Sahihu i Buhariut — Hadithi 3393
22. Nënkapitulli: Ajetet: “A e ke dëgjuar historinë e Musait? Kur pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: "Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një copë druri (gacë) të ndezur ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes. Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: "O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë.”
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Kur (Musai) pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: "Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një copë druri të ndezur (gacë) ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes.” (Taha, 10) “... sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë.” (Taha, 12) “(Allahu) i tha: "Merre atë (shkopin që u bë gjarpër) dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e tij të mëparshme.” (Taha, 21) “... Këto, me të vërtetë, janë shenja për ata që janë mendarë.” (Taha, 54) Ata u përgjigjën: "Ne nuk e kemi thyer premtimin që të patëm dhënë me vullnetin tonë, por qemë të ngarkuar rëndë me stolitë e popullit (të Faraonit), andaj i hodhëm ato (në zjarr për t’u lehtësuar). Po kështu i hodhi edhe Samiriu. Dhe nga këto ai bëri një trup viçi që pëlliste." Atëherë tha: "Ky është zoti juaj dhe zoti i Musait. Ai (Musai) ka harruar (t’ju tregojë për të)! Vallë, a nuk e shihnin ata, se (viçi) nuk u drejtonte atyre asnjë fjalë dhe nuk ishte në gjendje t’u sillte kurrfarë dëmi apo dobie?” (Taha, 87-89) “Hani nga ushqimet e shijshme e të lejuara me të cilat ju kemi furnizuar dhe mos e kapërceni kufirin, përndryshe do t’ju zërë zemërimi Im. Ai, të cilin e zë zemërimi Im, është i humbur!” (Taha, 81) “Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët...” (Kasas, 10) “Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur, andaj dërgoje atë me mua, si ndihmës timin, që të vërtetojë fjalët e mia. Unë vërtet kam frikë se ata do të më quajnë gënjeshtar.” (Kasas, 34) “Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: "O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë.” (Kasas, 20) Allahu tha: "Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd...” (Kasas, 35) “Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij.” (Taha, 31) Musai u tha atyre: "Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim.” (Taha, 61) Njëri prej tyre tha: "Në të vërtetë, këta (Musai dhe Haruni), janë dy magjistarë, që duan t’ju shporrin nga toka juaj me magjitë e tyre dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë. Prandaj, bashkojini magjitë tuaja dhe ejani me radhë. Do të fitojë sot ai që ka epërsi!” (Taha, 63-64) Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete.” (Taha, 67) (Faraoni) tha: "Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?! Në të vërtetë, ai është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë. Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e hurmave.” (Taha, 71) “(Musai) tha: Si është puna jote, o Samiri?” (Taha, 95) (Musai) tha: "Atëherë, ik! Tërë jetën do të të duhet të thuash: "Mos më prekni." Por të është caktuar një premtim, i cili doemos do të zbatohet." Shikoje zotin tënd që ti e ke adhuruar vazhdimisht: "Ne do ta djegim e pastaj do ta hedhim në det hirin e tij.” (Taha, 97) Ajo i tha motrës së Musait: "Shko pas tij! E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët.” (Kasas, 11) “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur...” (Jusuf, 11) Kur shkoi motra jote e tha: "A doni t’ju tregoj dikë që do të kujdeset për të?, Ne të kthyem te nëna jote, që ajo të gëzohej dhe të mos pikëllohej më. Pastaj ti vrave një njeri, por Ne të shpëtuam nga brenga dhe të vumë në sprova të shumta. Ti qëndrove me vite të tëra midis banorëve të Medjenit, pastaj erdhe sipas porosisë së caktuar, o Musa!” (Taha, 40) Shkoni ti dhe vëllai yt me mrekullitë e Mia dhe mos reshtni së përmenduri Mua!” (Taha, 42) Ne do të të sjellim ty një magji të ngjashme. Cakto, midis nesh dhe teje, një takim në një vend të sheshtë, ku nuk do të mungojmë as ne, as ti!” (Taha, 58) Ne i thamë Musait: "Udhëto natën me robërit e Mi, hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det dhe mos u frikëso se do të të kapë ndokush e as se do të mbyteni!” (Taha, 77)
3393. Nga: Malik ibn Saësai
Hudbe ibn Halidi na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e këtij i ka treguar Katadja, e ky nga Enes ibn Maliku se Malik ibn Saësai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ u rrëfeu për natën e Israsë dhe, kur kishte arritur në qiellin e pestë, e kishte takuar Harunin: “Xhibrili më tha: “Ky është Haruni, përshëndete!” Unë e përshëndeta dhe ai ma ktheu, pastaj më tha: “Mirë se vjen, o vëlla dhe pejgamber i mirë!”
Transmetimin e Katades e fuqizon Thabiti dhe Abad ibn Ebu Aliu nga Enesi, e ky nga Pejgamberi ﷺ.