Sahihu i Buhariut — Hadithi 3398
25. Nënkapitulli: Ajeti: "Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të, ai tha: "O Zoti im, shfaqu që të të shoh." Zoti tha: "Ti nuk mund të më shohësh! Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua. E, kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur, ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai tha: "I lavdëruar qofsh Ti, o Zot! Kthehem te Ti i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!”
Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Kur toka dhe malet të ngrihen lart e të thërrmohen me një goditje shkatërrimtare.” (Haka, 14) “A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë?...” (Enbija, 30) “... Për shkak të mohimit, atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin...” (Bekare, 93) “Ne ngritëm sipër tyre malin, që dukej si hije e ata besonin se do të binte mbi ta...” (Araf, 171)
3398. Nga: Ebu Seid Hudriu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Amër ibn Jahjai, e ky nga babai i tij se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditën e Kiametit, të gjithë njerëzve do t'u bjerë të fikët. Unë do të jem i pari që do të këndellem. Atëherë do ta shoh Musain, të kapur për një shtylle të Arshit. Nuk di nëse është këndellur para meje apo është mjaftuar me herën e parë që i kishte rënë të fikët te mali Tur (kur kishte kërkuar ta shihte Allahun).”