Sahihu i Buhariut — Hadithi 3349

8. Nënkapitulli: Ajeti: “Allahu e ka marrë Ibrahimin për mik të ngushtë.”

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor, i përulur para Allahut.” (Nahl, 120) dhe: “... Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë.” (Teube, 114)

3349. Nga: Abdullah ibn Abasi

Muhamed ibn Kethiri na ka thënë: Na ka rrëfyer Sufjani, e këtij i ka treguar Mugire ibn Numani, e këtij i ka treguar Seid ibn Xhubejri se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ju do të ringjalleni këmbëzbathur, të zhveshur dhe të pasynetuar.” Pastaj lexoi ajetin: “Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë”, (Enbija, 104) pastaj vazhdoi: “Të parit që do t'i vishen rrobat Ditën e Kiametit do të jetë Ibrahimi. Disa shokë të mi do të rrëmbehen nga e majta, kurse unë do të them: “Shokët e mi! Shokët e mi!” Por, më thonë: “Qëkurse je ndarë prej tyre, këta (të rrëmbyerit) janë kthyer në injorancë.” Atëherë, unë do të them ashtu siç ka thënë robi i mbarë (Isai ﷺ): “Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë. Nëse Ti i dënon ata, janë robërit e Tu, e, nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Maide, 117-118)

Referenca: Sahihu i Buhariut 3349

Hadithe të ngjashme: Shiko (7)

Fjalë të panjohura?