Sahihu i Buhariut — Hadithi 3347

7. Nënkapitulli: Tregimi i jexhuxhëve dhe mexhuxhëve

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata (hebrenjtë) të pyesin ty (Muhamed) për Dhulkarnejnin, thuaj: "Unë do t’ju tregoj disa lajme për të. Ne i dhamë atij mundësi në Tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë, kështu që ai u nis në një rrugë. Kur arriti në vendin e perëndimit të diellit, pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull." Ne thamë: "O Dhulkarnejn, mund t’i ndëshkosh ata ose mund t’u bësh mirë atyre." Ai tha: "Sa i përket atij që bën të këqija, Ne do ta ndëshkojmë e pastaj do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të rëndë. Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe do t’i premtojmë atij lehtësira. Pastaj ndoqi një rrugë tjetër. Kur arriti në vendin e lindjes së diellit, Ai e pa të lindte mbi një popull, të cilit Ne nuk i kishim dhënë gjë, për t’u mbrojtur nga dielli. Kështu ndodhi dhe Ne dinim gjithçka për të. Pastaj mori një rrugë tjetër. Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuajse nuk kuptonte asnjë të folme." Ata thanë: "O Dhulkarnejn, vërtet, jexhuxhët dhe mexhuxhët janë ngatërrestarë në Tokë. A të të japim një pagesë që të ndërtosh një pendë midis nesh dhe atyre?" Ai tha: "Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (se pagesa juaj), por më ndihmoni mua me krahë! Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre. Më sillni blloqe hekuri!" Dhe, kur ai i rrafshoi të dyja anët e thepisura të maleve, tha: "Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri." Pastaj tha: "Më sillni bakër të shkrirë, që ta hedh në të. Kështu, ata (jexhuxhët dhe mexhuxhët) nuk mundën që ta kapërcenin pendën dhe as nuk mundën që të hapnin vrimë në të." Ai tha: "Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë që të gjithë së bashku.” (Kehf, 83-99) Një person i tha Pejgamberit ﷺ: "E kam parë pendën, e cila dukej sikur xhybe me vija." Pejgamberi ﷺ i tha: “Vërtet e ke parë.”

3347. Nga: Ebu Hurejra

Muslim ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu ka hapur një pjesë të pendës së jexhuxhëve dhe mexhuxhëve, sa kjo” - dhe e përtheu gishtin e madh dhe treguesin duke formuar numrin nëntëdhjetë (në formë unaze).

Referenca: Sahihu i Buhariut 3347

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?