Sahihu i Buhariut — Hadithi 3342

5. Nënkapitulli: Përmendja e Idrisit ﷺ dhe se ai ka qenë gjyshi i babait të Nuhut, apo, gjyshi i Nuhut ﷺ

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne e ngritëm atë në vend të lartë.” (Merjem, 57)

3342. Nga: Ebu Dherr Gifariu

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu. [t]: Ahmed ibn Salihu na ka thënë: Na ka treguar Anbese, e këtij i ka treguar Junusi, e ky nga Ibn Shihabi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ebu Dherri transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Një natë, teksa isha në Mekë, u hap çatia e shtëpisë dhe zbriti Xhibrili, i cili ma hapi gjoksin dhe ma pastroi me ujë Zemzemi. Pastaj, solli një enë prej ari, të mbushur me urtësi e besim, dhe ma derdhi në gjoks e ma mbylli (gjoksin). Më pas, më kapi për dore dhe më ngriti në qiell. Me të arritur te qielli i dynjasë, Xhibrili i tha rojës së qiellit:

- Hape.

- Kush është? - pyeti roja.

- Xhibrili.

- A është ndokush me ty? - pyeti roja.

- Me mua është Muhamedi ﷺ, - ia ktheu Xhibrili.

- A i ka zbritur shpallja? - pyeti roja.

- Po, andaj hape (derën) - tha Xhibrili.

Me të hipur mbi qiellin e dynjasë, kur ja, një burrë, anash të cilit ndodheshin turma njerëzish. Sa herë që shikonte në të djathtë, qeshte; sa herë që shikonte në të majtë, qante. Kur më pa, më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber dhe bir i mirë!”

E pyeta Xhibrilin:

- Kush është ky?

- Ademi. Ndërkaq, këto turma në të djathtë dhe në të majtë janë pasardhësit e tij. Këta nga e djathta janë banorët e Xhenetit, kurse turma në të majtë janë banorët e Zjarrit. Sa herë që shikon në të djathtë, qesh; sa herë që shikon në të majtë, qan, - tha ai.

Pastaj, Xhibrili vazhdoi të udhëtojë lart, derisa arritëm te qielli i dytë. (Xhibrili) i tha rojës së qiellit: “Hape.” Edhe ky e pyeti sikurse i pari, pastaj e hapi derën.”

Enesi thotë: “Pastaj Pejgamberi ﷺ tregoi se i ka parë nëpër qiej Idrisin, Musain, Isain dhe Ibrahimin, paqja e Allahut qoftë mbi ta! Ndërkaq, Ebu Dherri, në transmetimin e tij, nuk përmend vendqëndrimet e tyre, përveç për Ademin, për të cilin ka thënë se është në qiellin e dynjasë, si dhe për Ibrahimin, në qiellin e gjashtë.

Enesi vazhdon: “E, kur Xhibrili (dhe Pejgamberi ﷺ) kaloi tek Idrisi ﷺ, ai i tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber dhe vëlla i mirë!”

Pejgamberi ﷺ thotë: “E pyeta Xhibrilin: “Kush është ky?” Më tha: “Ky është Idrisi.” Pastaj kaluam te Musai ﷺ dhe më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber dhe vëlla i mirë!” Pyeta: “Po ky, kush është?”

- Ky është Musai, - më tha Xhibrili.

Pastaj kaluam tek Isai ﷺ dhe më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber dhe vëlla i mirë!”

E pyeta Xhibrilin: “Kush është ky?” Më tha: “Ky është Isai.”

Pastaj kaluam tek Ibrahimi ﷺ dhe më tha: “Mirë se vjen, o Pejgamber dhe bir i mirë!”

Pyeta: “E ky, kush është?”

Xhibrili më tha: “Ky është Ibrahimi ﷺ.”

Ibn Hazmi më ka rrëfyer nga Ibn Abasi dhe Ebu Haje Ensariu, se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pastaj jam ngritur derisa kam arritur në një lartësi ku dëgjoja edhe fëshfërimën e lapsave (që shkruajnë caktimet vjetore nga Pllaka e Ruajtur).”

Ibn Hazmi dhe Enes ibn Maliku kanë thënë (pastaj): “Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu ia obligoi umetit tim pesëdhjetë namaze. U ktheva me këtë urdhër, por, duke kaluar pranë Musait, më pyeti:

- Çfarë i obligoi Allahu umetit tënd?

- I obligoi pesëdhjetë namaze, - i thashë.

- Kthehu te Zoti yt (dhe kërko lehtësim), sepse umeti yt nuk mund ta përballojë këtë, - më tha ai.

U ktheva dhe kërkova lehtësim, kurse Allahu ﷻ e përgjysmoi numrin e tyre.

U ktheva te Musai, por ai prapë më tha: “Kthehu dhe kërko sërish të ta lehtësojë”, - dhe e përmendi rastin e njëjtë. - Allahu sërish e hoqi gjysmën e tyre.

Kur u ktheva te Musai, më tha: “Kthehu, sepse umeti yt nuk mund ta përballojë.”

U ktheva sërish dhe kërkova të ma lehtësojë. Atëherë, Allahu ﷻ tha: “Ato janë pesë (për t'u kryer), por janë pesëdhjetë (për t'u shpërblyer). Tek Unë fjalët nuk ndryshojnë.”

Pasi u ktheva, Musai më tha: “Kthehu sërish te Zoti yt.”

Mirëpo, u turpërova nga Zoti im (andaj nuk u ktheva).

Pastaj, rrugëtimi vazhdoi, derisa arrita në Sidretul Munteha, e cila vërshoi nga një mori ngjyrash, që nuk e dija çfarë ishin. Më futën edhe në Xhenet, ku pashë kube (pallate të vogla) prej margaritarëve, dheu i të cilit (Xhenetit) ishte prej myshkut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3342

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?