Sahihu i Buhariut — Hadithi 3414

35. Nënkapitulli: Ajetet: “Junusi ka qenë gjithashtu njëri nga të dërguarit. Ai nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot e përplot dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe ai ishte njëri prej tyre që i ra shorti. Pastaj atë e gëlltiti një balenë, e ai ishte i qortuar.”

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes. Por Ne e hodhëm atë në një breg të shkretë, duke qenë i sëmurë. Dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungulli (për t’i bërë hije). Pastaj e dërguam atë te njëqind mijë e më tepër njerëz, dhe ata i besuan, prandaj u dhamë jetë të këndshme për një kohë.” (Safat, 143-148) “Prandaj, duro për gjykimin e Zotit tënd dhe mos u bëj si Njeriu i Peshkut (Junusi ﷺ), kur iu lut Zotit të vet i dëshpëruar (në barkun e balenës)!” (Kalem, 48)

3414. Nga: Ebu Hurejra

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Abdulaziz ibn Ebu Seleme, e ky nga Abdullah ibn Fadli, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një blerës i ofroi një hebreu çmim të lirë për një mall që e kishte ekspozuar në treg dhe hebreu tha: “Jo, betohem në Atë që e ka përzgjedhur Musain ndër gjithë njerëzimin!” Një burrë ensar, kur e dëgjoi, u ngrit dhe i ra shuplakë fytyrës e iu drejtua: “Po thua: “Jo, betohem në Atë që e ka përzgjedhur Musain ndër gjithë njerëzimin!”, ndërkohë Pejgamberi ﷺ është në mesin tonë?” Kështu, hebreu shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O Ebu Kasim, unë jam nën garanci dhe besë. Vallë, pse filani më bie shuplakë fytyrës?” Pejgamberi ﷺ e pyeti ensariun: “Pse i ke rënë shuplakë fytyrës?” Ai ia tregoi ndodhinë, por Pejgamberi ﷺ u zemërua aq shumë, saqë iu vrenjt fytyra dhe tha: “Mos i mbivlerësoni pejgamberët e Allahut ndaj njëri-tjetrit, sepse, kur t'i fryhet Surit, do t'i bjerë të fikët çdo gjëje në Tokë dhe në qiell, përveç atyre që Allahu i ka veçuar. Pastaj, kur i fryhet për së dyti, unë do të jem i pari që do të këndellem dhe do ta shoh Musain të kapur për Arshi. Nuk e di nëse i është llogaritur alivanosja Ditën e Turit apo është zgjuar para meje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 3414

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?