Sahihu i Buhariut — Hadithi 3417

37. Nënkapitulli: Ajeti: “... Ndërsa Davudit ia dhamë Zeburin.”

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Me të vërtetë, Ne i dhamë Davudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): "O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Davudin. Ne ia zbutëm atij hekurin, (dhe i thamë): "Puno parzmore të gjera! Thuri ato me maja të baraspeshuara dhe bëj vepra të mira! Pa dyshim, Unë shoh çfarë punoni ju.” (Sebe, 10-11) “Dhe, kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë: "Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar!” (Bekare, 250)

3417. Nga: Ebu Hurejra

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Abdurrezaku, e këtij i ka rrëfyer Mameri, e ky nga Hemami se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Davudit ﷺ i ishte lehtësuar leximi i Librit të Shenjtë, andaj, kur urdhëronte t'i shaloheshin kafshët, teksa priste, e lexonte Librin e Shenjtë. Ai ushqehej vetëm me atë që e fitonte përmes punës së vet.”

Këtë e transmeton edhe Musa ibn Ukbe nga Safvani, e ky nga Ata ibn Jesari, e ky nga Ebu Hurejra, e ky nga Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 3417

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?