Sahihu i Buhariut — Hadithi 3343
6. Nënkapitulli: Ajeti: “Fisit ad i dërguam vëllanë e tyre, Hudin.”
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kujtoje vëllanë e fisit ad (Hudin), kur e paralajmëroi popullin e vet në Ahkaf, ndërsa ka pasur paralajmërues edhe para tij, edhe pas tij (kur u tha): "Adhuroni vetëm Allahun! Unë, me të vërtetë, kam frikë se do t’ju godasë dënimi i Ditës së Madhe! Ata u përgjigjën: "Vallë, a ke ardhur të na largosh ne prej hyjnive tona. Sillna atë (dënim) që po na premton dhe të shohim nëse thua të vërtetën! Ai u tha (atyre): "Vetëm Allahu e di (kur do të vijë dënimi). Unë kam për detyrë vetëm që t’ju përcjell mesazhin për të cilin jam dërguar, por unë po shoh se ju jeni popull i zhytur në padije. Dhe kur panë një ré që u duk se vinte në drejtim të luginave të tyre, ata thanë: "Kjo re po sjell shiun!" - Jo! - u përgjigj ai - kjo është ajo që ju e keni shpejtuar: një erë që mbart një dënim të dhembshëm, që, me urdhrin e Allahut, shkatërron çdo gjë. E, në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta; ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës.” (Ahkaf, 21-25) “Kurse fisi ad u shkatërrua nga një furtunë e rreptë shungulluese, të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura. A sheh ndonjë gjurmë të tyre?” (Haka, 6-8)
3343. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Arare më ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Muxhahidi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Jam ndihmuar me erën e lehtë të lindjes, kurse Adi (populli i Hudit ﷺ) është shkatërruar me erën e furishme të perëndimit.”