Sahihu i Buhariut — Hadithi 3344

6. Nënkapitulli: Ajeti: “Fisit ad i dërguam vëllanë e tyre, Hudin.”

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kujtoje vëllanë e fisit ad (Hudin), kur e paralajmëroi popullin e vet në Ahkaf, ndërsa ka pasur paralajmërues edhe para tij, edhe pas tij (kur u tha): "Adhuroni vetëm Allahun! Unë, me të vërtetë, kam frikë se do t’ju godasë dënimi i Ditës së Madhe! Ata u përgjigjën: "Vallë, a ke ardhur të na largosh ne prej hyjnive tona. Sillna atë (dënim) që po na premton dhe të shohim nëse thua të vërtetën! Ai u tha (atyre): "Vetëm Allahu e di (kur do të vijë dënimi). Unë kam për detyrë vetëm që t’ju përcjell mesazhin për të cilin jam dërguar, por unë po shoh se ju jeni popull i zhytur në padije. Dhe kur panë një ré që u duk se vinte në drejtim të luginave të tyre, ata thanë: "Kjo re po sjell shiun!" - Jo! - u përgjigj ai - kjo është ajo që ju e keni shpejtuar: një erë që mbart një dënim të dhembshëm, që, me urdhrin e Allahut, shkatërron çdo gjë. E, në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta; ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës.” (Ahkaf, 21-25) “Kurse fisi ad u shkatërrua nga një furtunë e rreptë shungulluese, të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura. A sheh ndonjë gjurmë të tyre?” (Haka, 6-8)

3344. Nga: Ebu Seid Hudriu

Ibn Kethiri transmeton nga Sufjani, e ky nga babai i tij, e ky nga Ibn Ebu Numi se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Aliu i dërgoi Pejgamberit ﷺ pak ar, të cilin Pejgamberi ﷺ ua ndau katër personave: “Akra ibn Habis Handhaliut nga fisi muxhashi, Ujejne ibn Bedër Fezariut, Zejd Taiut nga fisi benu nebhan dhe Alkame ibn Ulathe Amiriut nga fisi benu kilab. Kurejshët dhe ensarët u hidhëruan dhe thanë: “Po u jep prijësve të banorëve të Nexhdit, ndërsa ne po na lë?” Pejgamberi ﷺ u tha: “Po ua përfitoj zemrat.” Një njeri me sy të gropuar, me ballë e mollëza të dala, mjekërdendur dhe flokërruar, erdhi dhe tha: “Kije frikë Allahun, o Muhamed!” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “E kush do t'i bindet Allahut, nëse unë nuk i bindem? Allahu po m'i beson banorët e Tokës, ndërsa ju nuk po më besoni (për këto pasuri)?” Dikush i kërkoi leje për ta vrarë, - kujtoj se ka qenë Halid ibn Velidi, - por Pejgamberi ﷺ e ndali. Kur burri në fjalë shkoi, Pejgamberi ﷺ tha: “Pasardhësit e këtij, - ose ka thënë: trashëgimtarët e këtij, - janë njerëz që e lexojnë Kuranin, por (ky lexim) nuk arrin të kalojë përtej fytit të tyre. Dalin prej fesë ashtu siç del shigjeta anë e përtej gjahut, i vrasin muslimanët, ndërkohë i kursejnë idhujtarët. Nëse jam gjallë, do t'i luftoj për t'i shfarosur siç është shfarosur populli i Adit.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3344

Hadithe të ngjashme: Shiko (9)

Fjalë të panjohura?