Ai ma pati ndaluar pemën, e unë i pata bërë mëkat. Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Nuhu!”

Kur shkojnë te Nuhu, i thonë: “O Nuh, ti je i dërguari i parë në Tokë dhe Allahu të ka emërtuar rob falënderues, a nuk e sheh se në çfarë halli kemi mbetur? A nuk e sheh çfarë na ka gjetur? Vallë, a mund të ndërmjetësosh te Zoti yt për ne?” Ai u thotë: “Zoti im është zemëruar sot si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu. Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te Pejgamberi !” Kështu, kur vijnë tek unë, unë bëj sexhde nën Arsh. Më thuhet: “O Muhamed, ngrije kokën dhe ndërmjetëso, se do të të pranohet ndërmjetësimi. Kërko, që të të jepet.”

Muhamed ibn Ubejde ka thënë: “Nuk e kujtoj pjesën tjetër të hadithit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3340

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?