Sahihu i Buhariut — Hadithi 3418
37. Nënkapitulli: Ajeti: “... Ndërsa Davudit ia dhamë Zeburin.”
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Me të vërtetë, Ne i dhamë Davudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): "O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Davudin. Ne ia zbutëm atij hekurin, (dhe i thamë): "Puno parzmore të gjera! Thuri ato me maja të baraspeshuara dhe bëj vepra të mira! Pa dyshim, Unë shoh çfarë punoni ju.” (Sebe, 10-11) “Dhe, kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë: "Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar!” (Bekare, 250)
3418. Nga: Abdullah ibn Amër ibn Asi
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Të Dërguarit të Allahut ﷺ i kishin treguar se unë kisha thënë: “Betohem në Allahun se, sa të jem gjallë, do të agjëroj çdo ditë dhe do të falem gjatë gjithë natës.” I Dërguari i Allahut ﷺ më tha: “Ti je ai që po thotë: “Betohem në Allahun se, sa të jem gjallë, do të agjëroj çdo ditë dhe do të falem gjatë gjithë natës?” I thashë: “Po, ashtu kam thënë.” Ai më tha: “Nuk do të mund ta arrish këtë, kështu që agjëro (ndonjëherë) dhe ha (ndonjëherë), falu (natën) dhe fli. Për çdo muaj agjëro nga tri ditë, sepse vepra e mirë dhjetëfishohet. Kjo të llogaritet si të kesh agjëruar tërë vitin.” Unë i thashë: “Unë mundem edhe më shumë se kaq, o i Dërguari i Allahut.” Ai më tha: “Atëherë, agjëro një ditë, e dy të tjera ha.” I thashë: “Mundem edhe më shumë se kaq.” Ai tha: “Pra, një ditë agjëro, një ditë ha, ky është agjërimi i Davudit dhe agjërimi më i mirë.” I thashë: “Unë mundem edhe më mirë, o i Dërguari i Allahut.” Ai më tha: “Nuk ka më mirë se kjo.”