Sahihu i Buhariut — Hadithi 3353

8. Nënkapitulli: Ajeti: “Allahu e ka marrë Ibrahimin për mik të ngushtë.”

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor, i përulur para Allahut.” (Nahl, 120) dhe: “... Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë.” (Teube, 114)

3353. Nga: Ebu Hurejra

Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Jahja ibn Seidi, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e këtij i ka treguar Seid ibn Ebu Seidi, e ky nga babai i tij se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e pyetën Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, kush është njeriu më i nderuar?” Ai iu përgjigj: “Njeriu më i devotshëm.” I thanë: “Nuk po pyesim për këtë.” Ai tha: “Atëherë, Jusufi, i dërguari i Allahut, i biri i të dërguarit të Allahut (Jakubit), i biri i të dërguarit të Allahut (Is'hakut), i biri i mikut të Allahut (Ibrahimit).” I thanë: “As për këtë nuk pyetëm.” Pejgamberi ﷺ u tha: “Po më pyesni për rrënjët e arabëve? Më i miri i tyre në injorancë është më i miri edhe në Islam, nëse e kuptojnë fenë.”

Ebu Usame dhe Muëtemiri transmetojnë nga Ubejdullahu, e ky nga Seidi, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 3353

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?