Sahihu i Buhariut — Hadithi 3399

25. Nënkapitulli: Ajeti: "Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të, ai tha: "O Zoti im, shfaqu që të të shoh." Zoti tha: "Ti nuk mund të më shohësh! Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua. E, kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur, ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai tha: "I lavdëruar qofsh Ti, o Zot! Kthehem te Ti i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!”

Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Kur toka dhe malet të ngrihen lart e të thërrmohen me një goditje shkatërrimtare.” (Haka, 14) “A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë?...” (Enbija, 30) “... Për shkak të mohimit, atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin...” (Bekare, 93) “Ne ngritëm sipër tyre malin, që dukej si hije e ata besonin se do të binte mbi ta...” (Araf, 171)

3399. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Muhamed Xhufiu më ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sikur të mos ishin benu israilët, mishi nuk do të prishej kurrë dhe, sikur mos të ishte Havaja, asnjë grua nuk do ta nxiste burrin e saj për të keq.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3399

Fjalë të panjohura?