Sahihu i Buhariut — Hadithi 3346

7. Nënkapitulli: Tregimi i jexhuxhëve dhe mexhuxhëve

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata (hebrenjtë) të pyesin ty (Muhamed) për Dhulkarnejnin, thuaj: "Unë do t’ju tregoj disa lajme për të. Ne i dhamë atij mundësi në Tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë, kështu që ai u nis në një rrugë. Kur arriti në vendin e perëndimit të diellit, pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull." Ne thamë: "O Dhulkarnejn, mund t’i ndëshkosh ata ose mund t’u bësh mirë atyre." Ai tha: "Sa i përket atij që bën të këqija, Ne do ta ndëshkojmë e pastaj do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të rëndë. Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe do t’i premtojmë atij lehtësira. Pastaj ndoqi një rrugë tjetër. Kur arriti në vendin e lindjes së diellit, Ai e pa të lindte mbi një popull, të cilit Ne nuk i kishim dhënë gjë, për t’u mbrojtur nga dielli. Kështu ndodhi dhe Ne dinim gjithçka për të. Pastaj mori një rrugë tjetër. Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuajse nuk kuptonte asnjë të folme." Ata thanë: "O Dhulkarnejn, vërtet, jexhuxhët dhe mexhuxhët janë ngatërrestarë në Tokë. A të të japim një pagesë që të ndërtosh një pendë midis nesh dhe atyre?" Ai tha: "Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (se pagesa juaj), por më ndihmoni mua me krahë! Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre. Më sillni blloqe hekuri!" Dhe, kur ai i rrafshoi të dyja anët e thepisura të maleve, tha: "Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri." Pastaj tha: "Më sillni bakër të shkrirë, që ta hedh në të. Kështu, ata (jexhuxhët dhe mexhuxhët) nuk mundën që ta kapërcenin pendën dhe as nuk mundën që të hapnin vrimë në të." Ai tha: "Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë që të gjithë së bashku.” (Kehf, 83-99) Një person i tha Pejgamberit ﷺ: "E kam parë pendën, e cila dukej sikur xhybe me vija." Pejgamberi ﷺ i tha: “Vërtet e ke parë.”

3346. Nga: Zejneb bint Xhahshi

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri, e këtij i ka treguar Zejnebe bint Ebu Seleme, e kjo nga Umu Habibe bint Ebu Sufjani se Zejnebe bint Xhahshi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ hyri tek ajo i frikësuar duke thënë: “La ilahe il-lallah! Mjerë arabët nga sherri që u është afruar. Sot është hapur një pjesë e pendës së jexhuxhëve dhe mexhuxhëve, sa kjo”, - dhe e përtheu gishtin e madh dhe treguesin duke formuar një unazë. - I thashë: “O i Dërguari i Allahut, vallë, ndodh të shkatërrohemi, ndërkohë në mesin tonë ka njerëz të mirë?”

- “Po, nëse përhapet paturpësia”, - u përgjigj ai.

Referenca: Sahihu i Buhariut 3346

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?