Sahihu i Buhariut — Hadithi 3400

27. Nënkapitulli: Hadithi i Hidrit me Musain ﷺ

3400. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu

Amër ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Ibrahimi, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Salihu, e ky nga Ibn Shihabi se Ubejdullah ibn Abdullahu tregon se Ibn Abasi dhe Hurr ibn Kajs Fezariu debatuan për personin që e kishte takuar Musai ﷺ. Ibn Abasi thoshte se ai ka qenë Hidri. Në bisedë e sipër, pranë tyre kaloi Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ibn Abasi e pa, andaj e thirri e i tha: “Me këtë shokun tim diskutuam për personin me të cilin Musai ﷺ kërkonte të takohej. A mos e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të ketë folur për të?” Ai iu përgjigj: “Po, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Teksa Musai ﷺ ishte në mesin e një grupi benu israilësh, vajti një njeri dhe i tha: “A njeh ndokënd që është më i ditur se ti?”

- Jo, - tha Musai ﷺ.

Atëherë, Allahu i shpalli: “Po, robi Ynë, Hidri (është më i ditur).”

Musai ﷺ kërkoi takimin me të, e Allahu ia bëri peshkun si shenjë. Atij iu tha: “Kur ta kesh humbur peshkun, kthehu, se atëherë do ta takosh atë (Hidrin).” Kështu, Musai ﷺ priste humbjen e peshkut në det. Kur djaloshi, që e shoqëronte, i tha: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun. Shejtani ishte ai që më bëri ta harroj.” Musai ia ktheu: “Këtë po e prisnim.” Andaj, u kthyen mbrapa nëpër gjurmët e veta nga kishin ardhur dhe aty e gjetën Hidrin. Pastaj historia vazhdon ashtu siç e ka përmendur Allahu i Lartësuar në Librin e Tij.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3400

Hadithe të ngjashme: Shiko (13)

Fjalë të panjohura?