Sahihu i Buhariut — Hadithi 3412
35. Nënkapitulli: Ajetet: “Junusi ka qenë gjithashtu njëri nga të dërguarit. Ai nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot e përplot dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe ai ishte njëri prej tyre që i ra shorti. Pastaj atë e gëlltiti një balenë, e ai ishte i qortuar.”
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes. Por Ne e hodhëm atë në një breg të shkretë, duke qenë i sëmurë. Dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungulli (për t’i bërë hije). Pastaj e dërguam atë te njëqind mijë e më tepër njerëz, dhe ata i besuan, prandaj u dhamë jetë të këndshme për një kohë.” (Safat, 143-148) “Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd dhe mos u bëj si Njeriu i Peshkut (Junusi ﷺ), kur iu lut Zotit të vet i dëshpëruar (në barkun e balenës)!” (Kalem, 48)
3412. Nga: Abdullah ibn Mesudi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Sufjani, e këtij i ka treguar Ameshi. [t]: Ebu Nuajmi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Askush të mos thotë se unë jam më i mirë se Junusi.”
Musededi shton: "Junus ibn Meta.”