Sahihu i Buhariut — Hadithi 3348
7. Nënkapitulli: Tregimi i jexhuxhëve dhe mexhuxhëve
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata (hebrenjtë) të pyesin ty (Muhamed) për Dhulkarnejnin, thuaj: "Unë do t’ju tregoj disa lajme për të. Ne i dhamë atij mundësi në Tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë, kështu që ai u nis në një rrugë. Kur arriti në vendin e perëndimit të diellit, pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull." Ne thamë: "O Dhulkarnejn, mund t’i ndëshkosh ata ose mund t’u bësh mirë atyre." Ai tha: "Sa i përket atij që bën të këqija, Ne do ta ndëshkojmë e pastaj do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të rëndë. Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe do t’i premtojmë atij lehtësira. Pastaj ndoqi një rrugë tjetër. Kur arriti në vendin e lindjes së diellit, Ai e pa të lindte mbi një popull, të cilit Ne nuk i kishim dhënë gjë, për t’u mbrojtur nga dielli. Kështu ndodhi dhe Ne dinim gjithçka për të. Pastaj mori një rrugë tjetër. Derisa, kur arriti në mes dy malesh, gjeti rrëzë tyre një popull, i cili pothuajse nuk kuptonte asnjë të folme." Ata thanë: "O Dhulkarnejn, vërtet, jexhuxhët dhe mexhuxhët janë ngatërrestarë në Tokë. A të të japim një pagesë që të ndërtosh një pendë midis nesh dhe atyre?" Ai tha: "Ajo të cilën ma ka mundësuar Zoti im, është më e mirë (se pagesa juaj), por më ndihmoni mua me krahë! Do të ndërtoj një pendë midis jush e atyre. Më sillni blloqe hekuri!" Dhe, kur ai i rrafshoi të dyja anët e thepisura të maleve, tha: "Fryjini zjarrit, derisa hekuri të skuqet si zjarri." Pastaj tha: "Më sillni bakër të shkrirë, që ta hedh në të. Kështu, ata (jexhuxhët dhe mexhuxhët) nuk mundën që ta kapërcenin pendën dhe as nuk mundën që të hapnin vrimë në të." Ai tha: "Kjo është mëshirë nga Zoti im! Kur të vijë premtimi i Zotit tim, Ai do ta rrafshojë atë (pendën). Premtimi i Zotit tim është (gjithnjë) i vërtetë. Atë Ditë, Ne do të bëjmë, që të vërshojnë njëri mbi tjetrin si valët (e detit) dhe do t’i fryhet Surit e do t’i tubojmë që të gjithë së bashku.” (Kehf, 83-99) Një person i tha Pejgamberit ﷺ: "E kam parë pendën, e cila dukej sikur xhybe me vija." Pejgamberi ﷺ i tha: “Vërtet e ke parë.”
3348. Nga: Ebu Seid Hudriu
Is'hak ibn Nasri më ka thënë: Na ka treguar Ebu Usame, e ky nga Ameshi, e këtij i ka treguar Ebu Salihu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartësuar do të thotë:
- O Adem!
- Po të përgjigjem me shumë kënaqësi, mirësia është në Duart e Tua, - iu përgjigj Ademi.
- Nxirre (ndaje prej pasardhësve të tu) grupin e Zjarrit, - i thotë Allahu.
- E cilët janë grupi i Zjarrit? - pyet Ademi.
- Në çdo një mijë, nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë (janë banorë të Zjarrit), - i thotë Allahu Fuqiplotë. Atë ditë, edhe fëmija do të thinjet: “... Çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t'i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” (Haxh, 2)
Të pranishmit e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, e cili nga ne është ai i vetmi (që do të hyjë në Xhenet nga mesi i një mijë njerëzve).” Ai u tha: “Po ju përgëzoj se një është prej jush, ndërsa një mijë prej jexhuxhëve dhe mexhuxhëve. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se shpresoj që ju do të jeni çereku i banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë tekbir. Pastaj ai tha: “Shpresoj se do të jeni një e treta e banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë tekbir. Së treti, Pejgamberi ﷺ tha: “Shpresoj se ju do të jeni gjysma e banorëve të Xhenetit.” Ne bëmë përsëri tekbir dhe Pejgamberi ﷺ tha: “Në mesin e njerëzve, ju (banorët e Xhenetit) jeni sikurse një qime e zezë në lëkurën e një kau të bardhë ose si një qime e bardhë në lëkurën e një kau të zi.”